Dizajneri nga Kosova synon zbërthimin e transparencës në festivalin italian

Është bërë traditë e përvitshme që festivali i dizajnit grafik “Grande Festival”, që mbahet në qytetin Castelfranco Veneto të Italisë, të bëjë bashkë profesionistë, mësues dhe ndjekës të zhanrit artistik.

Çdo edicion Festivali përzgjedh një temë të caktuar, që përveç shfaqjes së veprave të nxitë debat rreth çështjes që vë në fokus. Këtë vit, për edicionin e dytë që do të mbahet prej 3 deri më 5 prill, ka zgjedhur transparencën. Në mesin e 100 artistëve që do të mundohen ta zbërthejnë këtë koncept është edhe artisti nga Kosova, Rrezeart Galica. Ka thënë se tema dhe ftesa për t’u bërë pjesë e Festivalit do t’i mundësojnë që në qytetin verior të Italisë përmes veprës së tij të zbërthejë realitetin kosovar përballë atij të jashtëm.

Transparenca në dizajn grafik, në komunikim, në institucione, në shoqëri apo në marrëdhëniet me publikun, janë pikat ku artisti Galica mund të fokusohet. Ai është në mesin e 50 artistëve të ftuar nga Festivali që do të shfaqin punimet e tyre. Edhe 50 të tjerë do t’iu bashkohen pas selektimit që do të bëhet nga një juri profesionale. Fiks 100 veprat e bëra bashkë do të ekspozohen në objektin historik “Torre Civica” në qytetin Italian. “Grande Festival”, sipas përshkrimit në ueb-faqen zyrtare, ka për qëllim promovimin e komunikimit vizual si një mjet i cili përmes imazhit krijon identitet. Aty tregohet se veprat artistike këtë vit do të kurohen nga dizajneri italian Marco Natolli./koha