Nga: Visar Zhiti
Poeti i madh i Malit të Zi
Jevrem Bërkoviq është një nga më të fuqishmit në Ballkan e më gjerë, rebel, opozitar i përhershëm, akademik, mik i shqiptarëve, vëllamë i poetit Ali Podrimja… Kam qenë në shtëpinë e tij nē Podgoricê, më çoi miku im, poeti dhe kineasti Nezir Sefaj. Na priti me madhështi, dua të them që ai ishte madhështor, emblematik, zëlartë, i përzemërt…
I tregova që në romanin tim “Në kohën e britmës” është personazh.– M’i vizo në libër ato pjesë, – më tha.– Në një kapitull është aventuara juaj në Shqipëri. – Buzëqeshi si një shkëmb.– Poemën tuaj për Stalinin dhe pianisten, – vazhdova t’i them, – e gjetëm kur s’kishte rënë diktatura dhe ia çuam në internim prizrenasit poet, Lazer Radi, për të na e përkthyer.
I kam treguar në libër…Pasi na dha medalionet e akademisë, na përcolli deri jashtë dhe na tregoi në rrugë ku i kishin bërë atentatin. Shoferi iu vra… Dhe më pas nga Mali i Zi kam marrë letra prej Jevremit, kolegut të tij dhe mikut, Martinoviqit, përkthime të poezive të tyre nga miku ynë i përbashkët Smajl Smaka, kemi shkëmbyer libra,e kam dhe atë që ia ka përkthyer aq bukur Azem Shkreli.
Dje Jevrem Bërkoviqi mori udhën e Qiellit dhe e ndjej si ka shungëlluar Mali i Zi prej tronditjes.