Mijëra fotografi, filma, dosje projektesh, ruhen prej dekadash në arkivin teknik të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Edhe pse të ruajtura në një gjendje mjaft të mirë, duket se kishte ardhur koha që edhe kjo arkivë të dixhitalizohej, me qëllim që të ruhet, por edhe të jetë më e aksesueshme për specialistët e fushës.
Përmes një ceremonie në kushte Covid-i, online, u shënua dhe nisja e këtij proces. Për ministren e Kulturës të Shqipërisë, Elva Margariti, “Arkiva Teknike e IKTK është më e rëndësishmja në llojin e vet. Një ‘gardiane’ e një pasurie të jashtëzakonshme, lidhur me trashëgiminë tonë kulturore.
Ajo ruan 4100 dosje teknike, por edhe fotografi e materiale të tjera, të cilat duhet të dixhitalizohen. Jo vetëm në funksion të IKTK-së, por edhe studiuesve, studentëve, të apasionuarve pas trashëgimisë.
Që mund të gjejnë aty një informacion të bollshëm mbi mënyrën se si kanë ndërtuar shqiptarët. Informacione mbi arkitekturën, artefakte, histori monumentesh. Me një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për historinë në vetvete, por edhe për restaurimin dhe rijetëzmin e një objekti të trashëgimisë kulturore”.
Ky projekt u mundësua me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane dhe me asistencën e Zyrës së UNESCO-s në Venecia. Bëhet fjalë për një fond prej 80 mijë dollarësh, përmes të cilit u siguruan pajisje të posaçme për dixhitalizimin e dokumentacionit dhe materialeve arkivore.
Në një sistem të integruar përmes skanimit me cilësi të lartë. Katalogimit në databazë të personalizuar dhe ruajtjes në servera të posaçëm.
Ministrja Margariti e ka konsiderua një erë e re për këtë institucion. Me dëshirën që ky proces të vijojë edhe në institucionet e tjera kulturore.