Disku qiellor i Nebras ka kohë që ishte konsideruar se është paraqitja më e vjetër vizuale e kozmosit, mirëpo nëse konfirmohen gjetjet e arkeologëve Rupert Gebhard dhe Rüdiger Krause, atëherë rrëzohet një pohim i tillë.
Disku, i gjetur nga gjurmuesit e thesareve në vitin 1999 në një kodër të njohur si Mittelberg afër Nebras në Sachsen-Anhalt të Gjermanisë, ishte përfshirë në listën botërore të UNESCO-s më 2013. Artikulli i publikuar nga Gebhard dhe Kraus në revistën “Archaelogical Information” mund ta ndryshojë këtë listë.
Analiza e tyre e gjerë, apo vlerësimi mbi rezultatet që kanë ekzistuar më herët sa u përket hulumtimeve për diskun, të kombinuara me një studim të historisë së zbukurimeve, i kanë drejtuar hulumtuesit që të vijnë në këtë përfundim: nuk ka gjasa që disku qiellor, siç ishte menduar më herët, të datojë nga Periudha e Hershme e Epokës së Bronzit. Ata pohojnë se ai në fakt daton nga Epoka e Hekurit.
Sipas gjetjeve të tyre, duhet të jetë rreth 2 mijë e 600 vjet i vjetër, prandaj është një milenium më e ri sesa që ishte menduar.
Arkeologët po ashtu pohojnë se artefaktet e tjera të gjetura me diskun e Nebras, përfshirë dy shpata të bronzit, nuk i përkasin së njëjtës periudhë. Prandaj ata kanë dyshime edhe për lokacionin specifik të gjetjeve.
“Disku duhet të vlerësohet si një gjetje individuale”, ka thënë për DW-në Rüdiger Krause, i cili është profesor i historisë në Universitetin e Frankfurtit. “Nuk e mbështet historia që është gjetur në një vend me gjësende të tjera shoqëruese që shërbyen për të vendosur datën. Kjo nuk mund të pohohet bazuar në kriteret strike të shkencës”. Fillimisht për këtë hulumtim ishte përgjegjës Krause, si një ekspert për analizim të metaleve.
Të dy, Krause dhe Gebhard, drejtor në Koleksionin Shtetëror Arkeologjik të Münichut dhe profesor i historisë në Universitetin e Münichut, kanë bërë analiza mikroskopike, të gjetjeve të ndryshme të artefakteve tash e disa vjet. Objektet ishin vlerësuar përmes analizave të mëparshme që ishin bërë, mirëpo Krause dhe Gebhard kishin dyshimet e tyre, veçmas për shkak të izotopeve në diskun qiellor që nuk përputheshin me ato të pjesëve të tjera.
Edhe një fakt tjetër nxiti dyshimin e hulumtuesve: Ata kanë konsideruar se vrima në lokacionin ku gjoja është gjetur disku bashkë me objekte të tjera është “shumë e vogël”, ka thënë Krause.
Gjetja ishte e njohur pasi që në fillim ngriti shumë pikëpyetje: Dy gjahtarët e thesareve që i gjetën artefaktet në vitin 1999 ishin duke operuar ilegalisht. Gjetjet e tyre qarkulluan në tregun e zi për disa vjet, derisa u sekuestruan në vitin 2002 gjatë një shitjeje ilegale në Bazel të Zvicrës. Dyshja i kishte dërguar autoritetet në lokacionin ku i kishin gjetur objektet. Ato tani janë pjesë e koleksionit të Muzeut Shtetëror të Parahistorisë në Halle të Sachsen-Anhalt.