reklamë

Divani i Rumiut botohet në gjuhën shqipe

Divani Kebir, ose Divani i Madh, vepër monumentale e poetit pers Mevlana Xhelaleddin Rumi, është përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe.

Kjo vepër madhore, e përkthyer nga origjinali në gjuhën perse nga Abdulla Rexhepi, është botuar në dy vëllime nga Shtëpia Botuese Logos-A.

Divani Kebir, i njohur ndryshe edhe si Divani i Shemsit, konsiderohet një nga veprat më të mëdha të letërsisë mistike botërore, e cila trajton ngazëllimin shpirtëror dhe dashurinë hyjnore.

Rumi i shkroi këto poezi pas takimit me Shems Tebrizin, figurë që ndikoi thellësisht në jetën dhe krijimtarinë e tij, dhe vazhdoi t’i krijonte deri në fund të jetës.

Poezitë e Divanit të Shemsit përmbajnë shenja, simbole dhe koncepte të larta shpirtërore, të cilat shërbejnë për të shprehur dashurinë e Mevlanës për Shemsin, për të përshkruar cilësitë e tij, si dhe për të bartur përjetimet dhe emocionet e thella të autorit. Në të njëjtën kohë, këto poezi ndërtojnë idetë dhe bindjet e Rumiut për Zotin, botën, njeriun, dashurinë, kohën dhe ekzistencën.

Divani i Shemsit është një libër i dashurisë, i cili e mëson lexuesin se udhëtimi sufik përmes dashurisë është një nga udhëtimet më të bukura dhe më madhështore shpirtërore. Me larminë e motiveve dhe temave që trajton, kjo vepër përfaqëson një nga trashëgimitë më të pasura kulturore dhe shpirtërore në historinë e njerëzimit.

Duhet theksuar se Divani i Rumiut ka pasur ndikim edhe te disa poetë dhe shkrimtarë perëndimorë, ndër ta Ralph Waldo Emerson dhe Walt Whitman.

ObserverKult


Lexo edhe:

Rumi: E kërkoni mrekullinë… ajo fshihet në zemrën tuaj!