Diskutimi i Enver Hoxhës me artistët në ’78, ja çka ju tha

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një procesverbal  i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të zhvilluar më 25 maj të vitit 1978, me temë: “Mbi një gjendje dhe mbi disa probleme që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku asistonin edhe Ramiz Alia, sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte propagandën, artin e kulturën, Pilo Persiteri, kandidat i Byrosë Politike dhe Drejtor i Kombinatit të Autotraktorëve, “Enver Hoxha”, zv/ministri i Arsim-Kulturës, Anastas Kondo dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli. Procesverbali i plotë i asaj mbledhje të drejtuar nga Enver Hoxha, ku ishin të ftuar dhe merrnin pjesë edhe aktori dhe regjisori i famshëm i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Manit, aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.

“Teatri ynë ka një eksperiencë shumë të madhe në bashkëpunim me aktorë – dramaturgë. Gjithmonë kur kjo punë është bërë mirë, ka pasur një harmoni në mes të autorit dhe të regjisorit të teatrit, gjithmonë rezultatet kanë qenë positive. Nga ky bashkëpunim i ngrohtë, konkret dhe jo në përgjithësi, neve na kanë mbetur ose do të na mbeten shumë vepra dinjitoze në fondin e saj të artë të skenës sonë, duke filluar që nga veprat e para si “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Cuca e maleve”, etj. Përmenda disa nga këto vepra të cilat janë mjaft serioze. Ky bashkëpunim, sidomos kohët e fundit ka ardhur duke u bërë akoma më i fortë, më konkret. Në teatrin tonë ne kemi mjaft kuadro që nuk punojnë në teatër, po që merren me shkrime dhe janë shkrimtarë. Ata jo vetëm që na ndihmojnë me veprat e tyre, por ata vijnë edhe në teatër, njihej dhe me procesin e vënies në skenë, njihen me ligjet e skenës, gjë e cila është më se e domosdoshme për autorin. Të rinjve tanë ne u kemi besuar me guxim, u kemi ndenjur shumë afër i gjithë kolektivi, organizata, ne regjisorët e vjetër dhe me të vërtetë ka pasur rezultate. Për shembull, Dhimitër Pecani, jo vetëm që debutoi me sukses në skenën tonë, po ai shkoi edhe në Fier ku dha një shfaqje të bukur për teatrin e Fierit. Përveç kësaj janë një numër i madh regjisorësh të televizionit, si Albert Minga që ka dalë nga gjiri i televizionit, i Teatrit Popullor, po kështu dhe Vladimir Prifti dhe Agim Qirjaqi. Pra duhet t’u besojmë “shkopin e dirigjentit” të rregjisorit, djemve të rinj që të çajnë përpara dhe të dalin talente, se populli ynë është shumë i talentuar”.

Kështu u shpreh në mes të tjerash në diskutimin e tij regjisori i njohur i teatrit Pirro Mani, në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetin Qendror të PPSH-së e mbajtur më 25 maj të vitit 1978 e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Pilo Peristeri, Anastas Kondo e Dritëro Agolli. Në atë mbledhje me temë: “Mbi një gjendje dhe mbi disa probleme që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, përveç Pirro Manit, merrnin pjesë edhe aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.

Për më shumë se çfarë është folur dhe diskutuar në atë mbledhje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Anastas Kondo e Dritëro Agolli, si dhe nga të ftuarit: Pirro Mani, Violeta Manushi dhe Tano Banushi, na njeh dokumenti arkivor në fjalë me procesverbalin e asaj mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë në disa numra të rubrikës dossier.

Procesverbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, 25 maj 1978

 “MBI GJENDJEN DHE MBI DISA PROBLEME QE DALIN PËR RRITJEN E NIVELIT IDEOARTISTIK TË KRIJIMTARISË SË TEATRIT DHE ESTRADAVE PROFESIONISTE”

SHOKU ENVER HOXHA: Zhvillimi i artit skenik në vendin tonë është një nga veprat e pavdekshme të Partisë, po këtë zhvillim ne duhet ta çojmë më tej, akoma më përpara. Nga ana tjetër, unë i gjej të drejta edhe kritikat që formulohen në raportin që ka firmosur shoqja Ministre e Arsimit dhe e Kulturës, Tefta Cami, si dhe në materialin e shokut Dritëro Agolli.

Njohja reale e mungesave dhe e të metave në këtë fushë, si në çdo sektor tjetër, është një shenjë e mirë dhe mjaft inkurajuese që ndihmon drejt përmirësimin e gjendjes. Është e zorshme për mua t’i trajtoj këto të meta, të cilat janë në shkallë të ndryshme, qoftë edhe në formë të përgjithshme, siç kanë bërë shokët në raport. Përmirësime duhen, pse shokët autorë të këtyre zhanreve dhe artistët interpretues të skenës apo të kinematografisë sonë, mendojnë se kanë ku të mësojnë dhe pikërisht nga kolegët e tyre.

Ku mjaft çështje të dramaturgjisë sonë janë vënë shumë drejt, por edhe nga ana e skenografisë mund të mësojnë në mënyrë të kënaqshme njerëzit dhe ju i thatë këtu dhe keni vepruar, nuk keni pritur, prandaj them se keni bërë shumë mirë. Me fjalë të tjera, kemi pra edhe anë të mira, edhe të meta, por në këtë fushë pozitivja dominon, sipas mendimit tim, art ynë socialist rritet, krahas tij rriten edhe artistët tanë. Ka rritje talentesh, ka afirmim autorësh të dramaturgjisë, por duhet punuar që të zgjerohet akoma rrethi i tyre dhe duhet ndihmuar që ai të zgjerohet. Për këtë qëllim duhen krijuar mundësitë dhe sot ne kemi ku ta hedhim dorën.

Prandaj, unë nuk jam aspak pesimist për këtë zhvillim. Me sa shoh, në këtë mori vajzash, djemsh, pionierësh, amatorë flas dhe nuk e kam fjalën për artistët e shkrimtarët profesionist që janë kuadro të talentuar, ne mund të përgatisim filma më shumë, të japim shfaqje, të japim koncerte që janë dhe duhet të jenë edhe në të ardhmen të nivelit botëror. Unë përpiqem shumë që të ruaj masën e vërtetë, kur pohoj për diçka, por kur thuhet se Partia ka bërë një mrekulli në zhvillimin e arteve tona, në të gjitha moshat, në të gjitha zhanret, këtë e them me plotë bindje dhe nuk lëviz nga ky mendim që kam, edhe sikur me top të më qëllojnë, siç thotë Dritëro Agolli në romanin “Njeriu me top”, që është xhiruar në film, që edhe ky më ka pëlqyer shumë.

Tërë populli ynë rron i lumtur, punon dhe i madh e i vogël tek ne, në të njëjtën kohë këndon, kërcen, loz një vegël muzikore, loz teatër, loz estradë etj. Sigurisht që duhet të luftojmë edhe për kualitete, por edhe për kuantitet, se ky na lejon pastaj zgjedhjen e talenteve. Ne duhet të interesohemi në mënyra të veçantë për talentet e reja, këtë të mos e harrojmë. Partia dhe udhëheqja e saj e kanë theksuar dhe vazhdimisht e theksojnë këtë porosi, për çdo sektor, ku në të moshuarit e çdo profesioni t’i shtyjnë përpara të rinjtë, t’i ndihmojnë që të marrin stafetën. Shumë bukur e thatë edhe ju kur diskutuat mbi këtë çështje dhe shumë drejt keni vepruar, prandaj vazhdoni, prandaj vazhdoni të merrni të rinj.

Këtu nuk është çështje organike, se duhet një ose duhen dy apo tre njerëz. Ç’ështja është të luftohet kundër burokracisë, kundër shtimit pa vend të organikave, për të cilat Partia bën kujdes. Megjithatë, ka raste që bëjmë lëshime në këtë drejtim. Atëherë përse të mos bëjnë lëshime për disa regjisorë ose për disa të tjerë, kur janë të nevojshëm? Kursime mund të bëjmë dhe do të bëjnë gjetkë, ku kemi lëshuar dorën dhe na shkojnë të hollat kot, po jo atje ku duhet.

Edhe shkolla kemi hapur, prandaj t’i perfeksionojmë ato, t’i zgjerojmë. Shoku Dritëro Agolli, mori si shembull Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, për të cilin bëri disa llogari të përafërta. Në këtë qytet ne kemi tani një teatër, mirëpo atje po ndërtohet një qytet i tërë me disa dhjetra mijra veta, përveç atij që është. Atëherë mjafton atje teatri ekzistues me atë kolektiv që ka, mjafton ajo estradë me atë personel e të tjera problem me radhë? Prandaj si kudo edhe në këtë drejtim, duhet të ecim tok me kohën, me nevojat e reja që lindin.

Ja, edhe në ekonomi, përpara kishim disa depo misri, tashti qeveria ka marrë dhe po merr masa, ka dhënë edhe fonde për të ndërtuar depo të tjera. Kjo është një masë e domosdoshme e diktuar nga kushtet e reja, pse po ngrihen rendimentet e grurit dhe të misrit, kështu depot ekzistuese nuk mjaftojnë. Kjo nevojë lyp investime të reja. Po në sektorët që kanë të bëjnë me edukimin dhe argëtimin e punonjësve tanë?

Shtohen tek ne qendrat e punës, shtohet numri i njerëzve, por këta duan kulturë, kanë nevojë për shkolla, duan edhe teatër, edhe estradë, duan të dëfrejnë, të ç’lodhen e të edukohen nga këto teatro, nga këta “profesorë”, siç janë artistët, regjisorët, autorët e dramave, të komedive, skeçeve, libretave, të pjesëve muzikore etj. Prandaj duhet të ecim frontalisht dhe të mos i harrojmë disa drejtime që janë po aq të rëndësishme sa edhe të tjerat. Ne kemi vazhdimisht nevojë të spastrojmë mjegullën e se kaluarës nga koka e njerëzve tanë.

Teatri apo Estrada janë punë “karagjozash”, thoshin në të kaluarën. Por Partia nuk mendon ashtu, pse ç’ështja është krejt ndryshe. Prandaj t’u vëmë rëndësi, siç u kemi vënë rëndësi kurdoherë, por puna është t’u vëmë rëndësinë e duhur dhe të mos shkohet me mendimin se duhet të përgatisim në Shkollën e Lartë të Muzikës tri pianist, bie fjala, pse për aq kemi nevojë për të plotësuar vendet vakante në shkolla ose institucione artistike.

T’i shohim ç’ështjet më gjerë. Të tërë talentet të mëdhenj nuk do të bëhen, por arti është një nevojë, kolektive dhe personale, si është si një ushqim shumë i nevojshëm për jetën e njerëzve tanë, prandaj më gjerë duhet t’i shohim ç’ështjet lidhur edhe me zhvillimin e nevojat në rritje të vendit.

Partia nuk e ka parë gabim ç’ështjen kur thotë të përulemi, të pimë dhe të rritemi me gurrën popullore, të shtojmë amatorizmin, të shtojmë veglat muzikore, të ruajmë si sytë e ballit thesarin e kombit dhe ta zhvillojmë më tej. Shihni ç’është bërë! Spektatorët dhe populli jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende të tjera, si në Francë, në Greqi, në Turqi, në vendet nordike, i kanë brohoritur ansamblet tona. Kudo ku shkojnë këta, njerëzit në botë habiten, gëzohen dhe në të njëjtën kohë atyre u shtohet dashuria dhe respekti për kulturën tonë kombëtare socialiste, që nuk e njihnin deri më sot.

Motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë entuziazmohen, qajnë dhe mallëngjehen, kur dëgjojnë dhe shohin në skenat e tyre artistët tanë që rrojnë në atdheun e lirë socialist. Prandaj kam bindjen e plotë dhe të patundur se arti i vendit tonë socialist, do të shkëlqejë vazhdimisht, do ta ngrejë gjithnjë e më lart kulturën tonë socialiste, do të jetë një nga mjetet që atdheut tonë, përpjekjet e popullit shqiptar, mençurinë e tij, ndjenjat e tij të holla dhe dinjitetin e tij do t’i bëjë akoma më shumë të njohur në opinionin botëror.

Këto kisha për të thënë shokë, dhe ju lutem, i përshëndetni nga ana ime gjithë punonjësit e artit të vendit tonë, të cilët i falenderoj nga ana e Partisë për punën e madhe që bëjnë dhe për atë që do të bëjnë paskëtaj. Kam bindjen e plotë se si kurdoherë, ata do të jenë në ballë të luftës për ndërtimin e plotë të socializmit./Memorie.al

Lexo edhe: 

Diskutimi i panjohur i Pirro Manit gjatë mbledhjes së drejtuar nga Enver Hoxha: T’u besojmë “shkopin e dirigjentit” djemve të rinj…

ObserverKult