Nga Charlie Chaplin
Më vjen keq, por unë nuk due të jem Perandor, nuk asht zanati im ky. Nuk due të qeveris, as të nënshtroj kënd. Duem të jetojmë të lumtun reciprokisht, e jo të mjerë reciprokisht. Do të doja t’i ndihmoja të gjithë, po të ishte e mundun: hebrejt, arianët, zezakët ose të bardhët.
Na të gjithë duem ta ndihmojmë njeni – tjetrin. Kështu janë ba qenjet njerëzore. Nuk duem të urrejmë e të përçmojmë njeni – tjetrin. Në këte botë ka vend për të gjithë, natyra asht e pasun dhe e mjaftueshme për të gjithë ne. Jeta mund të jetë e lumtun dhe e mrekullueshme, po na e kemi harrue. Babzitja ka helmue zemrat tona, ka mbyllë botën mbas një barrikade urrejtjeje. Na ka ba të kalbemi, me hap breshke, drejt mjerimit dhe gjakderdhjes.
Kemi rritë shpejtësinë, po jemi mbyllë në vetvete. Makinat që prodhojnë të mira na kanë dhanë vorfninë, shkenca na ka kthye në cinikë, aftësitë na kanë ba të ashpër e të pamëshirshëm. Ma shumë se për makina kemi nevojë për humanizëm. Ma shumë se për squetësi kemi nevojë për ambëlsi e mirësi. Pa këto dhunti jeta do të bahet e dhunëshme e gjtihçka do të humbasë.
Aviacioni e radjoja kanë afrue njerëzit. Vetë natyra e këtyne shpikjeve presupuzon mirësinë tek njeriu, presupuzon vëllaznimin universal, bashkimin e njerëzimit. Zani im arrin tek miliona njerëz, miliona burra, gra e fëmijë të dëshpruem. Viktima të një sistemi që shtërngon njeriun të torturojë e të burgosë njerëz të pafajshëm.
Atyne që mund të më dëgjojnë unë u them: mos u dëshproni. Mjerimi që na ka goditë nuk asht tjetër veçse efekt i babzisë njerëzore: keqardhja e atyne që u tremben rrugëve të progresit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, diktatorët do të vdesin e pushteti që i kanë rrëmbye botës do t’i kthehet popullit. Çfardo mjeti që të përdorin, liria nuk mund të shtypet.
Ushtarë! Mos iu dorëzoni këtyne shemtimeve që ju urrejnë, që ju kthejnë në skllavri, që ju kazermojnë jetën tuej, ju thonë çfarë duhet të bani, çfarë duhet të mendoni e të dëgjoni! Mos iu dorëzoni këtyne njerëzve të pashpirt, njerëzve-makina, me një makinë në vend të trunit e një makinë në vend të zemres!
Ju nuk jeni makina! Jeni njerëz! Keni në zemër dashuninë për njerëzimin! Mos urreni! Ata që nuk kanë dashuni për të tjerët urrejnë.
Ushtarë! Mos luftoni për sklavrinë! Luftoni për lirinë! Në kapitullin e shtatëmbëdhjetë të Shën Lukës shkruhet se mbretnia e Zotit asht në zemrat e njerëzve. Jo vetëm të një njeriu, jo të një grupi njerëzish, por të të gjithë juve. Ju, populli, kani pushtetin të krijoni makinat, të krijoni lumtuninë, ju keni forcën të bani që jeta të jetë një aventurë e shkelqyeshme. Pra, në emën të demokracisë, ta përdorim këte forcë, të bashkohemi të gjithë për një botë të re ma të mirë, që t’u japë njerëzve mundësinë për të punue, të rijëve një të ardhme, të moshuemëve sigurinë.
Tue premtue pikërisht këto shëmtinat kanë marrë pushtetin. Gënjenin: nuk kanë mbjatë asnjë premtim e kurrë nuk do t’i mbajnë. Diktatorët ndoshta janë të lirë sepse kthejnë në skllav popullin; pra të luftojmë për ato premtime, të luftojmë për të lirue botën tue eleminue kufijë e barriera, një botë në të cilën shkenca e progrsi t’u japin të gjithëve mirëqenje.
Ushtarë! Të bashkohemi në emën të demokracisë!
Hannah, a më dëgjon? Kudo qofsh, kij besim dhe vështro qiellin.
Hannah! Retë po shpërndahen, po fillon të shkelqejë dielli. Mandej do të dalim nga errësina në dritë, do të jetojmë në një botë të re, në të cilen njerëzit do të dalin mbi babzitjen e tyne, mbi urrejtjen dhe brutalitetin.
Vështro qiellin, Hannah! Shpirti njerëzor do të gjejë flatrat e veta dhe ma në fund do të fillojë të fluturojë mbi ylber.
Vështro qielli, Hannah! Vështro qiellin!
Përktheu: Daniell Gazulli
ObserverKult
Lexo edhe: