Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një procesverbal i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të zhvilluar më 25 maj të vitit 1978, me temë: “Mbi një gjëndjen dhe mbi disa probleme që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik, të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku asistonin edhe Ramiz Alia, sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte propagandën, artin e kulturën, Pilo Peristeri, kandidat i Byrosë Politike dhe Drejtor i Kombinatit të Autotraktorëve, “Enver Hoxha”, zv/ministri i Arsim-Kulturës, Anastas Kondo dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli. Procesverbali i plotë i asaj mbledhje të drejtuar nga Enver Hoxha, ku ishin të ftuar dhe merrnin pjesë edhe aktori dhe regjisori i famshëm i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Mani, aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.
“Teatri ynë ka një eksperiencë shumë të madhe në bashkëpunim me aktorë – dramaturgë. Gjithmonë kur kjo punë është bërë mirë, ka pasur një harmoni në mes të autorit dhe të regjisorit të teatrit, gjithmonë rezultatet kanë qenë positive. Nga ky bashkëpunim i ngrohtë, konkret dhe jo në përgjithësi, neve na kanë mbetur ose do të na mbeten shumë vepra dinjitoze në fondin e saj të artë të skenës sonë, duke filluar që nga veprat e para si “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Cuca e maleve”, etj. Përmenda disa nga këto vepra të cilat janë mjaft serioze. Ky bashkëpunim, sidomos kohët e fundit ka ardhur duke u bërë akoma më i fortë, më konkret. Në teatrin tonë ne kemi mjaft kuadro që nuk punojnë në teatër, po që merren me shkrime dhe janë shkrimtarë. Ata jo vetëm që na ndihmojnë me veprat e tyre, por ata vijnë edhe në teatër, njihej dhe me procesin e vënies në skenë, njihen me ligjet e skenës, gjë e cila është më se e domosdoshme për autorin. Të rinjve tanë ne u kemi besuar me guxim, u kemi ndenjur shumë afër i gjithë kolektivi, organizata, ne regjisorët e vjetër dhe me të vërtetë ka pasur rezultate. Për shembull, Dhimitër Pecani, jo vetëm që deputoi me sukses në skenën tonë, po ai shkoi edhe në Fier ku dha një shfaqje të bukur për teatrin e Fierit. Përveç kësaj janë një numër i madh regjisorësh të televizionit, si Albert Minga që ka dalë nga gjiri i televizionit, i Teatrit Popullor, po kështu dhe Vladimir Prifti dhe Agim Qirjaqi. Pra duhet t’u besojmë “shkopin e dirigjentit” të rregjizorit, djemve të rinj që të çajnë përpara dhe të dalin talente, se populli ynë është shumë i talentuar”
Kështu u shpreh në mes të tjerash në diskutimin e tij regjisori i njohur i teatrit, Pirro Mani, në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetin Qendror të PPSH-së e mbajtur më 25 maj të vitit 1978 e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Pilo Peristeri, Anastas Kondo e Dritëro Agolli. Në atë mbledhje me temë: “Mbi një gjendje dhe mbi disa probleme që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, përveç Pirro Manit, merrnin pjesë edhe aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.
Për më shumë se çfarë është folur dhe diskutuar në atë mbledhje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Anastas Kondo e Dritëro Agolli, si dhe nga të ftuarit: Pirro Mani, Violeta Manushi dhe Tano Banushi, na njeh dokumenti arkivor në fjalë me process-verbalin e asaj mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë në disa numra të rubrikës dossier.
Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, 25 maj 1978
“MBI GJENDJEN DHE MBI DISA PROBLEME QE DALIN PËR RRITJEN E NIVELIT IDEOARTISTIK TË KRIJIMTARISË SË TEATRIT DHE ESTRADAVE PROFESIONISTE”
SHOKU ENVER HOXHA: Hajde rrini, rrini. Mirë se erdhët. Si je moj shoqja Violeta?
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Faleminderit shoku Enver.. Mirë jam.
SHOKU ENVER HOXHA: Si do t’ja fillojmë shoku Ramiz?
SHOKU RAMIZ ALIA: Mbase fillojmë të na flasin pjesëmarrësit që janë ftuar në këtë mbledhje.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, këta flasin çdo ditë në televizion, në skenën e teatrove, të estradave, të kinematografisë, në libra.
SHOKU PILO PERISTERI: Ka një pyetje në adresë të shokëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për punën e estradave dhe të teatrove: Ndikon Lidhja në punën e tyre, a luan ajo ndonjë rol?
SHOKU ENVER HOXHA: Ç’mund të na thoni ndonjë gjë të mirë ju, shokë të artit dhe të kulturës, në diskutimet tuaja, mos na thoni vetëm të mirat. Ne e dimë që ka edhe të meta por duam që ju të na thoni diçka edhe për perspektivën. Pra si mendoni ju, ç;mund të bëni më mirë, më shumë e ç’ndihmë duhet akoma t’ju japim që puna të ecë edhe më mirë në këtë fushë.
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Po ngrihem të flasë unë, megjithëse kam edhe emocione shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: E ke një çikë dorën e rëndë, thoshte ai postieri në film.
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Edhe fjalën e kam të rëndë (të qeshura).
SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj jepi Violetë, fol ashtu siç flet edhe në skenën e teatrit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Lëri ato që ke përgatitur me shkrim, Violeta, më mirë fol kështu pa letër.
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Po, po, do të flas pa letër. Sukseset e krijimtarisë të teatrove dhe estradave, janë parashtruar edhe në raportin që është përgatitur në këtë mbledhje, prandaj nuk po flasim për to. Edhe ne jemi dakord me raportin i cili pasqyron punën që është bërë. Fillimi është shumë i mbarë deri sa kemi filluar të bashkëpunojmë me një mirëkuptim të madh me autorët, në mënyrë që puna jonë të bëhet një art kolektiv dhe jo individual. Kjo është një gjë e mirë, prandaj perspektiva është shumë e madhe. Vetëm dashuria e shkrimtarëve për artin dhe detyra duhet të jetë më e partishme dhe të vlerësohet ajo që thotë Partia, të shkruajnë për të tëra problemet, se repertori ynë akoma nuk po sjellë në skenë ato halle që ka jeta jonë, akoma kemi mbetur me temën e së kaluarës. Natyrisht ne këtë temë do ta kemi tërë jetën, por duhen edhe hallet e jetës së tanishme dhe këtë e tregon vetë ndjekja e shfaqjeve. Për shembull, pot ë shikojmë shfaqjen e fundit të teatrove dhe estradave, ku kemi mundur që të ngremë problemet e ditës, nuk po u bëjmë dot ballë kërkesave të spektatorëve dhe po përdorim të gjitha mënyrat dhe format si me autorizim nga qendrat e punës etj. Se ka shumë kërkesa për të parë shfaqjen. Kjo tregon se tema aktuale është jetësore dhe spektatori ynë sheh veten. Kështu që shkrimtari dhe ne jemi të pandarë e, pot ë shprehem në mënyrë figurative, ata janë mielli, ne jemi buka. Pa ata nuk bëjmë dot.
SHOKU ENVER HOXHA: Pa libër, nuk ka teatër.
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Shkrimtarët dhe artistët jemi të lidhur bashkë si mishi me thoin. Ndihma deri tani ka qenë e mirë. Shkrimtarët po punojnë me shumë dëshirë, por drama është një zhanër i vështirë dhe nuk merret menjëherë, megjithëse bashkëpunimi duhet të jetë si nga ana e tyre ashtu dhe nga ana jonë, se edhe ne shpesh herë, me gjykimin tonë të drejtë, kemi bërë dramën të shohë skenën. Mua më duket se në këtë drejtim ka një ndryshim shumë më të mëdha se në të kaluarën. Ne kuptohemi. Për dramën nuk punon vetëm regjisori, por për të preukupohet i gjithë kolektivi. Unë flas për eksperiencën e trupës së teatrit, ku unë bëj pjesë dhe mendoj se kështu është edhe në trupat e tjera, mbasi udhëzimet e Partisë janë kudo njësoj. Dramën nuk e shikon vetëm drejtoria dhe këshilli artistic, por e shikojnë që nga organizatat – bazë e Partisë dhe kolektivi, të gjithë japing mendim, të gjithë shqetësohen sa të vihet në skenë pjesa që është përgatitur.
Cili është shqetësimi tjetër që kemi ne? Mua më duket se akoma gruaja në dramat tona nuk përfaqëson realitetin shoqëror që ekziston, që gruaja është një forcë e madhe në ndërtimin e shoqërisë socialiste. Kjo nuk është as si ndërtuese, as me ato kompetencat e udhëheqjes, po është gjithmonë ashtu, jo tamam si duhet të jetë. Megjithëse ka një ndryshim shumë të madh, akoma figura e gruas në dramat tona del e zbehtë. Ky është një minus që duhet ta ndreqim se figurën e gruas e ka ngritur Partia, këtë e thotë vetë jeta jonë, e s’mund të shkojmë jashtë saj.
SHOKU ENVER HOXHA: Në rregull, të punohet më shumë nga shkrimtarët dhe artistët tanë që figura e gruas shqiptare të zërë atë vend që duhet në veprat e artit.
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Në lidhje me trashëgiminë që duhet t’ua lëmë brezave, po bëhet një punë shumë e madhe me kolektivin tonë. Në trupën e teatrit tonë vazhdojnë të punojnë disa breza, jemi ne që e kemi mbushur moshën, kemi brezin tjetër, kemi dhe të rinjtë, po midis nesh ekziston një mirëkuptim. Unë e them me përgjegjësi Partie, që mbas plenumit të 4-të të Komitetit Qendror të Partisë ka një thyerje të madhe të konceptit dhe të mendimit antiparti që ekziston për “luftën midis brezave”. Kolektivi ynë, flas gjithmonë për Teatrin Popullor, është një kolektiv me partishmëri. Edhe shokët që kanë ardhur dhe që e kanë kontrolluar punën tonë, mund ta vërtetojnë këtë. Ne kemi një kolektiv me gatishmëri të madhe, se një ndjenjë dashurie dhe respekti për punën e të vjetërve dhe dinë të sillen me të vjetrit. Kështu, dija dhe përvoja jonë çohet me një lehtësi dhe me një dashamirësi te të rinjtë. Do të na vinte shumë keq në qoftë se stafeta jonë nuk do të kalonte në duar të sigurta. Ne në kolektivin tonë e japim me shumë dashuri këtë stafetë dhe ata e marrin po ashtu, me dashuri dhe respect. Kemi një mirëkuptim shumë të madh. Unë them se ky mirëkuptim, kjo gjëndje e shëndoshë në kolektiv, ka sjellë dhe rezultatet e mira që teatri ynë gjithnjë ka dalë faqebardhë. Nuk them se ne nuk kemi gabuar ndonjëherë, po puna, përpjekjet, lufta jonë bëhem gjithnjë për të mirë.
Mendoj së pak flitet për punën që lidhet me trashëgiminë. Do të vijë një ditë që brezat duan të dinë se çfarë është bërë. E gjithë puna jonë, me gjithë ato mundësi e dijeni që kemi pasur, mbasi nuk kishim ardhur nga shkollat, duhet të lërë gjurmë. Ne, brezi i vjetër, jemi njerëz që e kishim me passion punën e aktorit dhe partia na mblodhi dhe na krijoi mundësinë për t’u bërë të tillë. Ne grumbulluam një përvojë, por në fakt arkivat tona të teatrit janë shumë të varfra. Ka pjesë që nuk janë përmendur fare, ka të tjera për të cilat shkruhet pak, por kur them pak, shumë pak. Nesër do të pyesin për njërin apo për tjetrin, për të cilët është shkruar çfarë kanë bërë? Mirpo këto dokumentohen shumë pak. Ka shfaqje për të cilat më vjen keq sepse kam dëshirë që ato të ekzistojnë. Brezat që vijnë do të mësojnë nga ne dhe nga anët e mira, edhe nga të metat e mungesat tona.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, të drejtë e shtron këtë problem, shoqja Violeta. Kudo kështu veprohet, siç thua ti. Ja, të marrim komeditë e Molierit, të cilat unë i njoh mirë. Ato, kur janë shfaqur për herë të parë në skenë, e deri në ditët e sotme, kanë historikun e tyre. Dihet se kush e ka luajtur këto, apo atë rol në komedinë “Tartufi”, për shëmbull. Ose kush e ka luajtur rolin e Harpagonit në komedinë “Kopraci”, etj. Që në ato kohëra tregohej kujdes, e jo më sot.
SHOKU RAMIZ ALIA: Teatri i Shkodrës i ka të gjitha.
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Tano Banushi ka edhe ftesat që viheshin në skenë në vitin 1948.
SHOKU RAMIZ ALIA: I kanë të gjitha, bile edhe pllakatet dhe ftesat.
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Edhe ne kemi, bile kemi edhe një shok shumë të apasionuar për t’I ruajtur këto, Gjon Karma, është në pension, megjithatë vjen dhe punon, por duhet të tregojmë kujdes në këtë drejtim edhe ne se çdo të bëjë vetëm Gjoni?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, vërejtja është e drejtë.
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Me thënë të drejtën, pak kujdes tregohet, bile na duket një luks kur aktori kërkon diçka për dramat që janë vënë në skenë shumë kohë përpara. Unë e shikoj edhe në veten time që me kalimin e kohës dhe unë nuk jam në gjëndje të rikujtoj makiazhin kur nuk kam fotografinë. Fotografia është ajo që më kujton. Tani ky është problem i vogël, por unë mendoj se duhet të tregohet më shumë kujdes.
SHOKU TANO BANUSHI: Këto material përbëjnë biografinë e teatrit, këto janë jeta e tij.
SHOKU ENVER HOXHA: Shumë drejt e ka shoqja Violeta. I mbajtët shënim ju shokë? T’i bëjnë mirë këto punë, sepse luajnë rol të rëndësishëm për sot dhe për të ardhmen.
SHOKU RAMZ ALIA: Ashtu është.
SHOKU TANO BANUSHI: Më kujtohet, që kur është bërë njëherë njëherë një seminar në Shkodër, ku kishte pjesmarrës nga të gjitha rrethet, është thënë se kujdesi për ruajtjen e materialeve të teatrit duhet të jetë nga të gjithë dhe me dëshirë se nuk do të marrim njeri të veçantë për atë punë. Seminari këtu ishte më tepër udhëzues se si duhen mbajtur këto material, mbas saj nuk e di se ç’u bë?
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Përveç preokupimit që kemi për të siguruar një repertor të shëndoshë me partishmëri dhe të larmishme positive, është pas Plenumit të 4-t të Komitetit Qendror të Partisë, fakti që ne mundohemi që problemet, të cilat i ngre repertori, t’i përforcojmë dhe të jemi më në gjëndje t’i nxjerrim si duhet në skenë, duke u bazuar në materialet e partisë dhe duke i shikuar në jetë sipas problemit. Po jap dy shembuj: Ne tani kemi për të vënë në skenë pjesën “Besa e madhe” që flet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe për këtë kërkuam ndihmën e historianëve. Edhe shtypi na ka ndihmuara shumë se gati çdo ditë ai jep material për ato personazhe që ne i kemi në dramë. Po shfrytëzojmë fotografitë, muzeumet e të gjitha. Kjo është bërë si detyrë, ka hyrë si një domosdoshmëri.
SHOKU ENVER HOXHA: Është bërë si një jetë e dytë./Memorie.al