Dino Buzzati: Do të doja që ti të vije tek unë një mbrëmje dimri

Do të doja që ti të vije tek unë një mbrëmje dimri dhe, të përqafuar së bashku pas xhamave të dritares, duke soditur vetminë e rrugëve të errëta e të ngrira, të kujtonim dimrat e përrallave, ku njerëzia jetojnë tok pa e ditur. Unë dhe ti kaluam nëpër të njëjtat shtigje të magjepsura, me hapa të ndrojtur; bashkë përshkuam pyjet plot ujq; dhe vetë zanat na sheshonin udhën nga myshqet e nderë mbi kulla, mes fluturimeve të korbave. Së bashku, pa e ditur, ndoshta pamë të dy, atje tej, jetën plot mistere që na priste. Aty regëtinë për ne, për herë të parë dëshira marroke e të ëmbla. “Të kujtohet”, – do t’i themi njëri-tjetrit duke u përqafuar butësisht në dhomën e ngrohtë dhe ti do të më buzëqeshësh besimplotë, ndërsa jashtë, tinguj të zymtë do të lëshojnë llamarinat e trandura nga era. Por ti – tani po më ndërmendet – nuk i di përrallat e vjetra të mbretërve pa emër, të katallanëve dhe kopshteve magjike. Kurrë nuk kalove, e mahnitur, nën pemët magjiplotë, që flasin me zë njeriu, as tek porta e kështjellës së braktisur nuk trokite kurrë, as natën nuk ece drejt dritës që ishte larg, larg, as gjumi nuk të zuri nën yjet e Lindjes, e përkundur nga piroga e shenjtë. Pas xhamave, në mbrëmjet e dimrit, ndoshta ne do të mbetemi përherë të heshtur, unë i përhumbur në përrallat e mia të harruara, ti në andralla të tjera të panjohura për mua. Unë do të të pyes: “Të kujtohet?”, por ty nuk do të të bjerë ndër mend asgjë.

Do të doja, me ty, të shëtisja, në një ditë pranvere, nën një qiell gri dhe ende ndonjë gjethe e vjetër e vitit të shkuar të hepohej erërash mëhallave të periferisë; dhe të ishte e diel. Në vende të tilla, lindin ngaherë mendime melankolike e të mëdha; dhe në orë të caktuara, endet poezia duke bashkuar zemrat e atyre që duhen. Mandej lindin shpresa që nuk dinë si të gjejnë udhën për t’u shprehur, të mbrojtura nga horizontet e pafundme pas shtëpive, nga trenat ikanakë, nga retë e veriut. Do të kapemi thjesht dorëpërdore e do të ecim me hap të lehtë duke pëshpëritur fjalë të marra, budallaqe dhe të dashura. Derisa të ndizen fenerët e rrugës dhe nga shtëpitë e ndyra të marrin udhë historitë ogurzeza të qytetit, aventurat, romanet ëndërrimtare. Dhe aherë ne do të heshtim, gjithnjë dorëpërdore, sepse shpirtrat tanë flasin pa fjalë. Por ti – tani po më kujtohet – kurrë nuk më pëshpërisje fjalë të marra, budallaqe e të dashura. Ndaj s’mund t’i duash ato të diela, për të cilat po të flas, as shpirti yt nuk di t’i flasë timit në heshtje, as nuk e kupton në çastin e volitshëm magjinë e qytetit, as shpresat që zbresin nga veriu. Ti parapëlqen dritat, turmën, burrat që të përkëdhelin me sy, rrugët ku thuhet se mund të haset fati. Ti je ndryshe nga unë dhe, po të vinte ajo ditë që të shëtisje pranë meje, do të ankoheshe nga lodhja; veç kjo dhe asgjë tjetër.

Do të doja edhe të shkoja me ty, në verë, në ndonjë luginë të vetmuar, duke qeshur vazhdimisht për gjërat më të thjeshta, për të kuturisur në të fshehtat e pyjeve, të udhëve të bardha, të shtëpive të braktisura. Të ndalojmë mbi urën e drunjtë e të vështrojmë ujrat që rrjedhin, të vemë veshin në shtyllat e telefonit për të dëgjuar atë histori pa fund, që vjen nga një cep i botës e kushedi ku shkon. Dhe të këpusim lulet e lëndinave dhe aty, të shtrirë mbi bar, nën heshtjen e diellit, të kundrojmë honet e qiellit, retë e vockla e të bardha që kalojnë mbi majat e maleve.

Ti do të thoshe “Sa bukur!” asgjë tjetër s’do të thoshe, sepse ne do të ishim të lumtur; me trupat tanë që do të kishin humbur barrën e viteve, shpirtrat do të na ishin freskuar, sikur sapo të kishin lindur.

Por tani – tani që më bie ndërmend – kam frikë se ti do të shihje rrotull pa kuptuar asgjë dhe, do të ndaloje e shqetësuar për të parë çorapet, do të më kërkoje një cigare tjetër, duke pritur me padurim kthimin. Dhe nuk do të thoshe “Sa bukur!”, por gjëra të tjera të varfra që mua nuk më duhen fare. Sepse, për fat të keq, kështu je gatuar ti. Dhe nuk do të ishim as edhe për asnjë çast të lumtur.

Do të doja edhe – lërmë të flas – do të doja që me ty, krah për krah, të përshkoja udhët e gjera të qytetit në një perëndim nëntori, kur qielli është si kristal i kulluar; kur fantazmat e jetës vrapojnë mbi kupolat dhe prekin rrëshqanthi njerëzit e ligj, në fund të gropës së udhëve, tashmë cit me paudhësi; kur kujtime të kohërave të lumtura dhe ndjesi të reja kalojnë sipër tokës duke lënë mbi të një lloj melodie. Me kryelartësinë e pafaj të fëmijëve do të shohim fytyrat e të tjerëve, mijra e mijra, që si lumenj na kalojnë pranë. Ne, pa e ditur, do të çlirojmë dritë gëzimi dhe të gjithë do të detyrohen të kthejnë sytë nga ne të na vështrojnë, jo për zili e keqdashje; por duke buzëqeshur paksa, me mirësi, për shkak të mbrëmjes që shëron dobësitë e njeriut.

Por ti – e kuptoj mirë – në vend që të shohësh qiellin e kristaltë dhe aeroplanët e rrahur nga të fundmet rreze dielli, do të duash të ndalosh e të shohësh xhamtinat, stolitë e arta, pasuritë, mëndafshrat, ato gjëra meskine. E nuk do t’i vësh re shajnitë, as parandjenjat që kalojnë, nuk do të ndjehesh as si unë, e grishur drejt një shorti fisnik. Nuk do ta dëgjoje as atë lloj muzike, as nuk do të kuptoje pse gjindja do të na shihte me sy të butë. Ti do të mendoje për të ardhmen tënde të varfër dhe më kot, sipër teje, statujat e arta mbi kolona do të ngrenë shpatat drejt rrezeve të fundit. Dhe unë do të isha vetëm. Është e kotë. Ndoshta të gjitha këto janë gjepura, dhe ti më e mirë se unë, duke mos pretenduar shumë nga jeta. Ndoshta ti ke të drejtë dhe do të ishte marrëzi të përpiqeshim. Por të paktën, këtë po, të paktën, do të të doja të të shihja sërish. Të bëhet ç’të bëhet, ne do të gjejmë një mënyrë për të ndenjur bashkë, e do të gjejmë harenë. S’ka rëndësi ditën apo natën, në verë a në vjeshtë, në një vend të panjohur, në një shtëpi të zhveshur, në një han të shkretë. Do të më mjaftojë të të kem pranë. Unë nuk do të rri këtu e të dëgjoj – të jap fjalën – gërvimat misterioze të çatisë, as retë nuk do t’i vështroj, as melodive apo erës nuk do t’ia vë veshin. Do të heq dorë nga këto gjëra, që megjithatë i dua. Do të kem durim, nëse nuk do të kuptosh çka të them, nëse do të flasësh për ndodhi të çuditshme për mua, nëse do të ankohesh për fustanet e për paratë. Nuk do të ketë nga ajo e ashtuquajtura poezi, shpresa të përbashkëta, trishtime – mikesha të dashurisë. Por unë do të të kem pranë. Dhe do t’ia dalim, do ta shohësh, të jemi mjaft të lumtur, me shumë thjeshtësi, veç burrë dhe grua, siç ndodh në çdo qoshe të botës.

Por ti – tani që e mendoj – je tepër larg, qindra e qindra kilometra vështirë për t’u kapërcyer, ti je brenda një jete që unë e shpërfill, dhe burra të tjerë të rrinë pranë, të cilëve, me gjasë, iu buzëqesh, si mua në kohët e shkuara. Dhe s’t’u desh shumë që të më harroje. Me gjasë, as emrin tim s’e mban mend më. Tashmë, unë jam jashtë teje, vagëlluar mes hijesh të panumërta. E megjithatë, nuk mendoj dot veçse për ty, dhe më pëlqen të t’i them këto gjëra.

Përktheu: Aida Baro

*Titulli i origjinalit: “Ftesa të pavlefshme”

ObserverKult


Lexo edhe:

DINO BUZZATI: FLI E QETË, E DASHUR…