“Dita e Anës”, filmi i një metafore të ankthshme

Filmi “ Dita e Anës”, në regji të Sabidin Aliut dhe me skenar të Haqif Mulliqit ka njohur tashmë premierën në Tetovë, në kushte të jashtëzakonshme pandemie. Premiera e filmit të shkurtër, pikërisht për shkak të rrethanave është prezantuar në një formë krejtësisht tjetër, mjaft kreative, si autokino. Një formë jo e panjohur, e aplikuar në vitet 70-ta të shekullit të kaluar në SHBA, Francë etj.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Filmi hapet në një ambient shtëpie, në një ambient të rehatshëm në kuzhinë, ndërkohë që shfaqen përkëdheli dashurish të një çifti që e jeton dashurinë e tyre. Imazhe të qeta dhe biseda të ngrohta prapa të cilave ndjehet një ankth, një tension lëvizjesh, të Jonit, personazhit që e bart gjithë dramacitetin e filmit.

 Gradualisht, kjo atmosferë e ngrohtë ia lëshon vendin dramës, ankthit, shqetësimit që vjen me pyetje dhe dilema ekzistenciale. Pas konsultimit me mjekun, Joni e kupton se e dashura e tij vuan nga kanceri dhe në këtë moment kthesa në film bëhet dramatike. Joni e ka shumë të vështirë që të pajtohet me këtë fakt, sepse sëmundja përfundimisht e godet dashurinë e tij, e godet pabesisht, duke e rrënuar gjithë idilën e dashurisë, gjithë atë raport dashurie që shpërfaqet kaq njerëzisht nga çifti.

Pikërisht, në këtë pikë të filmit, fillon dilema ekzistenciale sa vetë bota, e mëshiruar në pyetjen “pse mua?”. Në këtë pikë troket ankthshëm tragjikja me gjithë tmerret e mundshme. Subjekti fillon të mbyllet, të vuaj në heshtje, të çirret para pasqyrës dhe të klithë për fatin e tij, për fatin e dashurës së tij, që akoma nuk e di se po shkon drejt fundit. Dhe bota, duket e ftohtë, si një menaxher që kërkon punë pa e ditur se në çfarë gjendje shpirtërore gjendet Joni.

Dialogjet në film, marrin trajta të ngushëllimit, por edhe të një revolte ekzistenciale. Muzika në sfond, por edhe imazhet skenike tashmë e pasqyrojnë pikërisht këtë ankth ekzistencial. Mund të veçohet në këtë rast, dialogu në formë proverbiale mes Jonit dhe Lonit, mikut të tij, i cili përpiqet ta ngushëllojë me fjalët “ kjo botë është e askurrkujt”.

Dhe, kulmi vjen në ditën e dasmës, në ditën e Anës, në atë ditë që Joni ia dhuron si peshqeshin më të madh në këtë botë. Pas kësaj, Ana e shtrirë në shtrat, e ripohon dhimbshëm dashurinë për Jonin, ndërkohë që ndodhet përpara fundit. Por, kjo situatë që mund të kalonte në trivialitet, alternohet me një refren të brendshëm të Jonit “ Jo, Ana, fundi nuk ekziston”.

Ky është ngadhënjimi i dashurisë, ngadhënjimi i dashurisë mbi vdekjen, apo siç thuhet te kënga e këngëve “ E fortë si vdekja është dashuria”. Filmi mbyllet me një pamje të gjerë të qytetit natën. Në këtë imazh, në një stol të kësaj pamjeje, qëndron Joni, duke kërkuar aty afër atë, Anën, që tashmë është shndërruar në mungesë. Filmi mbyllet me një imazh vetmie, qetësisht si një natë e pamatë mbi qytet.