Djali fukara që u ba mbret

mallkime fjalë të urta dy lopë

Ish kanë ni mbret. Afër mbretit e kish pasë shpinë ni fukare. Fukareja e kish pasë gruen e mirë. Mbreti e kish pasë menen e keqe e dojke me ja marrë gruen fukaresë. Qysh m’i pre fukarenë? Qysh me e pre pa e kapë sheriati? E vet sadriazemin e vet. Sadriazemi tha:
– Duhet me shkue un’ edhe ti e me fjetë n’konak të fukares. Ai ngushtohet prej neve dhe thotë: “haj medet, kuku për ne, s’pata çka me i qitë, sall bukë e krypë!” Nëse na thotë kështu, mundesh me pre mbret, se nuk t’kapë sheriati.
U nisën e shkuen te fukareja. Kur i pa ai, i priti, i çoi në odë, e iku te e shoqja:
“Çka t’bajmë, na kanë ardhë mbreti e sadriazemi për darkë. Veç bukë e krypë kemi?”

Grueja i tha: Mos u tut hiç. Ktheja bukën e krypën e thuej: “Mirë se t’ka pru zoti padishah! Po ta kthej sofrën me tana t’mirat e zotit! Mbreti ka ardhë me mene t’keqe, po ti hiq mos u trem se s’guxon me t’ba kurgjo me sheriat nëse ja thue këto fjalë.

Hini fukareja, prapë në odë, ja kthej bukën mbretit e i tha:
“Bujrum padishah, po ta kthej sofrën me tana t’mirat e zotit!
Mbreti u çudit qysh diti fukareja kaq mirë. E pa që nuk mundet me i ba kurgja. Dikur ranë me fjetë. Kur u qu n’sabah, fukareja i kallxoi që i kish lindë nji djalë. Mbreti i tha sadriazemit:
-Çile qitapin, e kqyre çfarë nafake ka ky fmi.
E muer sadriazemi qitapin e po keshë:
– Qitapi po thotë qi djali i vogël e ka nafakën shumë t’mirë- çikën tande ka me marrë për grue.

Mbreti u idhnue qysh me marë për grue çikën e tij djali i fukaresë. U kthye ka fukareja dhe i tha:
-A po ma falë këtë djalë mue, masi ka me u ba dhanri jem!
-Unë po ta fali, tha fukareja, po nashta grueja nuk ta fal. Prit ta veti.
Shkoi dhe e veti t’shoqen e ajo i tha:
-Po ja fali veç deri ta laj, ta lidhi e t’i jap gji.

Dikur kur e bani gati djalin e qitën në djep e ja dhanë mbretit me vete. E muer mbreti djalin e u nisën. Kur shkuen te ni urë me ujë të madh, mbreti i ra thikë djalit dhe e gjujti me gjithë djep në ujë. Djalin e mori uji dhe e qoi larg e larg te do shelgje. Aty afër nji rrogtar i ruejke loptë. Nji lopë ju afrojke përditë djalit e ja kthejke gjinin. Djali e thithke tamlin e lopës e kështu rrnoi nja dy javë ditë. Nji baçicë nisi me i bërtitë rrogtarit.
– Dikush po e mjelë lopën.

Rrogtari nisi me e ruejtë lopën e i shkoi përmas me e pa se çka po ndodhë. Kur u kthye në mbramje i kallxoi baçicës që askush s’po e mjelë lopën, por nji thmi i vogël po e thithke përditë.
E muer thminë me e rritë rrogtari se s’kish thmi. E majti djalin 15 vjet. Ja dha edhe thikën e dukatit që e kish gjetë në djep dhe e çoi me i ruejt lopët. Nji ditë ra mbreti asajde me gjithë sadriazemin e kur e pa djalin e thikën e veti:

-I kujna je mor djalë!
-Unë jam i filan njerit që është rrogtar.
Mbreti nxori e ja dha një grusht dukat!
-Merre qit grusht dukat, – i tha, – jepja babës tanë edhe thuej që du me ardhë me bujtë sontë me gjithë sadriazemin.
Kur u ba aksham, mbreti shkoi. Mas darke filluan me u marrë vesh për at djalë. E veti mreti rrogtarin:
– A asht i yti ky djalë?
– I jemi asht, ja kthej rrogtari.
-Po rren, se nuk asht djali yt veç asht i jemi.

Rrogtari u tut e i kallxoi:
-Unë e kum majtë që pesëmdhetë vjet. Djalin n’e daç po ta jepi, veç ki me ma pagu harxhin që e kam majtë. Mreti ja paguejti harxhin edhe e mori djalin. Kur e çoi djalin në vend të vet, ja shkrujti një letër e i tha:
– Shko shtine këtë letër n’Gjyhygjyr Asqer!
Ja dha djalit letrën. Djali shkoi. Ish kanë gjysa e ditës. Kur deshti me hi djali, Gjyhyrgjyri ish kanë mshelë. I thanë me shku më vonë, mas nja dy orësh.

Djali shkoi në bahqe të mretit. Aty e kish nxanë gjumi. Tri çikat e mbretit janë dalë me shetit. E kanë pa djalin. Dy t’mdhajat kanë kalue e ma e vogla u zatetë n’ta. Është nalë e po ja kqyr letrën n’xhep. P’e lexon letrën e po merr vesh çka po thotë: mbreti kish pasë shkru m’e pre djalin. Çika e çoi djalin e i tha:
– Qyre mbreti çka ka shkrue: me t’pre.
E mori çika letrën e shkyjti. E veti djalin:
– A po m’merr ti, se unë po t’marr ty, edhe po ta shkrujë ni letër tjetër për t’mirë.
-Po t’marr- i tha djali.

Çika mori e ja shkrujti një letër për me çu n’Gjyhyrgjyr Asqer, e n’letër shkrujti mi shprazë njëqind e një topa n’ni flakë se ky djali pe merr çikën e mbretit, ma t’vogëln, për grue e mbreti ka dhanë leje për me marrë.
Djali e mori letrën e ja çoi Gjyhyrgjyr Asqerit. Atëherë shprazën njëqind e një top n’ni flakë edhe djalin e çuan në odës te çika.
Mbreti i niti topat. I hipi kalit e shkoi dogri aty. Kur e veti qysh me shprazë topat pa dhanë leje ai, Gjyhyrgjyr Asqeri ja kallxoi letrën e i tha:

– Ti ke shkru vetë padishah me i shprazë njëqind e një top n’ni flakë që pe merr ai djali çikën tënde të voglën.

Mbreti e lexoi letrën edhe e pa që kjo punë ish ba e s’ish mirë me ba punë të madhe. Po mendon në veti me e mytë ndryshe djalin, për mos me i dalë nami i keq çikës së vetë. Shkoi nestra te djali e i tha:
– A muj u çove e qysh e ki qefin, ti që ma more çikën?
-Mirë, padishah, – tha djali.

Nejtën sa nejtë n tuj ba llaf e dikur mbreti ja dha dy bakalla me shku mi mbush ujë te çeshmja e vetë, aty ish kanë një roje që kush shkonte për ujë e vriste. Por çika e vërejti këtë i mori bakallat e shkoi vetë me marrë ujë dhe i kallxoi djalit se çka e priste nëse shkon ai dhe i tha nëse të vetë mbreti thujë vetë i kam mbush, e nëse të vetë a e ke pa rojën dhe a të ndaloi ai, thujë e kam pa dhe nuk më ndaloi.

Kur ja çoi ujin e veti mbreti a e more në çeshmen tem dhe a e pe rojën. Djali u përgjigj po dhe i kallxo se roja nuk e ndaloi që t’i mbushte. Mbreti e pini ujin dhe u bind se është i çeshmes së tij.
I nervozuar i veshi do tesha të thjeshta dhe shkoi me vra rojën. Roja e pa nga larg dhe i tha që të ndalet, po mbreti nuk e ngoj dhe shkoj drejt tij. Roja e vrau duke mos e ditë që është mreti.
Kështu veni mbeti pa mbret, u mlodhën mishlizi e masi dy çikat e mëdha nuk ishin të martume, e qitën djalin n’post të mbretit.  

ObserverKult

——————————–

LEXO EDHE:

Nga folklori: Lute Fukarêja