Dita Botërore e Fotografisë – pse festohet sot?

Nicéphore Niépce, 1826. Fotografia e parë në historinë e njerëzimit

Nga Fahredin Spahija

19 gushti i vitit 1839 është data që njeh shpikjen e procesit të Daguerrotipit, i ideuar nga artisti dhe fotografi francez, Louis-Jacques-Mandé Daguerre në vitin 1837, dhe data kur Akademia Franceze e Shkencave, njofton botën me këtë zbulim të ri shkencor i cili nuk do të mbetet vetëm i tillë, në 184 vitet në vijim.

——————-

Kush ishte Louis Daguerre dhe çka është Daguerreotipia?

Louis Daguerre ishte një fizikant, artist dhe një skenograf i famshëm teatri. Ai ishte mik dhe bashkëpunëtor i shpikësit të fotografisë së parë, Joseph Nicéphore Niépce me metodën e heliografisë që konsiderohet si paraardhëse e procesit të mëvonshëm fotografik. Pamja nga dritarja në Le Gras e regjistruar nga Niépce në vitin 1826, në një pllakë të lëmuar zinku të veshur me bitumen të ndjeshëm ndaj dritës, është imazhi më i hershëm i përhershëm i mbijetuar, deri sot.

Pas vdekjes së Niépces në vitin 1933, Daguerre zhvilloi një proces të tij unik fotografik. Ai, në vitin 1837 shpiku Daguerreotipini, i cili jepte një imazh pozitiv të regjistruar në një pllakë bakri të veshur me jodur argjendi.

Me 7 janar 1839, Louis Daguerre ia shiti procesin e tij inovativ Akademisë Franceze të Shkencave në këmbim të një pensioni vjetor prej 6.000 frangash (afërsisht 80.000 dollarë të sotëm), si dhe një pagë vjetore prej 4.000 frangash për trashëgimtarët e Niépces. Kurse Akademia Franceze këtë zbulim të ri që mund të quhej epokal, ia kumtoi botës më 19 gusht të po atij viti.

Por, ku ishin shqiptarët gjatë këtyre vlimeve që rezultuan me zbulimin e madh që, pak kohë më vonë, do të emërtohej nga astronomi anglez John Herschel, me emrin FOTOGRAFIA (nga greqishtja FOTO=drita dhe GRAFIA=shkrimi)?
Do të thoja, jo fort largë botës.
Në fakt, garibaldisti Pietro Marubi (1834-1903), një piktor dhe arkitekt i talentuar italian, i ikur nga atdheu i tij Italia për shkaqe politike dhe për ta shpëtuar kokën, kalon Adriatikun dhe zhvendoset në Shqipëri ku ndër tana qytetet zgjedh Shkodrën si strehim të përkohshëm. Aty, ai, në vitin 1856 në shtëpinë e huazuar nga familja Kodheli, jo fort largë Kafes së Madhe, pra vetëm 17 vjet pasi Franca kumtoi zbulimin e ri, themeloi studion e tij fotografike e cila njëkohësisht shënon edhe studion e parë fotografike në Ballkan duke i vendosë shqiptarët tek popujt e parë që përqafuan dhe kultivuan fotografinë, në botë. Përveç Pjetrit-themeltarit të studios, trashëgiminë fotografike mbi 130-vjeçare të Marubit e pasuruan më tutje, Kel Marubi dhe i biri i tij, Gegë Marubi me të cilin, në vitin 1984 mbyllet përfundimisht aktiviteti fotografik dhe cikli historik i Dritëshkronjës marubiane.

Natyrisht, me kaq nuk mbaron kontributi i shqiptarëve në historinë e fotografisë botërore!
Në vitin 1948 kjo skenë pasurohet me emrin e GjonMilit, shqiptarit me prejardhje nga Korça i cili nga Bukureshti i Rumanisë me ndihmën e dajës së tij Koço Çekanit, në vitin 1923, zhvendoset në Amerikë ku, me sukses të shkëlqyeshëm mbaron studimet në MIT (Massachusetts Institute of Technology). Pas studimeve, Gjon Mili ka një periudhë bashkëpunimi gati dhjetë vjeçare, me profesorin e ingjinierisë elektrike Harold Edgerton i cili ishte shpikësi i flashit elektronik dhe flashit stroboskopik, dy zbulime këto, të cilat gjeniu shqiptar do ti përdorë për të realizuar fotografitë e tij me teknika inovatore që në vitin 1939 tërhoqën vëmendjen e botuesit të magazinës së njohur LIFE me të cilën do të bashkëpunojë mbi 35 vjet, duke krijuar një karierë të bujshme fotografike e cila në vitet e ’50 të shekullit të kaluar e bënë të konsiderohet si njëri nga 10 fotografët më të mëdhenjë botëror!
Gjon Mili vdiq në vitin 1984 në Stamford, afër New Yorkut.

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: FAHREDIN SPAHIJA: FOTOGRAFIA ËSHTË DASHURIA IME MË E MADHE NË JETË!

INTERVISTË ME ARTISTIN E FOTOGRAFISË, FAHREDIN SPAHIJA (VIDEO)