“Ditari i jetës sime”/ Promovohet ditari i Dëshmorit të Kombit, Ilir Hoxhës


Në 26-vjetorin e vdekjes së gazetarit, intelektualit e dëshmorit Ilir Hoxha- përurohet ditari i letrarizuar ”Ditari i jetës sime”

Nga: Blerim Valla

Në shtator të vitit 1997 në Gjakovë u botua numri i parë i revistës së rinisë të Gjakovës me emrin “Bota jonë”, revistë kjo që u botua për dy vite dhe që ishte zëri më autentik i rinisë gjakovare për liri e çlirim të Kosovës por edhe një çerdhe e shkrimtarëve, intelektualëve e gazetarëve të rinj gjakovar të etshëm për dije, letërsi e gazetari të mirëfilltë! Poashtu atëbotë në Gjakovë funksiononte edhe Organizata e Rinisë Shkollore – Dega në Gjakovë (organizatë kjo që ka vepruar gjatë vitet 1997 – 1998) në mbarë Kosovën.

Shumë nga ata të rinj, që u mblodhën rreth kësaj reviste, kasta e organizatës rinore sot janë të shpërndarë gjithandej nëpër Evropë dhe ne botë dhe kanë bërë emër në fusha të ndryshme. Kurse disa prej tyre, kanë rënë betejave të luftës për liri. Njëri nga ta, që la bankat e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, la detyrën e gazetarit të kësaj revisteje dhe mori pushkën për t’i dal zot vendit, ishte edhe Ilir Hoxha, sot dëshmor i kombit, i cili po të ishte gjallë sot do të ishte vetëm 44-vjeçar! Në radhët e UÇK-së është inkuadruar në vitin 1998, dhe atëbotë është vlerësuar si ushtari më i ri në Rrafshin e Dukagjinit. Më 4 prill të vitit 1999, në moshën 18 – vjeçare, në fshatin Gërgoc, në një betejë me pushtuesit serbë bie heroikisht në altarin e lirisë.

Dhe mbas 26 vitesh të rënies së tij, në Gjakovë u përkujtua duke u përuruar ditari i tij i letrarizuar me titull ”Ditari i jetës sime” të cilin Ilir Hoxha e mbajti për tri vite (1996 – 1999), deri një ditë para se të vdiste heroikisht, më 4 prill 1999.

Falenderimet për organizimin e këtij përurimi shkojnë për familjen Hoxha, Komunën e Gjakovës, për Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, pastaj për ish-profesofin e të ndjerit Mr. Muhamet Rogova, si dhe për dy shokët e tij më të afërt e dy kolegët e penës por edhe dy bashkë veprimtarët e të ndjerit – Emanuel Bajra dhe Ilir Hajdari, për daljen në dritë të këtij libri dhe për nderimin që i bënë kujtimit të intelektualit e dëshmorit, Ilir Hoxha.

Të gjitha dorëshkrimet e dëshmorit Ilir Hoxha janë përmbledhur në një libër të letrarizuar me titull “Ditari i jetës sime”, promovimi i të cilit u bë me organizim të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”. I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili në fjalën e tij para të pranishmeve tha se “Krijimtaria jonë letrare e historike u pasurua sot me promovimin e librit “Ditari i Jetës time” të dëshmorit Ilir Hoxha, një ish-gazetar, më vonë edhe luftëtar i guximshëm nga Gjakova, i cili përkundër moshës se re, shquhej për dimension të lartë intelektual.”

Ndërkaq Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” , z.Ruzhdi Sefa, tha se Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ndihet e nderuar si botues i kësaj vepre që është një dëshmi e rëndësishme e kujtesës sonë historike ngase (krahas tjerave!) “Ilir Hoxha ishte një intelektual në embrion” sikurse e vlerëson më të drejtë shoku e bashkëveprimtari i tij Emanuel Bajra. Ky ditar, është një dëshmi e përhershme për ta ruajtur në kujtesë dhe për të mos harruar vitet 1998/1999 dhe të gjitha ato që ka përjetuar popullata shqiptare e Gjakovës, e fshatrave të Gjakovës dhe jo vetëm. Vite më parë, kur lufta përfshiu edhe këtë pjesë të Kosovës, ishte rinia ajo që u mobilizua në masë, e gatshme për të shprehur përkushtimin e saj për sakrificë. Kjo ndjenjë u rishfaq në luftën e fundit, nga rinia e guximshme e vijave të para të frontit, nga vajzat dhe djemtë e kësaj treve që iu falën lirisë dhe atdheut, dhe që sot janë mburrje për ne. I tillë ishte edhe Ilir Hoxha”.

Prof. dr. Migena Arllati në mungesë të redaktorit të dytë të librit, prof. dr. Besim Muhadrit, lexoi pjesë nga vlerësimi i Muhadrit, duke lexuar pos tjerash në këto mendime të redaktorit se : “Ditari i llir Hoxhěs, i ardhur në këtë formë, 26 vjet nga rënia e autorit, na vjen si një dëshmi e rëndësishme e kujtesës sonë historike. Ai nuk është vetëm ditar personal, por edhe një dëshmi ngjarjesh të ndodhura gjatë një periudhe trevjeçare, periudhës më dinamike të formësimit të luftës për liri të atdheut, pas përpjekjesh shekullore. Ilir Hoxha, me këtë ditar, na vjen si një kronist i shkëlqyer dhe si një talent që po zhvillohej. Prandaj, pa hamendjen as më të vogěl, mund të themi se ai do të bëhej një penë e fuqishme e letërsisë sonë. I shkruar nga dora e një shkollari-gjimnazist, që dha jetën për lirinë e vendit të tij. Ditari i dëshmorit llir Hoxha, është një dokument i rëndësishëm. Duke qenë i shkruar bukur, ai duhet të futet edhe si literaturë shkollore, ngase i plotëson të gjitha kushtet e një libri artistik të zhanrit dokumentar”.

Mr. Muhamet Rogova, redaktori tjetër i ditarit dëshmorin Ilir Hoxha i cili e pa talentin madh të Ilirit si shkrimtar e gazetar me talent e “Kujtoj si nxënës të tij të dalluar i cili gëzonte respekt nga bashkëmoshatarët dhe mësimdhënësit. Iliri ishte dhe lexues i pasionuar te cilat i krijuan një horizont te gjere njohurish e që i ndihmuan edhe te pasqyronte drejtë e ne forme konceptuale përjetimet e tij. Ky libër i tij është shumë më tepër se një koleksion kujtimesh; është një testament i një kohe, i një brezi, dhe i një ideali që i bashkoi shumë të rinjtë e Gjakovës në gazetën “ Bota e Jonë” e më pas edhe në luftë, shtoi mes tjerash profesori Rugova.

Në recensionin e shkrimtarit Pal Ndrecaj, njëri nga recensentët e këtij ditari, vlerësohet kështu: “Ilir Hoxha, e nis ditarin e tij, më datën 2 shtator 1996 dhe e përmbyll mě 1999. Që në fjalinë e parë, na bën të ditur përkushtimin e tij për ti shkruar gjërat ashtu siç kanë ndodhur njèmend, “pa munguar apo shtuar ndonjë gjë”, sie shprehet vetë ai. Ky ditar na flet për një djalosh të ri, tek i cili kishin filluar të lindin interesime që shkojnë shumë përtej atyre personale dhe te krijohen ide e pikëpamje për jetën e vdekjen, për artin, për politikën, për arsimin, pěr kulturën, për etikën për çështje të tjera shoqërore”.

Ndërsa Emanuel Bajra, kolegu dhe miku i ngushtë i Ilir Hoxhës, i ardhur enkas për këtë promovim nga Londra, tha se ”Iliri ishte më shumë se krijues, ishte djalë i ri me potencial për ta çuar përpara mesazhin e kohës. Iliri ishte vetëm 18 vjeç kur ra në fushën e betejës. Ai ishte i ri në vite, por i pjekur në mendim dhe trimëri. Qysh në moshën 15-vjeçare, ai filloi të shkruante ditarin e tij, duke shprehur ëndrrat dhe shqetësimet e tij për lirinë e Kosovës. Ai ishte më shumë se një luftëtar; ai ishte një poet i lirisë, një kronist i kohës së tij dhe mbi të gjitha, një bir i denjë i Kosovës. Një nga detajet që më preku më thellësisht ishte pasioni i pashuar i Ilirit për letërsinë. Ai e adhuronte Ismail Kadarenë, e kishte si idhull, dhe kishte lexuar pothuajse të gjitha veprat e tij. Në ditar, ai bën analiza të thella dhe koncize të librave të Kadaresë, duke zbuluar një sens kritik dhe analitik të jashtëzakonshëm për moshën e tij. Mund të them me bindje se Iliri ishte një intelektual në embrion. Iliri nuk ishte vetëm një shkrimtar i talentuar, por edhe një kronist i kohës. Ai regjistronte me saktësi çdo ngjarje të rëndësishme, nga hapja e shkollave shqipe nëpër shtëpi-shkolla deri te fillimi i rezistencës luftarake për lirinë e Kosovës. Në ditarin e tij shkruante me pasion për ditët e shkollës, për profesorët e tij, për debatet e zjarrta që zhvillonim në revistë.

Ato fjalë, të shkruara nga një djalosh i ri, tregojnë pjekurinë dhe vendosmërinë e Ilirit për të luftuar për lirinë e vendit të tij. Ai nuk ishte më vetëm një ëndërrimtar, por një luftëtar i vërtetë. Më kujtohen fjalët e tij: “Nuk mund të rrimë duarkryq, Emanuel. Duhet të bëjmë diçka, të luftojmë për lirinë!” Ato fjalë sot e atë ditë më rrijnë gjallë, tingëllueshëm nga zëri I butë por me plot hekur e fuqi për së brendshmi që kishte Iliri.

Ky ditar është një një testament i lirisë dhe i heroizmit, është një vepër letrare dhe një trashëgimi për brezat që vijnë. Nuk është vetëm një ditar historik, por edhe një vepër letrare e vërtetë, një perla e rrallë. Shkrimet e Ilirit janë të bukura, të sinqerta dhe të thella. Ai ka një stil të veçantë, që të prek në zemër dhe të bën të mendosh. Besoj fuqimisht se ky ditar duhet të futet si pjesë e kurrikulës shkollore, sepse i plotëson të gjitha kushtet e një libri artistik të zhanrit dokumentar. Do të doja që të gjithë të rinjtë të lexojnë ditarin e Ilirit, të mësojnë nga guximi dhe idealizmi i tij”.

Ndërsa recensenti i fundit i ditarit, miku i autorit të ndjerë, gazetari e poeti Ilir Hajdari, mes tjerash pyeti : “Pse është i rëndësishëm ky ditar i Ilir Hoxhës?

Pas Luftës së Dytë Botërore u botua një ditar që bëri jehonë në botë, ai i Ana Frakut, kurse në Kosovë ditari me titull “Kur Pranvera vonohet” i Fadil Hoxhës. Që të dy këta ditarë, siç dihet, u shkruan në kushte okupimi. Pas luftës së fundit të UÇK-së, janë botuar disa ditar me përmbajtje të kësaj lufte nga autorë që i kanë shpëtuar e mbijetuar luftës. Dendur është përmendur ditari i Ana Frankut shqiptare – Yllka Domit. Mirëpo ky ditar, bashkë me trupin e saj u zhdukën. Këtë fat nuk e kishte Ilir Hoxha, ndonëse e kishte fatin të ishte në një shkollë me të, në një gjeneratë me të, në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Që të dy ndanin kohën për ta mprehur tehun e talentit të të bërit letërsi. Që të dy shkruanin vargje, skica e artikuj publicistikë, që të dy i botuan shkrimet e tyre në revistat e kohës, që të dy ishin aktivë në veprimtaritë e tyre rinore-kombëtare. Që të dy mbajtën ditarë e u bënë luftëtarë e dëshmorë të UÇK-së në të njëjtin vit, në të njëjtën stinë – pranverë 1999. Dhe, në fund, trupat pajetë e që të dyve u zhdukën. Trupi i Ilir Hoxhës u gjet pas tre ditësh, kurse ai i Yllka Domit pas tre vitesh. Që të dy u rivarrosën vetëm një herë dhe atë në kodrat e vendlindjes së tyre: Yllka Domi në kodrën e Çabratit të Gjakovës, e Ilir Hoxha në kodrën e fshatit të Cërmjanit, në atë kodër ku më 1915, stërgjyshi i Yllka Domit, mësuesi Muharrem Domi e kishte hapur shkollën e parë shqipe në këto anë. Në këtë shkollë, 80 vite më vonë, do ta përfundonte shkollën fillore vet autori i këtij ditari, Ilir Hoxha. Që të dy, si Yllka Domi dhe si Ilir Hoxha e parandienin vdekjen e tyre. Yllka me poezinë e saj, kurse Ilir Hoxha me ditarin e tij. “Ditari i jetës sime” i Ilir Hoxhës është një prej veprave të para dokumentare të letërsisë sonë mbi luftën e UÇK-së. Ky ditar mund të quhet i rëndësishëm për arsye se atë e la të shkruar një dëshmitar e pjesëmarrësi i ngjarjeve ndër më dramatiket në historinë e popullit shqiptar, siç janë ato të gjysmës së dytë të viteve ’90-të. Janë të rrallë dëshmorët që kanë lënë në dorëshkrim një ditar të tillë. Në Gjakovë është i vetmi. Në Kosovë nuk e di që ka një të dytë. Prandaj, historia e letërsisë shqiptare s’ka asnjë kuptim që të shkruhet pa këtë ditar, ashtu siç nuk mund të shkruhet historia e popullit shqiptar pa emrin e Ilir Hoxhës. Iliri u vra në fushëbetejë. Ai kishte mundësi të zgjidhte që të bëhej shkrimtar, poet, publicist i mirë, por ai nuk donte të ishte një shkrimtar në atdheun e robëruar, ku populli i tij po lëngonte nga barbaria e egër sllave Mund të jetonte e të vazhdonte shkollën, të bëhej një shkrimtar i dalluar e me shkollë, por ai nuk e donte një shkollë, në të cilën mësimi zhvillohej në kushte okupimi. Ai nuk mund të jetonte në një atdhe, ku populli i tij jetonte pa liri. Prandaj zgjodhi braktisjen, që në raste të tilla s’mund të quhet ndryshe pos braktisje e lavdishme. Kemi të bëjmë me talentin që braktis shkrimtarin, d.m.th. vetveten. Nuk e zgjedhin të gjithë këtë fat, edhe pse jeta iu ofron një mundësi të tillë. Ditari i Ilir Hoxhës është më tepër se letërsi, është dokument historik. Janë të rrallë dëshmorët që dhanë jetën për atdheun, duke lënë mbrapa një pasuri të tillë dokumentare, siç është ky ditar që po promovohet sot”, përfundoi I.Hajdari.

Në fund për jetën veprën e Iliri Hoxhës si luftëtar foli edhe Avdyl Zeneli nga Shoqata e Veteranëve të luftës së UÇK – së në Gjakovë, si dhe shoku i tij i fëmijërisë Halil Kida. Kurse të pranishmit e shumtë, organizatorët e promovimit, folësit si dhe ata që mundësuan botimin e librit, i përshëndeti dhe i falenderoi në emër të familjes, Petrit Hoxha, i vëllau i autorit të ndjerë.

ObserverKult


Lexo edhe: