Ditari i 55 ditëve të përballjes me Covid-19/ Toçi: Dëshmi e përjetimeve të gjalla

Botuesi, Fatmir Toçi, ka rrëfyer në ‘Dita Jonë’, 55 ditët e përballjes së vështirë me Covid-19 të përmbledhur në një Ditar, si dëshmi e përjetimeve të gjalla dhe realiste. Ai thotë se ky ka qenë momenti më i vështirë i jetës së tij.

“Ideja për të përcjellë një mesazh që kur e kalon në situatë të vështirë nuk duhet të lozim me jetën, që njerëzit të jenë të përgjegjshëm. Ka qenë e pamundur të shkosh në spital dhe të shkruash libër. Kalimi i kësaj sëmundje ka qenë momenti më vështirë i jetës sime nga ana shëndetësore, fizike dhe psikologjike. Një sëmundje që godet anën emocionale, të bie dëshira për të reaguar dhe kjo është një nga arsyet që shumë pacientë nuk ia dalin. 4 antibiotikë në ditë për 55 ditë dhe një prej tyre ishte kundër panikut, kaq i rëndësishëm ishte fakti për përballimin e kësaj sëmundjeje”.

Toçi rrëfen se ishte një periudhë e gjatë dhe e dhimbshme dhe ajo që ka përjetuar dhe parë në spital i afrohej kalimit ta cakut në botën tjetër. Gjatë gjithë kohës ai nuk ka kontaktuar me asnjë nga familjarët e tij.

“Ajo që kam përjetuar në atë humbjen e vetëdijes i afrohej kalimi i cakut për në botën tjetër. Zhurma mediatike ndikon jopozitivisht për pacientin në spital. Unë për 55 ditë nuk kontaktova asnjë familjar timin, je gjithnjë në një gjendje emotive për të komunikuar. Duhet të ketë një mundësi komunikimi edhe pse përmban rrezikun brenda. Aty filloi të krijohet një personel i specializuar për komunikimin. Kjo ishte luftë botërore dhe në çdo moment mendoje se mund të ishe ti viktima. Kjo periudhë është e gjatë dhe e dhimbshme”.

Toçi thekson se po të kishte shkuar më herët në spital do ta kishte kaluar më lehtë koronavirusin, por në atë kohë ka qenë mosbesues ndaj spitaleve dhe ky është një tjetër mesazh që përcjell në libër, atë të mirënjohjes ndaj mjekëve dhe i falënderon të gjithë që i shpëtuan jetën.

“Në kushtet e kulmit të pandemisë kur këto gjëra ndodhin, e vërteta është kjo që në spital je në një sallë ku je i detyruar të shikosh skena të tilla dhe nuk je në kushtet e një njeriu të zakonshëm. Unë e kam vuajtur shpirtërisht faktin që shumë njerëz ishin mosbesues, unë isha vetë që nuk doja të shkoja në spital dhe kjo ishte fatale për mua, sepse nëse do t’i isha drejtuar spitalit do ta kisha kaluar më lehtë. Unë u detyrohem jetën mjekëve dhe Perlat Kapisyzit, por ata mjekë kanë shpëtuar shumë njerëz dhe duhet të jemi shumë mirënjohës”.

Ideja e këtij libri, shprehet Toçi, ka qenë për të përcjellë mesazhin se asgjë nuk ka vlerë kur nuk kemi shëndetin.

“Unë shpresoj që ky libër të ngelë një dëshmi se janë përjetim të gjalla dhe ata që e shkruajnë nisen nga emocionet. Është dëshmia e një njeriu që nuk ka zbukuruar asgjë, çdo gjë e shkruar është e përjetuar. Mbi këtë pandemi do të lindë letërsia, por ky është një ditar realist. Nuk ka vlerë jeta kur nuk je i shëndetshëm. Asgjë nuk ka vlerë kur nuk kemi shëndetin”./a2news.com

LEXO EDHE: Shënime për “Ditarin” e Fatmir Toçit mbi pandeminë