Dita e Librit në Prishtinë u shënua me një dokumentar për Basri Çapriqin, poet simbol i letërsisë moderne shqipe

Dita Botërore e Librit dhe të Drejtave të Autorit e konceptuar si një festë kulturore që rithekson vlerën dhe rëndësinë e librave dhe leximit u shënua edhe në Prishtinë.

Organizuar nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, Ambasada e Malit të Zi në Kosovë dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, Dita Botërore e Librit mori karakter të veçantë përmes përkujtimit të poetit e studiuesit Basri Çapriqi.

Kështu në Kino Armata, u shfaq filmi dokumentar “Në teh të erës”, i autorit Haxhi Shabani që shpalosi dimensione të ndryshme profesionale e jetësore të Basri Çapriqit.

Profesori dhe miku i poetit, Ibrahim Berisha pasi foli për Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe simbolikën e saj, u ndal te kontributi profesional i Basri Çapriqit, në studimet letrare dhe në letërsi.

“Studioi simbolin dhe vet ishte simbol i librit, pasi gjithë jetën e tij ia kushtoi leximit, librit, studimit, shkrimit, mendimit kritik”, theksoi profesor Berisha duke treguar se gjashtë ditë para vdekjes, Çapriqi kishte treguar se e kishte në plan botimin e librit të fundit me poezi. Berisha vlerësoi botimin e kompletit të veprave të Basri Çapriqit nga PEN Qendra e Kosovës.

“Rrugëtimi letrar, poetik dhe studimor i Basri Çapriqit ka nisur në Prishtinë, ku ai është mishëruar thellë me simbolikën dhe misteret e letërsisë, duke u shndërruar në poetin simbol të letërsisë moderne shqipe. Me tregu historinë e Basri Çapriqit duhet kaluar nëpër një labirint intelekti dhe emocioni, ku çdo kthesë zbulon një dimension të ri të të kuptuarit dhe çdo poezi është një çelës për të zhbllokuar misteret e fshehura brenda dhe përtej fjalëve dhe simboleve. Pikërisht brenda këtij labirinti të ndërlikuar gjindet thelbi i trashëgimisë letrare e poetit të detit.”, tha mes tjerash ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi në fjalën e saj kujtoi rezistencë e autorëve të Kosovës, ndaj pushtuesve që prej Pjetër Bogdanit e deri te Ibrahim Rugova.

“Letërsia e Kosovës, i bëri ballë realizmit socialist, duke ndërtuar modernitet në ide, diskurs e figurë”, potencoi Halimi, duke theksuar tutje se jo rastësisht e kanë zgjedhur poetin Basri Çapriqi, për ta shënuar Ditën e Librit, pasi sipas saj, Çapriqi i solli frymë të fuqishme letërsisë shqipe me motive, figura, gjuhë eksplicite e ndikim dhe guxoi të shkruante atë që ndjente edhe kur fjala shqipe ndryhej e ndrydhej.

Me një fjalë rasti u paraqit edhe Haxhi Shabani, regjisori i dokumentarit “Në teh të erës”, kushtuar Basri Çapriqit. Ai tregoi për realizimin e këtij filmi si dhe shpalosi disa kujtime me Çapriqin.

Dokumentari “Në teh të erës”

Filmi dokumentar është realizuar sipas skenarit dhe me regji të gazetarit Haxhi Shaban. Nëpërmjet rrëfimeve dhe bisedave me bashkëpunëtorët e miqtë e tij më të ngushtë, shkrimtarë, studiues të letërsisë, pedagogë të Universitetit të Prishtinës, botues etj. trajtohet kontributi i Basri Çapriqit në shumë fusha të dijes. Dokumentari pasqyron figurën e plotë të Çapriqit si poet, studiues i letërsisë, profesor universitar, publicist, themelues dhe drejtues i shoqatave letrare, por edhe aspektin e tij njerëzor.

Filmi është prodhim i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.

Vargje nga krijimtaria e Basri Çapriqit recitoi në këtë dokumentar aktori Simon Shkreli.

Biografi e shkurtër e Basri Çapriqit

Prof. dr. Basri Çapriqi u lind më 15 janar 1960 në Krythë të Anës së Malit. Ka nisur të punojë si gazetar në Radiotelevizionin e ish-Titogradit në vitin 1985, kurse që nga viti 1986 ishte ligjërues në Degën e Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Është autor i disa vëllimeve me poezi dhe librave studimorë e monografikë. Është përfshirë në dhjetëra antologji të poezisë në gjuhë të huaja. Për krijimtarinë e tij poetike është shpërblyer me shumë çmime. Ai ishte aktiv edhe në jetën shoqërore, arsimore e kulturore. Vdiq në Prishtinë, më 14 janar 2018, në moshën 58-vjeçare.

ObserverKult


Lexo edhe:

BASRI ÇAPRIQI: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE ËSHTË SHEMBULLI MË EKSTREM KU HISTORIA GLLABËRON TËRËSISHT LETËRSINË