Dita e parë e Evis Kushit si ministre Arsimi , studiuesi nxjerr faktet: “Është bashkautore në një artikull shkencor të kopjuar”!

Në ditën e parë të detyrës si ministre e Arsimit, Evis Kushi, studiuesi Vladimir Kola e akuzon atë se ka qenë bashkautore në një artikull shkencor 70 për qind të kopjuar.

Ditën e djeshme kur bëri prezantimin e Kushit, vetë kryeministri Edi Rama u shpreh se ajo nuk ka plagjiaturë pasi e ka bërë doktoraturën në Angli.

“Kushi nuk ka plagjaturë, se e ka bërë doktoraturën në Angli. Pra është si me provë të thuash. Jemi në rregull nga kjo anë”, tha kryeministri Rama për ministren e re.

Por Kola i referohet një artikulli shkencor me titull “Political transition, Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, me autore Marsida Ashikun dhe Evis Kushin.

Ky artikull është paraqitur nga autoret në një konferencë shkencore me titull “Economic development, tax system and income distribution in the countries of Southern and Eastern Europe”, që është mbajtur në Fakultetin e Ekonomisë, në Podgoricë, Mal i Zi, më 20-22 maj 2010.

Ky artikull ka 70 për qind material të kopjuar nga artikulli shkencor origjinal me titull “Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third-wave Democracies”, i vitit 2007, me autor Eric Chang, që mund të gjendet i plotë në internet.

Teksa arsimi në Shqipëri ndodhet në një udhëkryq, pas largimit të Besa Shahinit në një moment kyç për nxënësit të cilët po përballen me rrezikun e virusit çdo ditë, skandale të tilla vetëm e dobësojnë sistemin arsimor në vend.

Çdo ditë e më shumë po vijnë raste infektimesh nga shkollat në mbarë vendin dhe sikur të mos mjaftonte virusi, tani duhet diskutuar edhe posti i Ministres së Arsimit që mori deputetja dhe ish-dekane e Fakultetit Ekonomik në Elbasan,  Evis Kushi.

Shkrimi i plotë i studiuesit Vladimir Kola:

MINISTRJA E RE E ARSIMIT EVIS KUSHI (CAKU), SI BASHKËAUTORE, ME ARTIKULL SHKENCOR 70% PLAGJIATURË (TË KOPJUAR)

Natyrisht nuk mund t’i mohohet znj. Evis Kushi (Caku) Doktoratura në Staffordshire University (Mbretëri e Bashkuar) dhe shkrimet e tjera shkencore, por nga kontrolli im në internet rezulton se 70% të artikullit shkencor me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, i vitit 2010, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, është kopjuar nga një tjetër artikull shkencor me titull “Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third-wave Democracies”, i vitit 2007, me autor Eric Chang.

Artikulli shkencor i kopjuar me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, është paraqitur nga autoret në një konferencë shkencore me titull <<6th International Conference of ASECU, “Economic development, tax system and income distribution in the countries of Southern and Eastern Europe”>> që është mbajtur në Fakultetin e Ekonomisë, në Podgoricë, Mal i Zi, më 20-22 maj 2010.

Nuk përjashtohet mundësia që artikulli “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, të jetë përdorur nga autoret (apo nga njëra autore), si një ndër shkrimet shkencore, për të marrë tituj akademikë si Profesor i Asocuar ose Profesor.

Artikulli shkencor i kopjuar me titull “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, i vitit 2010, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, gjendet i plotë në internet dhe mund të konsultohet lirisht, në këtë adresë (te dokumenti PDF shih faqet 21-36): http://www.asecu.gr/…/6th-international-conference-asecu-po…

Artikulli shkencor origjinal me titull “Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third-wave Democracies”, i vitit 2007, me autor Eric Chang, gjendet i plotë në internet dhe mund të konsultohet lirisht, në këtë adresë: https://afrobarometer.org/…/Working%20pap…/AfropaperNo79.pdf

Në artikullin “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, 2010, me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi, janë kopjuar nga artikulli origjinal teksti dhe referencat (burimet e tjera shkencore). Madje, është edhe interesante të vihet në dukje se disa vlera numerike në përqindje, që gjenden në artikullin origjinal (2007, faqja 13) për shtete të ndryshme të Azisë, në lidhje me perceptimin e pabarazisë, janë paraqitur të njëjta si vlera në artikullin e kopjuar (2010, faqja 34) për ca qytete të Shqipërisë. Pra, në artikullin e kopjuar, thjesht janë hequr shtetet e Azisë dhe në vend të tyre janë vendosur ca qytete të Shqipërisë, por vlerat numerike, në lidhje me perceptimin e pabarazisë, janë të njëjta në artikullin e vitit 2007 (shtete të Azisë) dhe 2010 (qytete të Shqipërisë). Edhe konkluzionet, në artikullin e vitit 2010 janë të njëjta me konkluzionet e artikullit të vitit 2007.

Te bibliografia e artikullit të kopjuar “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, 2010, është vendosur “Political corruption and income inequality in third waves democracy, Eric Chang” (shih faqen 35 te dokumenti PDF), por siç mund të vihet re titulli i artikulli origjinal është shënuar i pasaktë dhe pasaktësia duhet të jetë e qëllimshme, për të mos zbuluar burimin origjinal për lexuesin, duke pasur parasysh edhe faktin se titulli i saktë i artikullit origjinal dhe titulli i artikullit të kopjuar, janë pothuajse të njëjtë.

Gjithsesi, edhe sikur te bibliografia e artikullit “Political transition , Corruption and income inequality in new democracies. Special case Albania”, 2010, të ishte vendosur titulli i saktë i artikullit origjinal (shih faqen 35 te dokumenti PDF), “Eric Chang, 2007, Political Transition, Corruption, and Income Inequality in Third-wave Democracies”, do të mbetej fakti se nga artikulli origjinal i vitit 2007 me autor Eric Chang, është kopjuar 70% në artikullin e vitit 2010 me autore Marsida Ashiku dhe Evis Kushi.