Ky shkrim vjen si reagim ndaj ironisë së një personazhi VIP, i cili duke mos pasur një kulturë gjuhësore të duhur ose, të paktën, durimin për të hapur një fjalor apo për t’u konsultuar me një specialist gjuhe, tallej me fjalën “I DIGJITALIZUAR” në tekstin e fëmijës së tij, fatmirësisht fjalë e shkruar saktë në këtë tekst.
Duke qenë se “VIP”-at kanë vëmendjen maksimale nga ndjekësit e tyre, në këtë mënyrë ata ndikojnë keq kur “japin mend” në disa çështje, që nuk janë të fushës së tyre!
Kujdes, besojuni specialistëve të fushave përkatëse, jo “mjekëve popullorë Adhamudhë”!
Ndaj, në bashkëpunim me prof. Emil Lafen, në këtë shkrim ju sjellim përgjigjen e saktë për këtë çështje!
ATËHERË:
Fjala “digjital” (ose siç shqiptohet e shkruhet dendur sot gabim: “dixhital”) është një fjalë e re në gjuhën shqipe. Ajo ka hyrë si term i informatikës, duke qenë se kjo fushë ka marrë shumë zhvillim sidomos pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar e, bashkë me të, edhe terminologjia e saj.
Fjala digjital (si mbiemër) është regjistruar për herë të parë në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të botuar në vitin 2006 dhe shënohet si term teknik me kuptimet: “numerik; shifror”, me shembujt: aparat digjital, orë digjitale – kështu quhen aparatet dhe orët që nuk kanë akrep të lëvizshëm që të tregojnë vlerat ose kohën, por kanë një ekran ku shfaqen shifra a numra.
Në këtë fjalor nuk gjenden fjalët digjitalizoj, digjitalizim, i digjitalizuar, që i përdorim gjerësisht sot.
Kjo, sepse kur u hartua fjalori, këto fjalë nuk kishin ende këtë përdorim të dendur që kanë sot.
Po pse te ky fjalor është shkruar DIGJITAL dhe jo DIXHITAL, siç shkruhet dhe shqiptohet dendur sot? Pse me “gj” dhe jo me “xh”?
Edhe për këtë rast përgjigjen e jep “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Kjo është një fjalë e huaj dhe në drejtshkrimin e fjalëve të huaja luan rol etimologjia ose prejardhja e tyre. Kjo fjalë vjen nga latinishtja “digitalis”, që është një mbiemër i formuar nga emri “digitus”, i cili ka kuptimin “gishtor, gisht”.
Si fillim mbiemri “digital” është përdorur si term i anatomisë: arteria/vena digitalis. Në anglisht e në italisht kjo fjalë shqiptohet me “xh” (dixhital), në frëngjisht me “zh” (dizhital), në gjermanisht e në rusisht me “g” (digital), kurse në gjuhën shqipe shkruhen e shqiptohen me “gj” (digjital).
Pra, çdo gjuhë ka rregullat e veta të shqiptimit dhe të shkrimit të fjalëve, ndaj sipas rregullave të gjuhës sonë, trajta e saktë e kësaj fjale është: DIGJITAL (jo dixhital). Edhe fjalët e formuara prej saj shkruhen e shqiptohen me “gj”: digjitalizim, i digjitalizuar etj.
Sipas pikën g të kreut III të “Drejtshkrimit” (ku shpjegohet shkrimi i fjalëve të huaja), kemi:
/ Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët që burojnë kryesisht nga greqishtja, latinishtja e nga gjuhët romane dhe që në shqipen kanë një gj të ndjekur nga një e ose i, shkruhen me gj e jo me g:
agjenci, agjent, angjinare, angjinë, antropologji, biologji, borgjez, dermatologji, dramaturgji, elegji, embriologji, energjetikë, energjik, filologji, fiziologji, gjeneral, gjenerator, gjenezë, gjeni, gjeometri, gjimnastikë, gjimnaz, gjinekolog, hegjemoni, hemorragji, heterogjen, hidrogjen, higjienë, homogjen, kirurgji, legjendë, legjion, legjislacion, letargji, liturgji, logjikë, meteorologji, mitologji, oksigjen, patologji, pedagogji etj./
Sipas kësaj rregulle, shkruhen dhe shqiptohen me “gj” edhe fjalët “agjendë” (jo axhendë), “gjen” (jo gen, sepse shkenca që studion gjenet quhet “gjenetikë” e jo gjenetikë etj). Pra, nuk duhet ndarë drejtshkrimi i këtyre fjalëve.
Ndaj kjo fjalë dhe të tjera që vijnë prej saj shkruhet me gj (jo me xh) dhe kemi: DIGJITAL, I DIGJITALIZUAR, DIGJITALIZIM etj.
Përgatiti: Prof. dr. Emil Lafe dhe Sevi Agolli
Lexo edhe:
SI DUHET TË SHKRUHEN NUMËRORËT RRESHTORË, GABIMET QË I BËJNË SHUMICA
ObserverKult