Disa fjalë për librin “Zoti i Kripës” të Arti Lushit

Shënime letrare

Nga Xhahid Bushati

Libri me vlera poetike “Zoti i Kripës” i poetit të talentuar Arti Lushi, botuar nga Sh. B. “Buzuku”, fitoi Çmimin e parë në Panairin e 25-të të Librit në Prishtinë. Për dimensionin artistik dhe shtresëzimet vetëdijesore, libri lë shumë shenja mbarësie e të rëndësishme vlerësimi, e, njëkohësisht ndikon progresivisht në panoramën poetike bashkëkohore. Realisht, një fat të tillë pak libra të poetikës shqipe e kanë!

Poezia e Arti Lushit manifestohet me një varg të lirë, larg formulave e klisheve të zakonshme rimore apo strukturave tradicionale. Autori, si një përzgjedhësh me shije i një ritmi të përveçëm, e bën atë të lind natyrshëm nga semantika e tingulli i fjalës. Ka dhe mbart një liri grafike dhe instrumentale, ku çdo gjuhë lirike ndjen, shpesh, ndërtim gradual: ‘palcë për palcë’; frymë – shkronjë – shprehje, duke synuar më shumë “hapësinore” dhe ndjesore – si një rizbulim i fjalës së thjeshtë në një dimension emocional të thellë.

Së pari, kundrimet e mia mundohen të lidhen me këndvështrimet e poetit, e, të dy së bashku kërkojmë të gjejmë e zbulojmë tematikat e shprehura e të shpalosura dinjitetshëm përmes vargjeve, shpesh befasues.

Së dyti, kuvendojmë me shprehësinë: vetëdija sociale. Disa poezi sjellin reflektime për gjendjen sociale dhe kohën që jetojmë, ato sfidojnë letërsinë e balancuar e të “pafajshme” duke përmendur e mos-harruar “vemendjen ndaj realitetit” në kundërshtim me formën abstrakte të krijimtarisë bashkëkohore.

Së treti, kuvendojmë me thellësinë personale & metafizike. Në këtë aspekt, autori me finesë e elegancë ndërthur ndjeshmërinë e thellë me dridhjen e (edhe psikologjike) të përditshmërisë. Imazhet e trashëguara (trupi, banjo, fqinji… etj.) por edhe duke mos larguar horizontet metafizike, të gjithë së bashku diktojnë çlirimin e shpirtit nga ritina (e pse e mykur e ditës).

E katërta, kuvendojmë edhe për një raport mes mendimit poetik dhe paketës emocionale. Autori, në këtë mes përdor një gjuhë që kërkon të prekë ndjesitë bazë të lexuesit, si: trishtimin, mallin, dëshirën për çlirim shpirtëror. Përdor tinguj dhe përsëritje, si: – tre – trembem – trup, për të rrëmbyer lexuesin dhe për t’i krijuar atij brenda shpirtit një lëvizje ndjesore (njerëzore dhe humane).

Tani kundrimet e mia bëjnë një “ndalesë” për të cekur disa tipare kryesore të librit poetik “Zoti i Kripës.”
a) Dinamika e formës. Vargjet janë të gërshetuara, në mënyrë jo-mekanike, por në të shumtën e rasteve me elipse, përsëritje, lëshime dhe shtresa (-sëza) shpirtërore.
b) Përçimi i emocioneve. Ndjesitë janë të dukshme, të padukshme e të imëta: që nga frika deri te shpresa.; nga e keqja deri te drita…; dhe kështu, lexuesi ndjehet natyrshëm dhe organikisht pjesë e “dridhjes shpirtërore”, që autori zbulon përmes këndvështrimit të tij të matur poetik.
c) Harmonia fjalë – figurë. Fjalët janë të zgjedhura por me kursim (nuk kemi të bëjmë me firo), por me efekt maksimal si ‘avuj – ujë’. Edhe një shembull: kjo harmoni (që nuk është e lehtë për t’u krijuar) pasqyron dimensione të petaluara që mbartin aromën e idesë që fshihet pas tyre.

Analizë: DY POEZI

“Palcë dhe frymë”

Poezia ecën në binarë të sigurt, ndërsa fjala shfaqet si zgjatim i përzierjes: ashtu e thjeshtë, por e ndërtuar me kujdes e magji. Një imazh gradual e shoqëron dhe e prek si një frymëmarrje, si një kënaqësi estetike e etike. Pikërisht, këtu, krijohet hapësira e dëshiruar e poetit që lumturohet duke kërkuar të “shpërthejë koshiencën”, e cila rrjedhë përtej të zakonshmes, duke ndërthurur metaforën polivalente: dialog me qytetin dhe peisazhin sentimental.

“Metafizika e një gjelle”

Shohim përmes vargjeve një fluktuim mes përditshmërisë (mënyra si prindërit për gatishmëri) dhe çastit të reflektimit mbi brendësinë e përjetimit. Autori, në vetvete, përmes një novatorizmi pasqyron konfliktin midis realitetit duke habitur e përqendruar mendjen. Kjo poezi merr trajtë aforistike, ngjan me një fragment briri lirik që përfshin ndërgjegjen mes buzëqeshjes, vëmendjes dhe shqetësimit.
Dua të them ca fjalë për mesazhin poetik dhe përvojën poetike të lexuesit. Si qëndrojnë ato, në ç’raporte? Lufta midis të brendshmes dhe botës së jashtme, te kjo poezi funksionon si “kërcell i ndjenjave”, duke kapur tensionin që krijohet ndërmjet asaj çfarë ndiejmë dhe asaj që përjetojmë në realitetin e përditshëm. Pastaj ekspresioni emocional jepet përmes pranisë së përsëritjeve, ritmit, gjuhës që kërkon mos-refuzim, dhe është pranim e dritë. Kështu, poeti Arti Lushi e kurorëzon poezinë e tij si një zonjë që “na shpëton shpirtin”, një mjet për të mos humbur thelbin e ndjesisë.

“Zoti i Kripës” është një testament i poezisë bashkëkohore që guxon, reflekton, përshkallëzon emocione. Poeti ndërton një gjuhë intimiteti dhe universaliteti, duke treguar se përmes vargut mund të kapet thelbi i realitetit dhe i shpirtësisë. Ndaj, lexuesi e ndjen, mendon, dridhet, – dhe mbase mund të shërohet në mënyrë poetike.

Shkodër, fundgushti 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

“GORGA”, POEZI NGA ARTI LUSHI