‘Do të sulmojë Rusia shtete të tjera?!’, gazetari i “La Stampa-s” sjell veprat e dy ukrainasëve në Tiranë

Nuk janë thjeshtë karikatura… Pëllumbi i paqes, në dhomëzën e posaçme dedikuar dy artistëve ukrainas në Galerinë e Arteve Tiranë kërkon të përçojë mesazhin e tij. Në ekspozitën “EuroHumor”, vepra e artistit të njohur Jurij Kosobukin, të ndarë nga jeta 9 vite më parë, tregon se konflikti nuk është i ri, e as lokal, por ka shënuar momentin më të dhimbshëm. Mes 50 karikaturave, të kuruara nga Abaz Hado, ka punime edhe të Valentin Druzhinit, ku me një kritikë të pagabueshme ata godasin luftërat, padrejtësitë, korrupsionin, mungesën e lirisë së shtypit e egoizmin njerëzor.

“Karikaturat që shikojmë janë tematike, tregojnë për paqen, luftën e vullnetin e popullit për të shkuar përtej kësaj, për të gjetur gjithmonë një marrëveshje të përbashkët. Shikoni këto vepra, se si tregojnë prepotencën e pushtetit në raport me embëlsinë e paqes.”, shprehet Gianni Martini, Sekretar i Përgjithshëm i i “Euro Humor”.

Gianni Martini, përfaqësues i “Euro Humor” e ish-drejtor në “La stampa” e rrëfen ngjarjen artistike, pa e shkëputur nga realiteti i hidhur i Luftës Rusi-Ukrainë.

“Unë mendoj që e vërteta nuk është vetëm nga një anë. Konfliktet krijohen gjithmonë nga dy palë. Por, çka është e tmerrshme mbetet fakti se ka viktima. Dhe këto viktima janë gjithmonë mes të varfërve. Kjo është shumë e rëndë!”

Mendimi universal në këtë ekspozitë është për jetën. E kush shkon kundër këtij principi, sipas Martinit, nuk mund të jetë në anën e drejtë. Por, si e shikon gazetari pozicionimin e  fuqive të mëdha?

“Janë fuqi! Fuqi që punojnë për të mirën e tyre. Dhe fuqitë janë ato që përpiqen të mbrojnë mbi të gjitha atë që është. Dhe ajo që është, nuk përkon me atë që duhet të jetë drejtësia absolute”

Duke punuar për dekada në një nga gazetat më të mëdha të Italisë, ai analizon situatën e parashikon nëse kjo Luftë do të përfshijë edhe shtete të tjera…

“Tashmë kjo ka ndodhur! Për fat të keq Lufta na ka përfshirë të gjithëve ne. Ne evropianët po paguajmë një çmim për këtë Luftë, që është shumë më i lartë se ai që po paguajnë SHBA-të, dhe do të paguajmë çmime të tjera në nivel ekonomik, pra në nivel lirie. Pasi kur bëhet presion në frontin e energjisë, mund të bëhet presion në çdo gjë tjetër. Do shohim çdo të ndodhë, por rreziku është që të përhapet ky konflikt. Ekziston rreziku i ballkanizmit, rreziku i luftërave nukleare, ku janë të përfshira edhe vende të tjera, që nuk dihet se si do të reagojnë”…./shqiptarja.com


Lexo edhe:

SIRENAT E SULMIT AJROR NË VEND TË KAMBANAVE TË KISHËS. ÇIFTI MARTOHET TEKSA RUSIA PUSHTON (VIDEO)