Dino Buzzati: Regjistruesi

I kishte thënë (butësisht), i ishte përgjëruar, rri gojëmbyllur të lutem, regjistruesi po regjistron nga radioja, mos bëj zhurmë, ti e di që e kam përzemër, po regjistron “Mbretin Artur” të Purcell-it, i mrekullueshëm, i pastër. Por, ajo kudër e poshtër moskokëçarëse lart e poshtë me zhurmën e thatë të takave, vetëm për t’ia shkatërruar nervat, pastaj pastronte fytin, pastaj kollitej (me qëllim), pastaj qeshte me vete dhe ndizte shkrepësen në mënyrë që të bënte sa më shumë zhurmë dhe pastaj me hapat e padurueshëm lart e poshtë, arrogante, dhe ndërkohë Purcell-i, Mozart-i, Bach-u dhe Palestrina, të pastrit dhe hyjnorët këndonin kot, ajo i ka fajet që kjo botë shkon lëmsh, kështu nuk ishte e mundur të duroje.

Dhe tani, pas kaq kohësh, ai vë kasetën e vjetër të stërpërdorur, rikthehet maestro, i madhi, kthehet Purcell-i, Mozart-i, Bach-u dhe Palestrina. Ajo nuk është më, ka ikur, e ka lënë, ka preferuar ta lërë, ai nuk ka as më të voglën ide se çfarë bëhet me të. Dhe ja, Purcell-i, Mozart-i, Bach-u dhe Palestrina luajnë, luajnë tmerrshëm, të mallkuarit, të neveritshmit. Ajo tik-tak lart e poshtë, ato taka, ato të qeshura (veçanërisht e dyta), ajo e pastruar e fytit, kollitja. Kjo po, muzikë hyjnore. Ai dëgjon. Poshtë dritës së llambës, i ulur, dëgjon. I ngurosur mbi karrigen e vjetër dhe të shkatërruar, ai dëgjon. Pa lëvizur as më të voglën gjymtyrë, rri ulur duke dëgjuar: ato zhurma, ato vargje, atë kollitje, ata tinguj të adhurueshëm, hyjnorë. Që nuk janë më, nuk do të jenë kurrë më.

Në shqip: Orjela Stafasani