Një vit pas dhimbjes për ndarjen nga jeta të shkencëtarit të shquar shqiptar me njohje ndërkombëtare Artan Boriçit, dr. Zenepe Dibra na sjell lajmin e mirë, se i biri, Dalin Boriçi, po ecën i sigurt drejt rrugës së bukur dhe të vështirë të shkencës.
Dalini përfundoi studimet bachelor me Orsejë (Paris) me dy diploma, në matematikë e në fizikë.
Tashmë, i dërguar nga Universiteti Orsej, ai është në vitin e parë të kualifikimit pasuniversitar në Kolegjin Mbretror në Londër (Angli), thuhet në një postim të bërë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Dr. Zenepe Dibra thotë se ecuria e deritashme e tij tregon se Dalini, që ka lindur në Zyrih të Zvicrës dhe është rritur në Tiranë, do të zëvendësojë Artanin.
Familja shkodrane Boriçi, thotë dr. Dibra është një qelizë kulturore, pedagogjike e shkencore së bashku me Hamidin, prof. dr. Myzejenin, prof. dr. Artanin akademik i asociuar, prof. dr. Mirelën (bashkëshorte e Artanit), fizikane, doktore e shkencave, dhe Dalinin që po ecën i sigurt drejt rrugës së bukur dhe të vështirë të shkencës.
Vdekja e parakohshme e prof. Artan Boriçit, është humbje e madhe, jo vetëm për komunitetin shkencor shqiptar dhe ndërkombëtar, por edhe për Shkodrën, qytetin ku kishte origjinën ai, prindërit dhe paraardhësit e tij.
Po kush ishte Akademiku prof. dr. Artan Boriçi që iu shtua panteonit të shkencëtarëve të shquar shqiptarë?
Lindi në Tiranë më 1965, ku kreu shkollën 8-vjeçare “Emin Duraku”, gjimnazin “Qemal Stafa” dhe u diplomua “Fizikan” në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve 1993-1996 kreu studimet pasuniversitare në Politeknikumin Federal të Zvicrës në Zyrih, Zvicër.
Në vitet 1996-2003 mbajti pozicione, si kërkues shkencor në Institutin Kombëtar Zviceran “Paul Scherrer”, në Politeknumin Federal të Zvicrës dhe në Universitetin e Edinburgut, etj.
Në vitin 2003 është kthyer në Shqipëri për të vijuar punën e pedagogut-kërkuesit shkencor, të nisur në dhjetor 1988 në Katedrën e Fizikës. Që prej vitit 2012 ai është në krye të Grupit të Fizikës Llogaritëse.
Ndërkohë ka vazhduar pareshtur të bashkëpunojë me institucione shkencore ndërkombëtare si CERN-i (Qendra Evropiane për Kërkime Bërthamore) dhe Qendrën Evropiane të Supërllogaritjeve në Jylih të Gjermanisë.
Prof. Artani ishte projektuesi dhe organizatori i Konferencave Ndërkombëtare: “Numerical Analysis and Lattice QCD’’ në Edinburg dhe të konferencës “The first International Ëorkshop on recent LHC Physics results and related topics in Tirana”, në Tiranë. Ai ka ligjëruar e kumtuar referate në shumë konferenca ndërkombetare: disa here në Amerikë, në Zvicër, në Austri, në Gjermani, në Australi, në Skoci, në Itali, në Rusi, në Angli, në Singapor, në Japoni, etj.
Prof. Artani ka të arshivuar 61 botime dhe 698 faqe leksione në gjuhen shqipe, ku për here të pare fut terminologjinë e re shkencore në shkrimin e leksioneve. Ai ka 624 citime. Ka dhënë leksione në disa shkolla ndërkombëtare si dhe konsulenca të vlefshme në disa institucione të vendit dhe ndërkombëtare. Ka botuar 2 programe kompjuterike, 3 monografi dhe 2 tekste shkollore. Ndër monografitë mund të përmendim: “QCD and Numerical Analysis III”, 2005, autor i parë, Shtëpia Botuese Springer 2005, ndërsa ka shkruar për herë të parë në gjuhën shqipe tekstet monografike “Teoritë kalibruese të fizikës së grimcave elementare”, 2010, dhe “Algjebra lineare numerike”, 2011, Instituti i Karrierës Proteus, si dhe tekstin mësimor “10 leksione mbi probabilitetin”, 2006, botuar nga Qendra e Analizës së Riskut në Tiranë. Ka shkruar më shumë se 50 artikuj, botuar në revistat shkencore kryesore më prestigjioze të fizikës, si “Physical Revieë”, “Physics Letters”, “Nuclear Physics”, etj.
Ishte shumë i njohur në botën akademike për “Formulimin e teorive fermionike rrjetore, Algoritmet numerike për fermionet kirale dhe zhvillimin e teorive duale Yang-Mills”.
Prof. Artani ishte pjesëtar i shoqatave shkencore dhe profesionale. Ka qenë i angazhuare dhe në organe drejtuese administrative, si: drejtor i Drejtorisë së Riskut në banken “Credins” (2007-2008), zv. dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës (mars-nëntor 2012), përgjegjës i Grupit Mësimor të fizikës llogaritëse (2012-2018), përgjegjës i Grupit Mësimor-Kërkimor të energjive të larta të astrofizikës, që prej dhjetorit 2018.
Një nga vlerësuesit e veprës dhe të personalitetit të profesor Artan Boriçit, Prof. Dr. Thomas Lippert, anëtar i Jurisë për titullin “Profesor”, Drejtor i Institutit të Simulimeve të Avancuara, Qendrës Kërkimore në Jylih dhe përgjegjës i Katedrës së Fizikës Teorike Llogaritëse në Universitetin e Vupertalit në Gjermani, ndër të tjera shkruan: “Profesor Artani ka dhënë kontribute të rëndësishme në studimet e fizikës teorike, është gjithnjë një prej pionerëve të rëndësishëm që shtyn përpara metodologjitë e reja llogaritëse në LQCD; ishte prej të parëve që u orientua drejt paraqitjeve ekzakte të fermioneve kirale në rrjet dhe simulimin e tyre. Në funksionet e tij si kërkues i mirënjohur dhe fizikan Prof. Boriçi ka treguar qartë kompetencën më të lartë shkencore”.
“Kjo veprimtari e gjithanëshme e me kaq vlera, mori shumë energji nga trupi dhe mendja e tij e që ndoshta sëmundja e shpejtë e gjeti të papërgatitur për të përballuar furinë e saj. Ai do mbetet një personalitet në panteonin e elites intelektuale, shkencëtar i përkushtuar, që me pasionin, vullnetin dhe inteligjencen e tij dha kontribut në arritjet ndërkombëtare të fushës së fizikës teorike.
Ai ishte shkodrani patriot që kurrë nuk e harroi origjinën e tij, kontributet e fisit të tij, por edhe lavdinë e Shkodrës. Toka nanë shkodrane e priti të prehet në gjirin e saj, aty ku prehen edhe personalitetet e familjes së madhe Boriçi të qytetit tonë.
Është fat që në rrugën e Artan Boriçit dhe të traditave kulturore e shkencore të Shkodrës ka hyrë e po ecën edhe djali i Artanit, Dalin Boriçi. “, thotë dr. Zenepe Dibra.