Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 20 tetor 1975 shkruan për një episod të pakëndshëm për një poezi të Ismail Kadaresë.
Në këtë poezi me titullin “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, Kadare sipas Hoxhës dhe Ramiz Alias, është tallur me vijën e partisë dhe ka shkruar se regjimit po i vjen vdekja.
PJESË NGA DITARI I ENVER HOXHËS
E Hënë 20 tetor 1975
Shoku Ramiz, më erdhi dy ditë më parë në këmbë në zyrë duke mbajtur disa letra në dorë. Më tha: “Kam një poezi të Ismail Kadaresë, të cilën ma dërguan shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Ismaili ia kish dërguar gazetës “Drita” për ta botuar, por nuk ia botuan pse kundër armiqve që goditëm dhe për të cilët ne s’kemi folur. Por është vjershë shumë e fortë, e mirë. Lexoje njëherë”.
Këto më tha Ramizi për vjershën e Ismail Kadaresë.
E mora vjershën dhe i them, “Ulu ta lexoj”
Titulli i poezisë ishte: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Me të mbaruar 4 strofat e para, që i ka përmbledhur në pjesën Nr.1 të vjershës, i them Ramizit: “Si është e mirë kjo vjershë?
Kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë! Kjo shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia, të kundërtën e analizës që bën Partia. Të realitetit të madh të rrethimit kapitalisto-revizionist dhe të rrezikut iminent nga një agresion i jashtëm kundër vendit tonë.
Ismail Kadare që në strofat e para pretendon se nuk ekziston asnjë rrezik nga jashtë, se nga jashtë kufijtë tonë nuk rrezikohen dhe “klasat e mëdha brenda dimërojnë”. Për Ismail Kadarenë, politika dhe analizat marksisteleniniste të Partisë janë false.
“Atëherë pse u mblodh Byroja Politike?” pyet Ismail Kadareja dhe vetë jep përgjigjen në pjesën Nr. 2 të vjershës.
E tërë kjo pjesë shpreh pa dorashka ide antirevolucionare, antimarksiste, antiparti, dhe flet hapur kundër rendit socialist në vendin tonë.
Sipas tij regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë por nga baza”.
Pra sipas tij, çatia, “Byroja Politike” është e “shëndoshë”, kurse në bazë “rritet tumori i zi”. E tëra kjo është teori revizioniste, denigruese, sabotuese, dhe antisocialiste.
Më poshtë, ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të superstrukturës. Dhe e quan një blof të madh që bëhet me qëllim për të mbuluar “kalbëzimin dhe burokracinë”.
Me keqardhje ky poet korbash thotë se “Topa, himne e valle ka kundër armiqve” por “kundër burokracisë s’ka konsuj”. Me fjalë të tjera s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan “konsuj” ose “prokonsuj” si në Republikën e Romës antike, që u rrënua.
Kështu do të rrënohet për Ismail Kadarenë edhe socializmi tek ne dhe këtë predikim e bën në vargjet e pjesës nr. 3.
Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj. etj.”
Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr” (vargjet e pjesës nr. 4)
Por “doli Enver Hoxha” etj. etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”.
Për Ismail Kadarenë nuk ekziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”.
Maskimi i punës armiqësore të Kadaresë nuk qëndron, për të edhe Enver Hoxha. Që “ai mburr me terma pompoze” është si populli, Partia dhe klasa i krimbur (pjesa e 6-të).
Po kush e shpëtoi situatën, sipas këtij farë poeti që mban teserën e Partisë ? “Vetëm kontrolli punëtor!?“. Për të nuk ekziston diktatura e proletariatit, nuk ekziston dhuna kundër armiqve. Ai, duke bërë fjalë për Enver Hoxhën thotë pikërisht: “Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte/ Nga pushteti me kamxhik dhe stap”.
Por jo vetëm Krishti kishte teorinë “po të goditi në një faqe, nderi tjetrën”. Por “filozofia e këtij poeti reaksionar është e falsifikuar dhe aspak ekzakte.
Është e qartë se Kadareja është kundër-revolucionar, është kundër diktaturës së proletariatit. Kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, ai është kundër socializmit në përgjithësi dhe në vendin tonë në veçanti.
Këtë vepër armiqësore ai e bazon në goditjen e tmerrshme që Partia u bëri armiqve të klasës, tradhtarëve Beqir Balluku me shokë dhe burokratizmit që po e lufton që në ditët e para të lindjes së saj. Dhe duke u bazuar në analizat marksiste-leniniste që u ka bërë këtyre ngjarjeve Partia, për të demaskuar të degjeneruarit.
Armiqtë e tradhtarët që pikërisht ishin “në çati” dhe jo në bazë, ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën socializmin. Që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste-leniniste të bazuar në luftën e klasave.
Si e gjykova kaq të lehtë dhe të mirë një vjershë të tillë armiqësore i them Ramizit?! Kjo vjershë është e poshtër, antiparti, reaksionare, dhe kanë bërë mirë që e ndaluan. Nuk të lejohet i thashë Ramizit, të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme. Dhe të mos shikosh brendinë. Filozofinë dhe të kapesh nga “figurat” dhe nga pseudo mburrjet që i bën Enver Hoxhës”.
Kjo i them Ramizit tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë. Ruhu nga këto prirje! Bëj analizë të thellë, pse e shikove këtë çështje kaq lehtë dhe erdhe tek unë i “entuziazmuar për këtë vjershë”? Po sikur të mos e këndoja unë dhe të mbështetesha në gjykimin tënd, çdo të ngjaste?
Vjershën mund edhe ta shtypja, pse në atë mënyrë, siç ma paraqite merrje “aprovimin tim”. Kjo s’duhet më të ngjasë, i them Ramizit, duhet dhe ke forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti.
I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë, e vëre përpara “mutrave” të tij dhe e bëje t’i lëpijë. Natyrisht, Ismail Kadarenë ne nuk duhet ta dënojmë me masa të forta. Por duhet ta kritikojmë fort, pse hiqet “i zoti” e “me vlerë të madhe ideore”.
Ai është nga ata elementë me talent prandaj e kemi mbrojtur. Unë vetë e kam mbrojtur, por me qëllim kurdoherë të korrigjojë shumë pikëpamje jo marksiste që spikatin mjaft herë në veprat e tij.
Ismail Kadareja ka shkruar disa vjersha dhe romane të mira. Por në to ai ka lënë mjaft herë të shfaqen gjoja “mendime origjinale” por jo shumë në vijë.
Ne kemi shembull që në disa romane të tij Lufta Nacional-Çlirimtare del e zbehtë, e shpëlarë. Roli i masave të popullit jo në vërtetësinë dhe në hovin e tij madhështor, por edhe në rolin e Partisë nuk e nxjerr si duhet.
Në shkrimet e tij duken të theksuara tablo makabre, të cilave u jep rëndësi i përsërit. U jep rëndësi vagabondëve dhe vagabondazhit që nuk janë tipike për shoqërinë tonë. Ai shkruan bukur, ka turnyra dhe imazhe të bukura, ka edhe idera. Por në mes këtyre ideve ai fut edhe figura dhe ide të hidhura që tregojnë një botëkuptim të tij të veçantë.
Kam përshtypjen se kur shkruan, Ismail Kadareja nuk e mendon më parë dhe kryesisht për edukimin e publikut tonë socialist. Por mendon që vepra e tij të shtypet dhe të pëlqehet edhe jashtë, në botën borgjeze.
Por që të shtypet e të pëlqehet duhet që kësaj “bote” t’i pëlqejnë disa gjëra. Që s’janë në shoqërinë tonë si lajtmotiv, por të thuhen sikur janë.
Ismail Kadaresë i është rritur mëndja që botuesit borgjezë i shtypin disa romane. Ai do të vazhdojë dhe përpiqet të mbajë skemën e asaj bote, për sa i përket Shqipërisë Socialiste.
Ai dëshiron të bëhet “shantri i saj”. Por jo, me të tilla gjykime siç duken në këtë vjershë, ne nuk duhet ta lejojmë. Jashtë duhet të çajmë edhe me romane të shkrimtarëve të tjerë.
Ne kemi folur në popull e në Parti për punën armiqësore të Beqir Ballukut e kompani, por jo në shtyp. Ismail Kadareja me një poezi do që të çajë ai i pari në këtë rrugë dhe çfarë të çarë sikur nuk dinte ta bënte Partia këtë gjë. Por, jam i bindur që Ismail Kadareja jo pa qëllim ka marrë të vërtetat. Që i ka thënë Partia hapur popullit në mbledhje të gjëra për të bërë një vjershë. Ku të përgjithësojë punën e disa armiqve (që bile nuk i cilëson kush janë, kurse populli i di e i njeh se Partia s’ia ka mbajtur të fshehta) me gjendjen e shëndoshë dhe të shkëlqyer të vendit dhe të njerëzve tanë.
Ne duhet t’i ndihmojmë shkrimtarët dhe poetët me një fjalë të gjithë njerëzit e kulturës por të mos harrojmë se në ta mund të lindin edhe gjëra të mira, edhe barëra të këqija. Nuk duhen lënë të trashen kërcellet e këtyre barërave të këqija. Duhet t’i shkulim pse atëherë shpërndajnë farën e keqe që mbyt grurin e shëndoshë.
Pikërisht këta elementë duhet t’i edukojmë me marksizëm-leninizmin. Me kritikë marksistë-leninistë. Sa të mos jetë vonë, ashtu siç thotë vetë Ismail Kadareja “në rast se nuk duan të pushkatohen në bulevardin e madh”.
Ismail Kadareja është larg një situate të tillë, por po të lihet pa u edukuar dhe paku korrigjuar mund të rrëshqasë në këtë rrugë.
Ismail Kadareja ka bërë gjëra të mira dhe duhet të vazhdojë në këtë brazdë. Kjo vjershë mund të jetë një “aksident”. Por të mbetet një aksident dhe për këtë duhet ndihmuar në rrugën e Partisë dhe jo në rrugët oportuniste dhe liberale.
T’i vëmë në dukje gjërat e mira të tij dhe ashtu kemi bërë. Por t’i vëmë në dukje edhe gjërat jo të mira që të edukohet e të ecë kurdoherë drejt./panorama.com.al
ObserverKult
Lexo edhe:
EDHE MOTRA E ANA FRANK SHKROI NJË DITAR
ObserverKult