Diskutohet “Qëndrueshmëria financiare e Festivalit të Teatrove”, Ministria premton përkrahje

Në ditën e dytë të mbajtjes së Festivalit të Teatrove në Ferizaj, këtë të martë është mbajtur një panel diskutimi me titullin “Qëndrueshmëria financiare e Festivalit të Teatrove”. Ky aktivitet ishte njëri nga aktivitetet e parashikuara të mbahen në kuadër të këtij festivali.

“Pjesë e panelit të moderuar nga Aurela Kadriu, ishin ministri Hajrulla Çeku, nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu, drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë komunë, Xhemile Murati Shabani, si dhe Besim Ugzmajli, drejtor artistik i teatrit “Adriana” dhe menaxher i projektit në Fondacionin Festivali i Teatrove – Ferizaj”, ka njoftuar Ministria e Kulturës përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Tutje, u njoftua se panelistët së bashku me pjesëmarrësit diskutuan për zgjidhjen afatgjate të qëndrueshmërisë financiare të festivalit nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të tri institucioneve, MKRS-së, Komunës dhe Teatrit.

“Ministria do të vazhdojë përkushtimin ndaj rritjes së qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale të teatrit, si dhe drejt zhvillimit të audiencave, ngritjes së kapaciteve profesionale dhe prezantimit ndërkombëtar të produktit vendor artistik”, thuhet tutje në njoftim.

ObserverKult

——————————-

Lexo edhe:

MINISTRIA E KULTURËS MBËSHTET FESTIVALIN E TEATROVE NË FERIZAJ

Festivali i Teatrove në Ferizaj, për edicionin e 50-të të tij, organizuar nga OJQ “SWOK Kosova” është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në thirrjen publike për përkrahjen e projekteve kulturore artistike të vitit 2020, në vlerë prej 8,000 euro.

Edicioni i 50-të i këtij festivali nuk është mbajtur deri më tani për shkak të rethanave të pandemisë COVID 19 dhe organizatori nuk ka arritur të përmbyllë obligimet kontraktuale ndaj MKRS si përfitues i projektit. Marrë parasysh që ky edicion nuk është mbajtur, buxheti i paraparë për mbajtjen e Festivalit të Teatrove në Ferizaj në vitin 2020 duhet të përdoret për mbajtjen e festivalit këtë vit dhe kjo u është kumtuar edhe organizatorëve të festivalit. 

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult