“Dita e parë e lirisë” në Tiranë: Burgje, fusha përqendrimi dhe spastrime

Më 17 nëntor 1944, pasi 300 forca gjermane u larguan në drejtim të veriut të vendit, kryeqyteti ra plotësisht në duart e komunistëve. Gjatë atyre ditëve, në lagjet e Tiranës ishin vrarë plot kundërshtarët politikë të regjimit, të evidentuar nga komitetet qarkore komuniste me të ashtuquajturat listat e vdekjes.

Porositë e udhëheqësit komunist, E.Hoxha, i cili strukej këtë kohë në jug të vendit në pritje të largimit të ushtrisë së huaj, ishin fare të qarta: burgosje, internime e spastrime. Qëndrimet e tij shihen në telegramet me të cilat ai udhëzon drejtuesin e lartë ushtarak Dali Ndreu në Tiranë. Mesazhet ishin të qarta se çfarë e priste kryeqytetin.

Në shënimet e të huajve këtë kohë vlerësohej se popullsia e Tiranës në shumicë ishte e djathtë. Për këtë arsye, kur hyri “qeveria demokratike” në qytet, mungonte kurrfarë entuziazmi popullor. Pas këtyre masave, do niste ndryshimi social i kryeqytetit, duke larguar banorët e tij e duke marrë pronat në të cilat do hynin “çlirimtarët” që sollën robërinë.

Telegrami nr.96, datë 17.11.1944, i Enver Hoxhës për Dali Ndreun

Të organizohen burgjet dhe fushat e përqendrimit dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha me tradhti të lartë dhe bashkëpunim të hapët me okupatorin dhe gjithashtu kriminelët e dorës së parë. Të gjithë robërit të mblidhen në fushën e përqendrimit…

Telegrami nr.101, datë 17.11.1944, i Enver Hoxhës për Dali Ndreun

Deri më 28 nëntor (1944), i gjithë qyteti duhet të jetë i spastruar nga elementet e rrezikshëm, tradhtarët e të tjerë me kriterin që dhamë më lart. Të spastrohen rrugët nga shenjat e bombardimeve të luftës dhe qyteti të marrë një formë të lirë e të përshtatshme me festën e 28 nëntorit.

Për këtë gjë, në bashkëpunim me këshillin e qytetit e të qarkut, të mobilizohet e gjithë rinia, organizatat e tjera antifashiste për këtë punë. Të organizohen mitingje, konferenca për luftën, mbi rëndësinë e çlirimit të qytetit, mbi qeverinë, mbi pushtetin, etj, të ngrihen spitale dhe të shtrihen partizanët e sëmurë./kujto.al

Lexo edhe: FUNDI TRAGJIK I KRISTO FLOQIT, QË U BURGOS NGA KOMUNISTËT DHE MË PAS VDIQ I BRAKTISUR E NË MJERIM