Rrëfimi prekës i një gruaje të dhunuar nga bashkëshorti…

“Unë quhem Alice, jam 27 vjeçe dhe nesër martohem. Zemra po më dridhet nga lumturia. Ndjej flutura në stomak, në të gjithë botën e brendshme, në të gjithë brendësinë time. Bashkëshorti im quhet Luigi. Ai është dashuria e jetës sime. Dashuria që ndiej për të, është e pakufij.

Quhem Alice, jam 30 vjeçe dhe jam shtatzënë. Ndiej të përziera në mëngjes, sapo ngrihem nga shtrat dhe pasi hap sytë. Dhe në mbrëmje kam uri, uri për gjëra që nuk gjenden në frigorifer, ndaj Luigi duhet të dalë të blejë gjëra të ndryshme gjatë ditës, përpara se të kënaqë të voglin që jeton në barkun tim dhe që kërkon ushqim të veçantë. Luigi thotë se jam e bukur, nuk e besoj, kam shtuar dhjetë kilogramë, por gjithsesi e lejoj të më përkëdhelë me fjalët dhe duart e tij.

Quhem Alice, jam 31 vjeç, dhe prej disa muajsh mbaj në krahë Franceskon. Francesco është i mirë. Dëshiron të pijë shpesh qumësht, më sheh i habitur. Po aq e habitur jam edhe unë me veten time. Pyes veten: “A doli vërtet ky fëmijë nga unë?”. Jam e prekur nga gjithçka, kurse Luigi nuk duket dhe aq i emocionuar. Ai shpesh më ngre zërin: “Bëje atë të ndalojë së qari”. Dje më qëlloi me pëllëmbë në fytyrë. E fala menjëherë. Është i lodhur. Kjo atësi e gjeti të papërgatitur.

Quhem Alice, jam 32 vjeçe dhe sot, duke e pare veten në pasqyrë, vura re një mavijosje në krahun tim të djathtë, një në mollëza dhe një afër buzës. Vendosa menjëherë grimin dhe gjithçka u zhduk si me magji.

Emri im është Alice, jam 33 vjeç dhe sonte përfundova në urgjencë me tri brinjë të thyera. Luigi më goditi fort me bërryl. Por vazhdoj të mendoj që nuk është faji i tij. Nuk është faji i tij. Ai është aq i lodhur dhe unë jam aq e hutuar sa rashë në kuzhinë duke i çuar pjatën me ushqim në tryezë.


“Burri im u përpoq të më ndihmonte të ngrihesha, por ai ra mbi mua”. Kështu thashë në spital. “E sigurtë?” – më pyetën.  “Sigurisht,” u përgjigja me zë të ulët, me një dëshirë për t’ia plasur të qarit që u mundova ta fshihja me mjeshtëri.

Quhem Alice, jam 35 vjeçe dhe këtë mëngjes Luigi më futi një thikë në fyt. E ndjeva dhimbjen sapo tehu i thikës më hyri në mish. Për disa sekonda mbaja frymën dhe mendova: “A po më ndodh vërtet kjo gjë?”. Kam vdekur pas disa orësh. Nga ai moment nuk rrodhi më gjak.

Emri im është Alice, dhe tani jam re, shi, dhe tokë dhe det. Jam edhe fryma e nënës për të gjithë jetimët e kësaj bote”.

Anna Steri

bota.al

LEXO EDHE: TRUPI I GRAVE NUK ASHT TURPI I GRAVE…