Ditari politik i Enver Hoxhës: Si t’i çminojmë dhe shpartallojmë akuzat e titistëve lidhur me ngjarjet në Kosovë

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përket datës 8 maj të vitit 1981, ku ndodhet ditari politik i udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, me shënime për ngjarjet e Kosovës të cilat kishin filluar që në ditët e para të pranverës së atij viti, fillimisht me protestat dhe demonstratat e rinisë studentore dhe më pas edhe të popullit të Kosovës, të cilët u ngritën për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë.

Ditari i plotë i Enver Hoxhës, nga porositë e dhëna Ramiz Alisë për t’i dërguar të gjitha faqet e gazetave të huaja nga e gjithë botë që kishin pasqyruar dhe komentuar ngjarjet e Kosovës, përgatitjen për një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” lidhur me ato ngjarje në periudhën mars-prill 1981, përgjigjen për politikanin dhe ish-diplomatin serb, Milosh Miniç, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të JugosIlavisë, i cili kishte bërë një provokacion të rrezikshëm në adresë të vendit tonë”, duke deklaruar se: “Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë së organeve të saj të informacionit dhe të diplomacisë, duke përfshirë ambasadën e saj në Beograd, zbuloi vetë angazhimin dhe ndërlikimin e saj të plotë në ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë”, etj.

“Deklarata e bërë nga ana e zotit Miniç përbën një problem për ne, prandaj duhet diskutuar qëndrimi që duhet mbajtur. Gjatë bisedës Ramizi më tha se kjo deklaratë e Miniçit dhe deklaratat e bëra nga udhëheqës të tjerë jugosllavë kërkojnë reagim nga ana jonë. Drejt e tha ai, por unë nuk jam i mendimit të bëjmë as protestë publike zyrtare nga ana e Qeverisë sonë, as ndonjë deklaratë nga ana e ATSH-së. Kjo e dyta mund të ishte një variant për të shprehur publikisht pikëpamjen tonë.

Megjithatë si mbrëmë, ashtu edhe sot, unë e kam menduar një çikë më thellë këtë çështje. Së pari, qëndrimi i mbajtur nga ana e udhëheqësve titistë të çdo niveli, nuk mund të mbetet pa një përgjigje nga ana jonë. Por, para se ta bëjmë këtë, përpara se të përgjigjemi, ne duhet të analizojmë përse veprojnë kështu udhëheqësit jugosllavë. Këtë veprim të tyre, që shoqërohet me gjithfarë akuzash kundër vendit tonë, unë e konsideroj një provokacion, të cilin ata e bëjnë që ne të biem në të dhe jo vetëm të largojmë ambasadorin tonë nga Jugosllavia, duke bërë këtë t’u japim atyre të drejtë për të gjitha ato që kanë deklaruar kundër nesh, por të shkojmë edhe më tej, të tërheqim ambasadën tonë nga Beogradi, sepse edhe Miniçi nuk tha ambasadori shqiptar, po ambasada shqiptare. Ky është një provokacion i madh, veç ata duan që pasojën që sjell ai, të mos e bëjnë vetë, por nxitin ta bëjmë ne. Kjo që bëjnë ata është e dënueshme. Bile ne e kemi dënuar, prandaj në këtë provokacion të tyre nuk biem”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në ditarin politik të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, që mban datën 8 maj të vitit 1981, ku ai ka mbajtur shënime lidhur me ngjarjet e Kosovës, të cilat kishin filluar që në ditët e para të marsit të atij viti, kur rinia studentore e Kosovës doli në protesta dhe demonstrata të cilave më pas i’u bashkua edhe populli i Kosovës, duke kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Për më shumë rreth kësaj dhe të gjithë qëndrimin që mbajti udhëhqja e Shqipërisë komuniste dhe personalisht Enver Hoxha ndaj udhëheqjes komuniste të Jugosllavisë, na njeh ky document arkivor që Memorie.al po e publikon të plotë duke filluar nga ky numër.

Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet në Kosovë në periudhën prill-maj të vitit 1981

E PREMTE 8 MAJ 1981

SI T’I ÇMINOJME E SI T’I SHPARTALLOJME AKUZAT ANTISHQIPTARE TE TITISTEVE LIDHUR ME NGJARJET NE KOSOVE

I thashë sot Ramizit të jepte porosi që të mos më dërgohen më përkthimet e kopyraiteve të gazetave të huaja. Këtë kërkesë e bëra, se më është e pamundur të filloj të lexoj unë ç’kanë shkruar, që nga prilli, të gjitha gazetat e botës për ngjarjet në Kosovë etj. Por materiale të tilla, mendoj, është e nevojshme të mbahen në gatishmëri, në arkivat tanë, për t’i përdorur kur të na duhen. Pastaj Ramizit i thashë që të punojmë për përgatitjen e shpejtë të një artikullit mbi ngjarjet e zhvilluara në Kosovë gjatë muajve mars-prill 1981. Ç’kërkova? Të më grumbullojnë e të më dërgojnë të gjitha materialet e mbledhjes së Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, të Komitetit Qendror të Lidhjes së Serbisë dhe të mbledhjes së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë që bënë mbrëmë.

Këtu nuk kam parasysh fjalimet e plota që janë mbajtur në këto mbledhje, por të më dërgohen vetëm ato pjesë ku ngrihen çështje që na atakojnë ne. Pra, nuk më duhen as ato çështje me të cilat revizionistët jugosllavë të të gjitha niveleve shpjegojnë demonstratat, fajet e udhëheqësve. kryesorë etj., se tani ato nuk na shërbejnë për gjë. Prandaj mendoj se kjo punë mund të bëhet shpejt. Në këto materiale duhet të na nxirret konkretisht që filani tha kështu, ai tjetri deklaroi kështu etj.

Kjo është ana teknike e punës që duhet kryer, anë teknike, por e nevojshme që të mund të kemi të qarta akuzat që bëjnë jugosllavët kundër nesh. Ne, sigurisht, do të presim edhe ç’do të japë Tanjugu, por në qoftë se nuk gabohem, se nuk e di serbishten, dëgjova diçka që ka thënë Milosh Miniçi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të JugosIlavisë dhe që përbën një provokacion të rrezikshëm në adresë të vendit tonë. Në diskutimin që bëri në mbledhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, përveç të tjerave, Milosh Miniçi foli edhe për rolin e Shqipërisë në ngjarjet e Kosovës. Ai pak a shumë tha kështu: “Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë së organeve të saj të informacionit dhe të diplomacisë, duke përfshirë ambasadën e saj në Beograd, zbuloi vetë angazhimin dhe ndërlikimin e saj të plotë në ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë”.

Nga këto pohime të zotit Miniç mund të dalim në disa konkluzione: Thëniet e tij janë pa baza, janë gënjeshtra, të sajuara dhe kanë për qëllim të arsyetojnë kauzën e tyre të humbur. Por, përveç kësaj, duket qartë se nervat e këtij ish-ambasadori janë dobësuar aq shumë, sa nuk e kontrollon dot më veten. Kjo mungesë gjakftohtësie, përveç të tjerave, tregon se zoti Miniç ka vënë nën vëzhgim të shërbimit të sigurimit jugosllav të gjitha organet e informacionit dhe të diplomacisë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, kudo që janë në botë, në mënyrë të veçantë ambasadën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Beograd.

Mendoj se këto pohime nuk janë të qeverisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pse atëherë çështja do të ishte serioze, por janë mendimet e një personi të ashtuquajtur politikan. Por ky ish-diplomat duhet të dijë se, kur një person. një grup personash ose një ambasadë e tërë e një vendi tjetër vepron në mënyrë subversive dhe në kundërshtim me rregullat e njohura në vendin ku është akredituar, qeveria e këtij vendi kërkon largimin e këtij apo të atyre personave ose mbylljen e krejt përfaqësisë. Një gjë e tillë ndaj ambasadës sonë as është kërkuar, as është bërë nga qeveria jugosllave, pse nuk ka pasur arsye.

Po kështu edhe nga Qeveria Shqiptare nuk është kërkuar dhe as që është bërë një gjë e tillë, qoftë edhe ndaj një funksionari të ambasadës jugosllave në Tiranë, pse nuk ka pasur arsye. Prandaj, të afirmosh gjëra të tilla, sikurse bëri Milosh Miniçi, do të thotë të provokosh, ose të paktën të kërkosh të dobësohen marrëdhëniet diplomatike dhe shtetërore në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ne i themi zotit Miniç se Qeveria Shqiptare i ka nervat e fortë dhe nuk do të bjerë në këtë provokacion, por do të vazhdojë si kurdoherë të zhvillojë dhe të ruajë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, marrëdhënie diplomatike, marrëdhënie tregtare dhe marrëdhënie kulturore me Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë mbi bazën e parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit dhe pa konfonduar asnjëherë çështjen se këto marrëdhënie i pengojnë kundërshtimet ideologjike që ekzistojnë në mes dy partive tona.

Këtë qëndrim Partia e Punës e Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e kanë afirmuar në çdo kohë dhe qartë. Ato e afirmojnë atë edhe tani dhe deklarojnë se do të luftojnë që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, marrëdhëniet tregtare dhe ato kulturore të ecin në këtë rrugë, në interesin e të dy vendeve dhe të popujve tanë. Deklarata e bërë nga ana e zotit Miniç përbën një problem për ne, prandaj duhet diskutuar qëndrimi që duhet mbajtur.

Gjatë bisedës Ramizi më tha se kjo deklaratë e Miniçit dhe deklaratat e bëra nga udhëheqës të tjerë jugosllavë kërkojnë reagim nga ana jonë. Drejt e tha ai, por unë nuk jam i mendimit të bëjmë as protestë publike zyrtare nga ana e Qeverisë sonë, as ndonjë deklaratë nga ana e ATSH-së. Kjo e dyta mund të ishte një variant për të shprehur publikisht pikëpamjen tonë. Megjithatë si mbrëmë, ashtu edhe sot, unë e kam menduar një çikë më thellë këtë çështje. Së pari, qëndrimi i mbajtur nga ana e udhëheqësve titistë të çdo niveli, nuk mund të mbetet pa një përgjigje nga ana jonë. Por, para se ta bëjmë këtë, përpara se të përgjigjemi, ne duhet të analizojmë përse veprojnë kështu udhëheqësit jugosllavë.

Këtë veprim të tyre, që shoqërohet me gjithfarë akuzash kundër vendit tonë, unë e konsideroj një provokacion, të cilin ata e bëjnë që ne të biem në të dhe jo vetëm të largojmë ambasadorin tonë nga Jugosllavia, duke bërë këtë t’u japim atyre të drejtë për të gjitha ato që kanë deklaruar kundër nesh, por të shkojmë edhe më tej, të tërheqim ambasadën tonë nga Beogradi, sepse edhe Miniçi nuk tha ambasadori shqiptar, po ambasada shqiptare. Ky është një provokacion i madh, veç ata duan që pasojën që sjell ai, të mos e bëjnë vetë, por nxitin ta bëjmë ne. Kjo që bëjnë ata është e dënueshme. Bile ne e kemi dënuar, prandaj në këtë provokacion të tyre nuk biem.

Pra, pas asaj që kjo çështje nuk duhet lënë pa përgjigje, është edhe e dyta që ne s’duhet të biem në provokacionin e tyre, përkundrazi, të punojmë që këtë ngjarje ta kthejmë kundër tyre. Sigurisht në planin ndërkombëtar titistët jugosllavë kanë dështuar, ata janë demaskuar keq, se kudo në botë flitet që asnjë nga akuzat e tyre kundër Shqipërisë nuk. qëndron. Qëllimi i tyre, gjithashtu, është që, sa të jetë e mundur, të presin të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ose të paktën t’i zvogëlojnë shumë këto marrëdhënie dhe atëherë do të përpiqen të gjejnë –“arsyet” dhe “argumentet” për të thënë që shqiptarët i prenë marrëdhëniet shtetërore, gjë që do të thotë se nuk ka më lidhje në mes dy vendeve. Kjo pastaj do shërbejë për të thënë se në qoftë se ata, domethënë ne shqiptarët, do të ndërhyjnë edhe në të ardhmen në çështjet tona të brendshme, domethënë të Jugosllavisë, kjo do të thotë se te ne (në Jugosllavi) kanë agjenturën e tyre, pra, se ndërhyjnë nëpërmjet kanaleve të tjera, prandaj janë në dijeni se çfarë bëhet në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Kjo është e papranueshme nga ana jonë. Tani si duhet bërë kjo punë, sepse këtë deklaratë e bëri një person si Milosh Miniçi, i cili nuk ka funksione qeveritare në Jugosllavi dhe marrëdhëniet në mes shteteve tona janë në kompetencat e Presidencës së Federatës së tyre dhe të qeverisë jugosllave. Në qoftë se Presidenca e Jugosllavisë dhe qeveria jugosllave, do të themi në artikull, pranon akuzën e një personi, cilido qoftë dhe me çfarëdo pozite që të jetë, atëherë edhe Qeveria Shqiptare dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë do të vendosin në bazë të akuzës dhe të kërkesave që bëhen.

Me fjalë të tjera, udhëheqësve jugosllavë u themi bëjeni po të doni, po akuzën tuaj ne e hedhim poshtë. Natyrisht, të gjitha ato që do të themi e që do të shkruajmë, do t’i formulojmë me terma diplomatikë, siç i kemi bërë edhe herë të tjera, që opinioni të na japë të drejtë. Pra: me arsye të plota ne e hedhim poshtë akuzën e Miniçit, se është shpifje dhe se asnjëherë ambasadat tona, në asnjë vend, nuk merren me veprimtari të tilla etj., etj. E këtillë mendoj unë të jetë përgjigjja jonë. Që të bëhet një protestë nga ana e Qeverisë, nuk është e kohës, sepse në këtë drejtim as nga qeveria jugosllave, as nga Presidenca e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nuk është bërë akoma gjë. As Llazar Kolishevski nuk ka thënë një gjë të tillë kur ka folur, po titistët e bëjnë me shejtanllëk këtë provokacion.

Pra, nga ana qeveritare – ne nuk mund të bëjmë protestë. Mendova një herë që ministri ynë i Punëve të Jashtme të thërriste ambasadorin jugosllav dhe t’i thoshte që ‘Milosh Miniçi, me këtë apo atë funksion, ka deklaruar një gjë të tillë. Ne duam të dimë: Eshtë ky edhe mendimi i qeverisë suaj apo jo’? Por edhe këtë’hap unë mendoj ta mënjanojmë, për arsye se ka mundësi dhe probabiliteti është që jugosllavët ta pranojnë këtë se me këtë marrim përsipër thënien që ambasada jonë në Beograd bën spiunazh. Atëherë ne duhet ta heqim ambasadën tonë nga Beogradi dhe të gjendemi në një situatë të pa dëshirueshme, pra të biem kështu në provokacionin e tyre, pavarësisht se ua lëmë atyre fajin. Mirëpo ne nuk kemi interes për një gjë të tillë. Atëherë ç’na mbetet të bëjmë? Mua më duket se në këto rrethana na mbetet të përgatitim një artikull.

Tani, c’përmbajtje duhet të ketë ky artikull? Ky artikull, kurdoherë me gjakftohtësi nga ana jonë, duhet të ketë përmbajtjen që thamë më lart dhe, pasi të mbarojnë të e gjitha këto, të sqarojmë edhe se si qëndron çështja e kërkesës së kosovarëve për “Republikë të Kosovës”. Ne do të theksojmë se me këtë artikull nuk kemi ndër mend të rikthehemi në ngjarjet e Kosovës, kush i shkaktoi ato, ku e kanë burimin dhe si duheshin zgjidhur.

Këto çështje i kemi trajtuar në dy artikujt tanë të mëparshëm të “Zërit të popullit”, të datave 8 dhe 23 prill të këtij viti, prandaj nuk e shohim të nevojshme të zgjatemi, por me këtë rast dëshirojmë të vëmë në dukje histerinë e paparë kurrë të të gjitha organeve dhe organizatave të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë jo vetëm kundër shqiptarëve të Kosovës, por veçanërisht kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë, kundër politikës së tyre ndaj Jugosllavisë dhe politikës së tyre ndërkombëtare në përgjithësi. Dhe të përcaktojmë këtu akuzat që na bëjnë. Cilat janë akuzat që bëhen nga ana e tyre në drejtim të Shqipërisë dhe që ne i kemi nxjerrë? Prej tyre, pa u zgjatur në hollësi, ne duhet të nxjerrim esencën, të polemizojmë me argumente të qarta, të kuptueshme dhe të bazuara. Në mes të gjitha të tjerave duhet të vëmë në dukje edhe diçka që tha njëri prej tyre, që nuk e kuptova se ç’ishte, po e përsëritën më pas edhe shumë të tjerë një ide, sipas së cilës Jugosllavia mbron Shqipërinë.

Ne duhet t’u përgjigjemi se deri në njëfarë shkalle është e drejtë kjo ide, pse interesat për mbrojtjen e republikave tona janë të përafërta në drejtimin që, në qoftë se Jugosllavia sulmohet nga superfuqitë agresive, cilado qoftë kjo, dhe në qoftë se ajo e kundërshton agresionin, Shqipëria, sikurse e ka deklaruar botërisht, do të jetë krah për krah me Jugosllavinë. Dhe këtu puqen interesat e mbrojtjes së njëra-tjetrës. Në qoftë se nga ana e tyre vihet çështja që Jugosllavia mbron Shqipërinë, ne të themi të kundërtën, se është Shqipëria ajo që mbron Jugosllavinë dhe ta shpjegojmë këtë.

Në rast se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë do të bënte një politikë të brendshme dhe të jashtme si ajo e Jugosllavisë, të vihet në dukje në artikull, kjo do të ishte një rrezik i madh për vetë Shqipërinë, për Jugosllavinë, për Ballkanin dhe për të gjithë Evropën. Pastaj i kuptojnë vetë ata të gjitha këto gjëra e bashkë me ta i kupton gjithë bota. Prandaj, të shtohet në artikull, Shqipëria për njerëzit politikanë të zgjuar bën një politikë shumë të drejtë, konsekuente e të palëkundshme, politikë që bëhet një faktor i tillë paqeje. Kjo politikë është në vazhdën e historisë shekullore të Shqipërisë për të gjithë ata që e duan dhe që e njohin historinë e vendit tonë, pa qenë nevoja të përmendet shprehimisht që Skënderbeu ka mbrojtur edhe Evropën. (Këtë të mos e themi ne, por idenë ta shprehim me mënyrën që thashë.)

Ne, të theksojmë në artikull, e kritikojmë dhe do të vazhdojmë ta kritikojmë politikën e brendshme dhe të jashtme të Jugosllavisë Federative, pse ajo është e mbarsur me rreziqe për atë vetë dhe për të gjitha vendet që u përmendën dhe ky qëndrim nuk mund të konsiderohet sikur Shqipëria kërkon të minojë Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Përkundrazi, e bën se kërkon ta mbrojë këtë Federatë, pse me këtë politikë të vetën Shqipëria mbron popullin shqiptar, mbron njëkohësisht popujt e Jugosllavisë, vendet e Ballkanit dhe Evropën. Ata që nuk e kuptojnë këtë politikë të drejtë, mund t’u vënë shqiptarëve çfarëdo epiteti denigrues, si “megalomanë” etj., etj., por realiteti kështu është. Në artikull të vëmë në dukje se Shqipëria socialiste nuk lëviz dhe nuk ka për të lëvizur kurrë nga rruga që ka vendosur të ndjekë.

Që të lëvizë ajo nga kjo rrugë, duhet të kalohet mbi trupat e shqiptarëve nga forcat e agresorëve, por edhe atëherë agresorët prapë do të humbasin. Çështjen e Miniçit ne duhet ta shpjegojmë siç thamë: Njëfarë Milosh Miniçi, pavarësisht se çfarë funksioni ka, ruan të drejtën e vet të flasë edhe përçart në Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, por Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk bie në provokacionin e tij, pse lidhjet e saj shtetërore dhe miqësore me popujt vëllezër të Jugosllavisë nuk i ka farkëtuar ai. Ato i kanë farkëtuar popujt e të dy vendeve tona, duke luftuar e duke derdhur gjak krah për krah njëri-tjetrit.

Me atë që bëri Milosh Miniçi kërkon që ne të presim marrëdhëniet diplomatike me Jugosllavinë për të na bërë fajtorë ne për ato që kanë ngjarë, por ne nuk shkelim në atë dhogë të kalbur. Në qoftë se qeveria jugosllave dhe Presidenca e republikës e kërkojnë një gjë të tillë, atëherë problemi vihet ndryshe. Ne e kemi thënë, dhe me këtë rast mendojmë se është me vend të përsëritet edhe një herë, se ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie diplomatike, marrëdhënie tregtare e marrëdhënie kulturore me Federatën, veçanërisht me Kosovën dhe këtë, veçanërisht me Kosovën, e themi hapur. Në këtë pjesë të artikullit mund të vëmë në dukje që marrëdhëniet tona kulturore si Federatës Jugosllave, ashtu edhe Krahinës Autonome të Kosovës, nuk ua ka imponuar Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ato janë vendosur me -marrëveshje të përbashkëta në mes palëve, prandaj është absurde të thuhet e kundërta.

Si profesorët tanë, ashtu edhe çdo manifestim yni kombëtar, nuk e ka prekur në asnjë rast politikën e brendshme të Jugosllavisë, nuk ka ndërhyrje nga ana jonë në punët e brendshme të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Njerëzit tanë që kanë shkuar dhe shkojnë atje në asnjë rast nuk kanë shprehur qëndrimet ideologjike të hapëta të Partisë së Punës të Shqipërisë që ajo i ka dhe do të vazhdojë t’i ketë kurdoherë kundër ideologjisë antimarksiste që udhëheq Jugosllavinë.

Përkundrazi, programet e këtyre manifestimeve janë zhvilluar normalisht. Shfaqjet kulturore janë bërë me akord të përbashkët dhe askush nuk ka në dorë ndonjë dokument që të vërtetojë të kundërtën e këtyre realiteteve. Mund të ketë edhe ndonjë gjë tjetër që ne mund ta gjykojmë të nevojshme t’u përgjigjemi revizionistëve jugosllavë me këtë artikull. Tani të vijmë tek ajo se si qëndron çështja e republikës së Kosovës. Në fjalimin e tij, të themi në artikull, zoti Miniç thotë: “Politika e Shqipërisë ka dalë hapur në mbrojtje të kërkesës për një republikë të parashtruar gjatë trazirave në krahinën e Kosovës dhe se, duke vepruar kështu, ajo ka kryer një akt brutal të ndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë”. Po edhe në këtë çështje zoti Miniç bën një shtrembërim flagrant dhe shumë të rrezikshëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Në artikujt e mëparshëm ne kemi thënë dhe përsëri po e themi që çështja e republikës së Kosovës është një çështje e popujve të Jugosllavisë dhe e vetë popullit të Kosovës dhe se ne asnjëherë nuk kemi dalë hapur në mbrojtje të kërkesave për një republikë të parashtruar gjatë trazirave që u vërtetuan në muajt mars-prill në Kosovë. Në artikullin tonë kemi theksuar se statusin e republikës së federuar të Kosovës nuk e kemi kërkuar ne, atë e ka kërkuar vetë populli i Kosovës. Ne vetëm kemi afirmuar se është një e drejtë e popullit shqiptar, që jeton në trojet e veta në Jugosllavi të kërkojë atë që ai mendon se është e drejta e tij brenda ligjeve të Federatës dhe kemi shtuar se për mendimin tonë kjo nuk përbën aspak një krim.

Për ta vërtetuar atë që është shkruar në gazetën “Zëri i popullit”, e zezë mbi të bardhë, këtë herë jemi të detyruar të përdorim dokumente zyrtare të udhëheqësve kryesorë të Jugosllavisë së Titos, si të Moshe Pijades e të tjerëve që në kohën e luftës e deri vonë. Këtu në parantezë të shënohen citatet dhe të bëhet komenti i tyre, duke filluar nga çështjet parimore të zgjidhjes së problemit të kombësive nga ana e Titos, citate të Titos nga mbledhjet e AVNOJ-t pastaj të përdoret citati i Moshe Pijades mbi republikën e Kosovës dhe të Metohisë.

Si rezultat i këtyre citateve që ne do të rreshtojmë, do të nxjerrim konkluzionet e mëposhtme, sipas të cilave populli i Kosovës, që ka marrë pjesë në luftën kundër gjermanëve me 50 mijë nga bijtë e vet dhe sipas fjalëve të Titos, që cituam më lart, ai ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë të drejtën e tij. Pra nuk mund të mohohet e të mos zbatohet një e drejtë e tillë, që udhëheqësit dhe forumet e larta të partisë dhe ato shtetërore jugosllave e kanë njohur në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare. Pse të akuzohet atëherë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe Partia e Punës e Shqipërisë që ndërhyjnë në punët e brendshme të Jugosllavisë, kur ato në fakt nuk kanë ndërhyrë, kur vetë Moshe Pijade, shoku më i ngushtë, bashkëluftëtari i Josip Broz Titos dhe anëtar i shquar i byrosë politike të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë ka dhënë mendimin e tij me citatin që përmendëm më lart?/Memorie.al

LEXO EDHE: Kur Enver Hoxha detyroi rreth 100 shqiptarë të ndahen me gratë e tyre ruse