Dita kur iku Lasgush Poradeci…

Nga Albert Vataj

Më 12 nëntor të vitit 1987 është vdekja e Lasgush Poradecit, është ndalimi i kohës së një zemre dhe pene që gjeti prehje në shpirtin e poezisë që ai mëkoi dëshirueshëm.

Vdekja e Poradecit, është vdekja e poetit, fikja e një ylli, është ngjarje e galaktikës së shpirtit të botës.

Vdekja e poetit, nuk përngjason me asnjë tjetër vdekje. Ajo është vetanake sepse gjithçka përkundrull këtij ndalimi ka reshtur së frymuari. Ka ngrirë rrëkaja e strehëve, ka ndalur zogu këndimin, gjethet dhe degët, trishtueshëm kalërojnë kortezhit të stinës dhe thyerjes së një drite.

Gjithçka më pas rrugëton pa të, pa kreshtën jehuese të atij kumbimi shpirti që gjemoi hovshëm në atë kraharor që e shterroi mosha por jo zjarri. Hapat e hedhur drojshëm dhe pëshpërima e i një zemre që gatitej për trokun e fundit, i viheshin nga pas asaj hijeje që ndiqte trupin e tij të shndërruar në ajër.

Ai do të thyhej siç zgjedh një valë të thërmohet në gjurmën që la në rërën e grishur nga etja.

Ai do t’i mungonte valëve të liqenit, aq sa do ta pikëllojë zemrën flakatare të dëshirimit.
Ai do t’i kthente shpinën gjithçkasë që nuk donte të pranonte asnjë ndarje zemërthyese, siç ishte ajo e poetit.

Të gjithë zgjedhin të ikin, por ai kërkoi dhe la më shumë se aq, la një shtjellë të errët mungimi. Qyteti, njerëzit, liqeni, valët, qielli, retë, era, gjethet, çapitja e hapave, mbeten të nderura në kujtesën e kohës si qiej të zbrazur nga fluturimet.

Ai, poeti, Lasgush Poradeci, u këput bashkë me gjethen e fundit dhe iku me valën e liqenit, tej, atje kur asnjë ikje nuk mbërrin dot.

Poetika e një përshpirtjeje është zëri që ne i japim kujtesës që zbret nga lart dhe bëhet pjesë e përjetimeve tona, shndërrohet në çastin që malli i ikjes së lirikut të jetë kënga e zërave që ai ndezi në melodinë e vargjeve që endi me devotshmërinë e një patriarku.

ObserverKult

————

LEXO EDHE:

ME ZJARR JU FLAS… ME ZJARR, POEZI NGA LASGUSH PORADECI