Djali i aktorit Paulin Preka: “Babai ka vuajtur shumë…”

Ditë më parë u nda nga jeta aktori i njohur shkodran Paulin Preka, ndërsa dje pas mbërritjes së trupit në atdhe iu dha lamtumira e fundit.

Djali i tij, Sokol Preka në fjalimin e rastit, falënderoi të gjithë artistët, të cilët i kanë qëndruar pranë babait gjatë gjithë jetës artistike.

“Ka qenë një periudhë që ka vuajtur në Itali, e dimë të gjithë sa e vuajtshme është. Babai ka vuajtur shumë, por ne kishim edhe detyrën si fëmijë që ta mbanim afër. Ai kishte nevojë për afërsinë tonë, por kishte nevojë për publikun, për kolegët, për Teatrin dhe për aktivitetin që ka bërë gjithë jetën. Nëse babai ka arritur këtë fuqi artistike në jetë, është e padiskutueshme që e ka arritur nga kolegët e tij.

Nëse ke një ambient që të përkrahin në jetën artistike, kush mund ta bëjë më mirë sesa kolegët e tij. Pra një falënderim i përjetshëm për atë që ju keni bërë për babain”, u shpreh djali i aktorit.

Trupi i pajetë i Mjeshtrit të Madh të humorit shkodran dhe mbarë shqiptar, Paulin Preka mbërriti paraditen e 8 shtatorit nga Italia në qytetin e tij të lindjes në Shkodër.

Teatri i qytetit, “Migjeni”, hapi dyert për të zhvilluar homazhet e fundit për nder të artistit të madh shqiptar, i cili u nda nga jeta më 4 shtator./panorama.com.al