Dita e Europës – Gjuha e Europës

ndue ukaj:

“Gjuha e Europës është përkthimi” – ka thënë shkrimtari Umberto Eco në vitin 1993. Në esencë, kjo është gjuha e Europës, si shenjë kulture e qytetërimi, e të cilën, ne të trallisurit nëpër kriza identitare, nuk po arrijmë ta mësojmë, për shkak të batakçinjve që e duan dhe e njohin vetëm një gjuhë.

Nga Ndue Ukaj

Europa, para se gjithash është koncept kulturor ma shumë se sa gjeografik dhe politik, prandaj ta reduktosh atë vetëm në koncepte politike siç vlerësojnë kuturu në kontekstin tonë politik e medial, domethënë të mos e kuptosh fare.

Eco mëtej ka thënë se këmbimet kulturore kanë kontribuar më shumë se çdo gjë në ndërtimin e asaj çfarë sot është Europa. Në këtë kontekst, ky shkrimtar shkruan se Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për dallim nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion e kjo përmbajtje ndërlidhen me identitetin e saj kulturor.

Është thënë shpesh se në historinë e mendimit europian karakteristikë e përhershme ka qenë ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit dhe përsosmërisë.

Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së cilës, ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.

Por ne ende nuk e kemi kuptuar se pikënisja prej ku duhet të nisemi drejt afrimit politik me Unionin Europian duhet të jetë kultura, si tërësi e përgjithshme e organizmit të shtetit. Dialogu i brendshëm si domosdoshmëri për t’ i qartësuar mosmarrëveshjet tona dhe kuruar veset kombëtare.

Kultura e dialogut si mendësi dhe stil jete.
Solidariteti dhe konsensusi për atë që është e mira e përbashkët. Kujdesi për dinjitetin e njeriut.


Të kujtojmë se Robert Schuman, njëri nga themeluesit e BE- së, në librin “Në emër të Europës”, ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin më të lartë të kësaj fjale”.

Koha ka dëshmuar se nuk janë të mjaftueshme parullat, llomotitjet dhe retorika e ashtuquajtura proeuropiane për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet vetëdije dhe dashuri vepruese për Europën, duke e gjykuar dhe vlerësuar atë si atdhe të vlerave tona të përbashkëta, dhe, natyrisht, duke i forcuar raportet e përkatësisë së përbashkët.
Sot në Ditën e Europës, ne nuk duhet të bëhemi të marrë dhe ta sajojmë një Europë sipas dëshirave tona, një Europë që iu përshtatet ambicieve tona, standardeve tona, kërkesave tona.

Sepse, kjo Europë është ireale. Është groteske dhe mund të jetë e dobishme vetëm për ëndërrimtarë të sojit të Don Kishotit dhe Sanço Panços së tij që luftojnë me mullinjtë e erës, duke e pandehur vetën si të thirrur për të çliruar njerëzimin nga të ligat dhe padrejtësitë.

Europa është një fakt politik dhe kulturor, me kriza e përpljasje, por me një prirje politike që admirohet nga krejt planeti ynë. Me një ekonomi të fuqishme, të cilën e aspiron krejt bota.

Sepse në thelbin e saj, siç është thënë, është një prirje shpirti, ndaj, siç porosiste Vaclav Havel, të bëjmë atë qartësisht atdhe të vlerave tona të përbashkëta.
Në këtë ditë të Europës, në vend të gulçeve e gërvalljeve, më mirë të rikujtojmë At Zef Pllumin e mençur.


“Secili shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto pyetje 1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?”
2. “A jemi nda na prej Europës apo Europa na ndau ne?”
3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?”
4. “Ç’ka na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.”
5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?”
E “Ati ynë”, kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet vedit.”

Europën nuk duhet ta aspirojmë vetëm për viza dhe të mira ekonomike, por, për ta humanizuar dhe përparuar shoqërinë tonë të zhytur në mjerim.

ObserverKult

Lexo edhe:

NDUE UKAJ: FERRI ËSHTË NË TOKË

ndue ukaj europës

(Dialog nate me Danten Alighierin)

Në moshën e mesme – edhe në qoftë se mbetesh në ferr
ke një grusht nostalgji, ca kujtime të rrudhura
që i zvarrit si këmbët e tua të lodhura.
Por fëmijët e luftës kujtimet i kanë te lodrat,
faqet e mbetura të librave plot aventura.
Kur hapin dritaren, ata shohin tym,
tym dhe trishtim. Ky kapitulli i ri jetës shkruhet
nëpër gërmadha dhe ulërimë armësh.

Dante – ferri është në tokë sa herë s’ekziston liria
dhe pushteti i akullt i armëve shtrihet mbi fatet njerëzore.

Është mars, stinë e bukur.
Dimri është në gërhimat e fundit.
Por në Ukrainë s’ka qiell të hapur.

Shtëllungat e tymit kanë errësuar horizontet
dhe toka është mbështjellë me frikë.

Një fëmijë në spitalin e Kievit pret të arratiset në një vend të ri
që quhet Siguri. Ky vend sot në tokë s’ekziston, Dante.
Në tokë ka ethe e trishtim. Ka errësirë dhe damarët e urrejtjes duan të pëlcasin.

Është errë dhe terri shpirtëror është ma i mynxyrshëm se ai i ferrit.

Gjithçka është shkruar dhe thënë:
Lufta është e tmerrshme.

“Jo – ai s’mund ta bëjë këtë” -thotë ëma e vajzës së sëmur
dhe mbyll sytë që të shohë pak dritë,
por përpara ka gërmadha,
ku treten ëndrrat e të pafajshmëve.

Poezinë e plotë e gjeni KETU