Edhe këtë vit sikurse vitet e kaluara Bashkia e Përmetit ka kujtuar njeriun që vendosi themelet e letërsisë kombëtare, atdhetarin dhe dijetarin, Naim Frashëri.
Me rastin e 178-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” në bashkëpunim me Bashkinë e Përmetit zhvilluan së fundmi aktivitete të ndryshme në kujtim të veprave dhe krijimtarisë plot vlera që kanë lënë pas si pasuri.
Po ashtu përveç aktiviteteve u realizua edhe konferenca me pjesëmarrje nga të gjithë trevat shqiptare kushtuar Naim Frashërit dhe ideologut Sami Frashëri pasi viti 2024 përkon me 120-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Vizita në vendlindjen e vëllezërve Frashëri ishte aktiviteti i parë për të vijuar pastaj me mbrëmjen poetike nga “Klubi i Shkrimtarëve Naim Frashëri”, aktivitet i cili përmbylli “Ditën Naimiane”.
Vëllezërit Frashëri do të kujtohen gjithmonë si krenaria kombëtare dhe trinomi i historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare.
ObserverKult
Lexo edhe:
PESË POEZITË MË TË NJOHURA TË NAIM FRASHËRIT/ JU FTOJMË T’I RILEXONI!
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik të bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit:
Fjalët e Qiririt
Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s’e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t’u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M’është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k’ënda t’u bënj mirë,
Të mos mbeti n’errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Poezitë e tjera mund t’i lexoni KËTU:
ObserverKult