
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër ofron një udhëtim të veçantë në historinë e fotografisë shqiptare, nëpërmjet tre brezave të dinastisë Marubi dhe një fototeke që ruan qindra mijëra dëshmi të së shkuarës së vendit.
Vizitorët mund të ndjekin nga afër rrugëtimin e fotografisë, që nga studioja e shekullit XIX, te zhvillimi i teknikave fotografike dhe deri te arkivi i pasur që ka dokumentuar Shqipërinë ndër dekada. Në tre hapësira tematike, muzeu sjell në vëmendje historinë e Pietro Marubit, Kel Marubit dhe Gegë Marubit.
Pietro Marubi prezantohet përmes studios fotografike, një hapësirë ku çdo detaj kishte rëndësi dhe ku fotografia krijohej si një skenë e mirëkompozuar.
Kel Marubi na çon në dhomën e errët, aty ku procesi fotografik dhe zhvillimi i teknologjisë shënuan një epokë të re për fotografinë.
Ndërsa Gegë Marubi lidhet me fototekën, ku ruhet trashëgimia e tre brezave dhe një pasuri e jashtëzakonshme imazhesh që dokumentojnë jetën, njerëzit dhe historinë e Shqipërisë.
Muzeu “Marubi” nuk është thjesht një hapësirë ku ekspozohen fotografi. Përmes objekteve, ambienteve, dritës dhe historive që përcillen nga një brez te tjetri, vizitori mund të shohë se si fotografia është shndërruar në një dëshmi të çmuar të kujtesës shqiptare.
ObserverKult



Lexo edhe:
Kori Siparantum përfundon garën e parë në Malaysian Choral Festival 2026






