Nga Blerim Valla
Jo vetëm ashtu siç ishte paraparë por përtej pritshmërive është përmbyllur java e parë e festivalit të kulturës shqiptare
“Ditët e Shqiptarit”, i cili sivjet nga data 25 korrik deri më 4 gusht, ka nisur edicionin e parë në Gjakovë. “Ditët e Shqiptarit” përndryshe organizohet nga Fondacioni për Gjakovën, në krye të të cilit është pedagogu dhe ish-gazetari i njohur nga Tirana, Ermal Hasimja me origjinë nga Gjakova. Synimi i këtij fondacioni është të gjallërojnë jetën e Gjakovës dhe të tërheqin turizmin nga gjithë trojet shqiptare, por edhe nga të huajt. Pasi Gjakova ka shumë për të ofruar në aspektin kulturor, historik, gastronomik e natyror, si qyteti që njihet kudo si qyteti më autentik shqiptar.
Ky festival i kulturës shqiptare, që po shënon edicionin e parë këtë vit në Gjakovë, është shndërruar shumë shpejt në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit, duke mbledhur artistë të shquar dhe të njohur shqiptar.
Në këtë festë të madhe të muzikës, artit, kulturës, poezisë, filmit dhe traditës, gjatë tri ditëve të javës së parë janë mbajtur shtatë koncerte muzikore të grupeve dhe këngëtarëve shqiptar, dy projektime filmash shqip, janë recituar poezi shqip, pastaj kanë marrë pjesë shumë mysafirë – personalitete të njohura shqiptare, dhe mbi të gjitha në qytetin e Gjakovës ka mbizotëruar një festë dhe një atmosferë shqiptare e paparë deri më tani.
Gjakova, qyteti i artit e kulturës, historisë, muzikës, historisë e turizmit, për tri ditë është shndërruar në skenë të hapur të artit e kulturës, në një qendër të kulturës shqiptare. Java e kaluar ka qenë një festë e madhe, një spektakël i vërtetë artistik, i mbushur me shumë aktivitete të larmishme për të gjitha gjeneratat, ku u festua shqip në tri skena të hapura: në Çarshi të Vjetër të Gjakovës, pastaj në parkun kulturor “Ali Podrimja” dhe në ambientet ekskluzive në “Çarshinë e Jupave “, pjesë e hotelit të njohur me po të njëjtin emër në Gjakovë.
Përndryshe festivali u hap më 25 korrik në parkun “Ali Podrimja” dhe mblodhi pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria e më tej, dhe solli një natë të mbushur me plotë aktivitete përmes poezisë, filmave dhe muzikës etj. Festivalin e nderoi me prezencën e tij kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili në fjalën e tij hyrëse i përgëzoi organizatorët për këtë iniciativë të veçantë. Ndërkaq, Kryetari i Bordit të Fondacionit për Gjakovën, Ermal Hasimja, shprehu entuziazmin dhe kënaqësinë e tij për jetësimin e kësaj nisme e nisur kohë më parë.
Nata e parë të hapjes së festivalit nisi me Ina Varakun e cila përmes një recitimi tejet artistik deklamoi para publikut poemën “Gjakova” nga shkrimtari i ndjerë Agim Deva. Më pas atmosfera në Parkun “Ali Podrimja” e mbushur me shumë qytetarë anembanë Kosovës që patën kënaqësinë të shikojnë transmetimin e dy filmave shqiptarë, “Në Mes” dhe “Pa Vend”, të realizuar nga regjisori i mirënjohur Samir Karahoda. Pas transmetimit të filmave, në skenën e parkut “Ali Podrimja” u ngjit grupi muzikor “Ethnically Plugged” të cilët interpretuan unplugged melodi të bukura shqipe, nga repertoari i tyre i njohur, duke ju dhënë atyre ngjyrime interesante në disa zhanre të ndryshme muzikore . Mbrëmja e parë e festivalit “Ditët e Shqiptarit” u kurorëzua me koncertin e këngëtarit Shpat Deda i cili solli një paraqitje në frymën dhe stilin e tij duke kënduar hitet e tij më të njohura bashkë me publikun.
Nata e dytë e festivalit, më 26 korrik , nisi me prezantimin interesant të pedagogu gjakovar nga Tirana, Ermal Hasimja, i cili trajtoi temën “Kujtime nga Gjakova e vitit 2030”, e që gjatë prezantimit, ai shpalosi idetë e tija se si Gjakova mund të përdorë traditat, bujarinë, bukuritë natyrore, ushqimet tradicionale, trashëgiminë kulturo – historike dhe çdo vlerë të saj për të ngritur turizmin, kulturën dhe çdo fushë tjetër duke shfaqur vlerat e saja të pasura dhe atraktive. Më pas skena e parkut “Ali Podrimja” u pushtua nga diva e muzikës qytetare Nezafete Shala, e cila me zërin e saj unik, përcjellur nga grupi “Melodia e vjetër” krijoi një atmosferë fantastike, tejet të ngrohtë për publikun e shumtë. Kurse ditën e dytë me shumë gjallëri atmosferën e ndezi grupi i njohur Offchestra, i cili në skenën e Çarshisë së Vjetër të Gjakovës, me paraqitjen e tyre krijuan në lidhje dhe një energji të veçantë me publikun.
Kurse nata e tretë, më 27 korrik, ishte një goditje artistike. Kështu instrumentisti dhe këngëtari fenomenal Art Lokaj, i cili përmes muzikës dhe ritmeve me hitet e tij, i përcjellor nga grupi “The new Menagment” i dha emocione dhe gjallëri publikut të mbledhur në parkun “Ali Podrimja”. Pas tyre në ambientet e ”Çarshia e Jupave” e veçant ishte performanca e grupit unik “Gocat frymore” të cilat dhuruan publikut emocione pa fund me interpretimin e tyre në instrumente frymore. Kurse kulmi artistik i natës së tretë, të javës së parë të festivalit , ishte paraqitja skenike dhe interpretimi fantastik i këngëve – hiteve të tyre nga grupi legjendar “Jericho” dhe lideri i tyre – këngëtari i njohur Petrit Çarkaxhiu. Të cilët kanë elektrizuar skenën dhe publikun por edhe e kanë kthyer Çarshinë e Vjetër të Gjakovës në një arenë të madhe të rok-ut shqiptar!
Gjithashtu, qytetarët e Gjakovës dhe më gjerë patën rastin pos pjesës artistike të shohin edhe personalitete të suksesshme shqiptare, të cilët sollën para publikut përvojën dhe njohuritë e tyre në qytetin e Gjakovës dhe në këtë festival unik. Një nga këta ishte pedagogu me prejardhje gjakovare nga Tirana, Ermal Hasimja. Pastaj në natën e dytë dhe të tretë të festivalit, pjesëmarrësit – publiku i shumtë patën mundësinë të dëgjojnë fjalët dhe mendimet e tyre për Gjakovën dhe për festivalin në fjalë, por edhe pjesë nga puna e tyre, nga dy mysafirët special të këtij edicioni të festivalit, gazetarët e njohur si Blendi Salaj dhe Marin Mema , të cilët organizatorët i nderuan me mirënjojhe për punën kontributin dhe e tyre në afirmimin e vlerave shqiptare në punën e tyre si gazetarë.
Kurse java e dytë e festivalit “Ditët e Shqiptarit” që do të nis sot, pra nga dita e enjte, me 1 deri më 4 gusht, patjetër që pritet të sjell një interesim edhe më të madh të publikut për të ndjekur këtë festival, jo vetëm nga qytetarët e Gjakovës, por edhe nga të gjitha qytetet e tjera shqiptare. Pasi festivali tashmë ka bërë emër dhe pati një jehonë të madhe tek publiku, pastaj tek mediat, por edhe tek adhuruesit e artit e kulturës dhe të gastronomisë tradicionale shqiptare (gjakovare). Sikurse edhe falë programit të pasur dhe të larmishëm shumë dimensional të ideuar nga grupi organizativ dhe Bordi drejtues i Fondacionit për Gjakovën.
Programi i javës së dytë i festivalit të kulturës shqiptare
“Ditët e Shqiptarit” :
1 gusht 2024
Në orën 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, transmetohet filmi “117” nga regjisori Besim Sahatçiu.
Në orën 21:00, po në parkun “Ali Podrimja” do të performojnë grupet muzikore “Ashikët” dhe “Rilindja”.
Kurse në orën 22:00, në Çarshinë e Vjetër do të performojë grupi muzikor “Don’t Listen to Your Neighbors”.
2 gusht 2024
Në orën 19:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të mbahet panel diskutimi nga Lekë Zherka.
Në orën 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë kitaristi Agron Peni.
Ndërkaq, duke filluar nga ora 22:00 në Çarshinë e Vjetër do të performojë rock grupi “Asgjë Sikur Dielli”.
3 gusht 2024
Në ora 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë grupi “NA”.
Në ora 21.00 në Çarshinë e Jupave, do të performojë këngëtarja Hersi Matmuja.
Ndërkaq, në orën 22:00 në Çarshinë e Vjetër , do të performojë këngëtari Dren Abazi.
4 gusht 2024
Prej orës 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, transmetohet filmi “Adnan Kafazi” i regjisorit Genc Berisha.
Kurse, prej orës 22:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë këngëtarja Edona Reshitaj.
ObserverKult
Lexo edhe:
NË GJAKOVË NIS EDICIONI I PARË I FESTIVALIT TË KULTURËS SHQIPTARE “DITËT E SHQIPTARIT”