Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve këmbëngul që të kthehen shenjat e themeleve të shtëpisë së “ Nënë Terezës” si dhe të ndërtohet shteg për qasje deri te pllaka e saj përkujtimore. Ai i hedh poshtë pretendimet e kryetarit të Qytetit të Shkupit Peter Shilegov se instituti nuk ka reaguar asnjëherë kundër nëpërkëmbjes së gjurmëve të saj. Megjithatë përsëri i dërgon apel që të gjej zgjidhje, çfarëdo qoftë ajo dhe t’i pranoj kërkesat e Institutit.
Ndërkaq, shton se është për keqardhje se Shilegov ka lejuar siç i ka quajtur “Qytetarë të ndërgjegjshëm” që në mënyrë vullnetare t’i mbulojnë gjurmët e shtëpisë së “Nënë Terezës”, ndërsa sipas tij Qyteti i Shkupit, si bashkësia më e madhe vetëqeverisjes vendore me pushtet ekzekutiv nuk mundet të bëjë asgjë për ta rikthyer në gjendjen paraprake një pikë të rëndësishme të pelegrinazhit dhe turizmit në kryeqytet.
“Unë jam sot këtu që ta lus kryetarin e Qytetit të Shkupit që të gjej një zgjidhje qoftë duke e kthyer atë në pronë publike, qoftë duke ndjekur procedurat gjyqësore ose duke gjetur mundësi tjera çfarë do qofshin ato. Pas kësaj gjendje të turpshme që e shohim sot këtu, kërkesat tona janë modeste, të rikthehen shenjat e themeleve të shtëpisë së ’Nënë Terezës’, të krijohet një shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore dhe teksti i pllakës të reflektoj identitetin dygjuhësh të kryeqytetit”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së.
Asani po ashtu tha se do të kërkojnë përkrahje edhe nga faktorë tjetër të brendshëm dhe ndërkombëtarë, veç tjerëve do t’i drejtohen me një letër edhe kreut të Kishës Katolike Papa Françeskut.
Nga ana tjetër në mbrojtje të figurës së “Nënë Terezës”, vihet edhe drejtori i shtëpisë përkujtimore të saj, Arijan Asllanaj. Ai gjatë ditës realizoi takim në Qytetin e Shkupit, nga ku siç tha ka marrë garancë se në vendin ku është e vendosur pllaka përkujtimore, nuk do të lejojnë ndërtime të reja. Në këtë takim, sipas tij, kishte dhënë propozim që të ndërtohet një shteg për qasje te pllaka përkujtimore, duke pasur parasysh se po afron data 4 shtator, kur është dita e shenjtërimit të saj dhe vijnë delegacione të huaja.
“Fitova një garancë prej Qytetit se nuk do të ndërtohet asgjë në atë pjesë edhe pse punët pronësore ende nuk dihen a është private, apo si do të jetë. Unë si institucion i shtëpisë përkujtimore të “Nënë Terezës” këtu në Shkup, do të jem i gatshëm që të reagoj poqëse ndërtohet diçka ose nëse lëvizet diçka që të humben gjurmët e ‘Nënë Trezës’…E dini se është pronë private, nuk mundemi as ne, ja unë do t’i kisha marrë të gjitha harxhimet si shtëpi përkujtimore”, tha Arijan Asllanaj, drejtor i shtëpisë së “Nënë Terezës”.
Një ditë më parë, kryetari Petre Shilegov drejtoi pyetje ITSHKSH-së, se ku kanë qenë ata që nuk kanë reaguar kur është shitur parcela, në të cilën ka qenë shtëpia e “Nënë Terezës”. Ai po ashtu u bëri thirrje organeve kompetente që ta shfuqizojnë vendimin e shitjes dhe parcela nga pronë private të kthehet në pronë shtetërore si dhe të dënohen këto veprime kriminale për shitje të qendrës./Shenja/