Roza Anagnosti, Bujar Lako e Robert Ndrenika- si u planifikua largimi i këtyre artistëve nga institucionet

Pas Plenumit IV të Komitetit Qendror, strukturat e Partisë Komuniste, e vetë udhëheqësit, nisën të ‘spastrojnë’ nga radhët e kuadrove të institucioneve kulturore, çdo element që mund të kishte përbërje jo të mirë politike. ‘Operacioni’ nuk kurseu as emra që kishin një impakt publik të fortë. Këto fakte shpalosen përmes zbardhjes së dokumentit “Informacion i Sektorit të Arsimit dhe Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH”.

Në vëllimet e publikuara autorët Afrim Krasniqi, Beqir Meta e Hasan Bello përmbledhin dokumente të periudhës 1974-1976, një nga më kulminantet sa i përket nivelit të indoktrinimit kulturor në Shqipëri. Ngjarjet e vitit 1974, ishin hallkat e zinxhirit që pasuan qëndrimin e Enver Hoxhës, kundër liberalizimit në kulturë e arte. Ndër emrat e vendosur në “shënjestër” për t’u larguar nga strukturat artistike, rezulton të kenë qenë edhe aktorët e njohur Roza Anagnosti, Bujar Lako e Robert Ndrenika.

Dokumenti i zbardhur, i shkëputur nga libri:

Informacion i Sektorit të Arsimit dhe Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH lidhur me përbërjen “e keqe” politike të disa artistëve që punonin në institucionet kulturore artistike qendrore dhe propozim për largimin e tyre nga puna

Tiranë, më 3 prill 1976

INFORMACIONI

RRETH PËRBËRJES POLITIKE TË DISA KUADROVE QË PUNOJNË NË INSTITUCIONE ARTISTIKE QËNDRORE

Pas Plenumit të 4–t të KQ të partisë janë marrë një sërë masash për përmirësimin e përbërjes politike të kuadrit që punon në institucionet artistike qendrore, si në Kinostudio, Teatrin e Operës e të Baletit, Teatrin Popullor etj.

Në fillim të vitit të kaluar, gjatë diskutimit për luftën kundër burokratizmit, ky problem u shikua edhe më gjerë. Organizatat bazë ngritën disa çështje që duheshin shikuar.

Gjatë kësaj periudhe u evidentua edhe një herë tërë kuadri me përbërje të keqe politike.

Komiteti i Partisë i rrethit vendosi që, për përmirësimin e përbërjes, të ndjekë këto kritere:

Në radhë të parë, të hiqen ata që kanë përbërje politike më të keqe, janë më të kompromentuar dhe nuk mund të dalin në skenë. Gjithashtu, gradualisht, të hiqen ata që s’kanë përbërje të mirë dhe nga pikëpamja ideo-profesionale nuk kanë vlera të rëndësishme.

Disa artistë që kanë njolla në përbërjen politike, por që së shpejti mbushin moshën e pensionit, të largohen kur të dalin në pension. Ndërsa disa artistë që s’kanë probleme në biografi, të dalin në pension mbi bazën e punës bindëse me ta. Largimi i tërë këtyre do të pastrojë institucionet artistike dhe do t’i hapi vende elementit të ri e të përshtatshëm në trupat tona qendrore…

Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit 557 shikohej, jo vetëm ana biografike, por dhe puna e veprimtaria e tyre në ato institucione. Kriteret e vendosura ne na duken të drejta. Gjatë kësaj periudhe u larguan nga këto institucione disa nga këta njerëz. Në Teatrin e Operas e Baletit u larguan 6 veta: (Donika Miluka, Llazar Morcka, Lenika Zotria, Diana Keqja, Adivije Alibali, Jeta Nase). Në Teatri Popullor u hoq Ferial Alibali, Lazër Vlashi. Në Kinostudio, u hoqën 3 veta: Genc Ruzhdiu, Xhemal Broja dhe Zhak Vituli.

Por shihet se në këto institucione artistike kemi ende mjaft kuadro me përbërje të keqe. Kështu, si të tillë, në listat e hartuara vitin e kaluar organizatat bazë kanë evidencuar në Tetarin Popullor 14 veta. Në Teatrin e Estradës, një vit më parë kemi patur rreth 15 veta, por tani kemi vetëm 2, në Teatrin e Operas e Baletit 22. Nga Komiteti i Partisë janë duke u marrë masa edhe për largimin e disa të tjerëve.

Për t’i pastruar këto institucione duhen ndjekur disa rrugë. Ka që janë më të kompromentuar e pa talent dhe duhen hequr shpejt. Kështu për shembull, në Teatrin e Operës kemi disa që kanë babanë ose vëllanë të pushkatuar për qëndrim armiqësor gjatë luftës ose pas çlirimit. Si Haki Bejleri, Thoma Nova. Megjithëse këta kanë nga rreth 20 vjet në këtë institucion, mendojmë që duhen larguar menjëherë nga ky institucion qendror.

Disa aktorë të Teatrit Popullor, gjatë luftës, vetë nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë politik. Kështu Prokop Mima gjatë luftës ka qenë me rininë e ballit. Ndrek Shkjezi ka qenë në partinë fashiste (por gruaja e tij është anëtare partie. Kryetare e organizatës së gruas së rajonit). Me që këta janë në prag të pensionit dhe do të mbahen një deri në dy vjet, sa të dalin në pension. Një grup më i gjerë kuadrosh kanë ndonjë pjesëtar të familjes së tyre bashkëpunëtor me armikun apo me organizatat tradhtare.

Të tillë mund të përmendim Ermelinda Pemën (i ati i saj gjatë luftës ka qenë oficer, mbas çlirimit i burgosur, një vëlla dënuar për tentativë arratisje), Bujar Lako (babai i tij gjatë luftës ka qenë nënkomisar policie. Dhe komisar i çetës balliste të Safet Butkës), Roza Anagnosti (i jati para çlirimit ka qenë oficer dhe në vitin 1950 është dënuar për veprimtari armiqësore). Me njerëz të familjes të dënuar për qëndrim të keq politik. Janë dhe Vilhelm Konjari, Brigita Xhepa, Jorgji Kareco etj. Për këta është menduar që gradualisht të hiqen nga institucionet qendrore dhe të shkojnë në trupat artistike të rretheve ose në ndonjë klub të bashkimeve profesionale, shtëpi apo vatër kulture të Tiranës.

Disa të tjerë kanë pjesëtarë të familjes të arratisur, të dënuar për tentativë arratisje, ose të ikur jashtë shtetit gjatë luftës. Kështu Robert Ndrenika (ka vëllanë të arratisur në vitin 1961 dhe dajën armik). Sheri Mita (i jati ka ikur për studime jashtë shtetit gjatë luftës dhe s’është kthyer). Gëzim Kaceli (vëllanë të arratisur, xhaxhanë të pushkatuar). Ndërsa Manushaqe Çekani, Kristaq Rada kanë vëllezërit të dënuar për tentativë arratisje. Përbërje të tillë kanë dhe Zef Ndoca, Ilia Shyti, Miltiadh Papa. Edhe për këta mendohet të hiqen nga institucionet qendrore dhe të çohen në institucione të tjera, ndërmarrje e kooperativa bujqësore, ose në rrethe.

Një numër tjetër artistësh kanë të afërt të tyre të dënuar, ose të implikuar me veprimtari armiqësore. Përmendim si shembull Luiza Papa (Shënim: është gruaja e Gaqo Çakos) e cila ka patur të dënuar politik dy dajat e saj, Valter Bablusha (xhaxhai dhe daja me Ballin). Me përbërje të tillë ka dhe të tjerë si Sami Bakalli, Luigj Gurakuqi, dajën të pushkatuar etj.

Ne përmendëm vetëm aspektet negative, por në përbërje familjare këta kanë dhe të dhëna pozitive. Mendohet që këto duhet të lëvizin, por pak më vonë. Gradualisht dhe sipas rastit e duke patur parasysh dhe tërë përbërjen familjare e sjelljen e tyre.

Komiteti i Partisë i rrethit dhe i rajonit po merr masa për largimin gradual të këtyre kuadrove por mendojmë së është nevoja, pa e kthyer në një fushatë -të veprohet me një ritëm më të shpejtë, sidomos për Teatrin e Operës e Baletit.

Nga ana tjetër, për largimin e disave prej tyre ka vështirësi, sepse përbërja familjare është komplekse. Krahas anëtarëve të familjes, ose të afërmve me përbërje politike të keqe, kanë të tjerë me qëndrim shumë të mirë.

Organizatat ka dhe raste që nuk e shikojnë në kompleks problemin, duke përfshirë në këtë përbërje të keqe dhe njerëz që kanë

Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit 559 ndonjë kushëri të arratisur, ose xhaxhanë armik, kur dihet se prindërit i ka anëtarë partie.

Të gjitha rastet, do të veprohet duke patur parasysh punën e sjelljen e secilit gjatë gjithë kohës që punojnë në ato institucione. Mendohet që atyre t’u sigurohet punë në përshtatje me profilin. Një pjesë e madhe e tyre do të sistemohen në institucione artistike të rretheve.

SEKTORI I ARSIM–KULTURËS

Shënim mbi dokument nga Ramiz Alia:

Ky relacion është tepër eklektik. Edhe do të largohen. Edhe duhet parë në “kompleks” problemi. Edhe do të kihet parasysh sjellja e secilit. Po, ç’do të bëhet konkretisht? Kush ikën e përse? E kush nuk do të iki? Kush tani e kush më vonë?

Shënim mbi dokument nga Jakup Mato:

I njëjti informacion u pa nga sh. Ramiz. U dha porosi të bëhet një program si do veprohet për përmirësim të gjendjes: kush hiqet, kur, ku venë, cilët hiqen menjëherë, cilët gradualisht. Këto porosi ju thanë shokut Sotir Kamberi me datën 14. 4. 76./shqiptarja.com

ObserverKult

———————————————————-

Lexo edhe:

FESTIVALI MBARËKOMBËTAR NDERON KUJTIMIN E BUJAR LAKOS