Do t’i var për t’i tharë ëndrrat e mia

Do t’i var për t’i tharë ëndrrat e mia“, poezi nga Paola Klug

Do t’i var që t’i thaj ëndrrat e mia,
Dëshirat e mia për kontroll,
Paranojën dhe patologjitë e mia.
Do të bëhem një Zot të këndojë tango polake
E zhytur në moskokëçarje, në pandryshueshmëri.
Do t’i varë që t’i thaj ëndrrat e mia,
Urrejtjet e mia, vdekjet e mia,
Të fshehtat me ngjyrë të kaltër dhe kujtimet e harruara,
Arenën ku marr frymë.
Do t’i var për t’i tharë ëndrrat e mia,
Gabimet e mia, vendin ku kam lindur,
Gjenet e mia, gjakun tim.
Lotët e një vogëlusheje, të dy cigaret që më kanë mbetur.
Do t’i var për t’i tharë ëndrrat e mia,
Fjalën dashuri, stuhitë dhe kohën,
Zërin e shpirtit të vjetër, fëmijërinë, avionët dhe hapësirën,
Flluskat e sapunit që lahem dhe të kafes sime,
Demonët e mi, sytë e mi të verbër, portretet e vdekjes,
Ëmbëlsirat e dhëna nga të huajt, burgjet e mia, pendët e palloit,
Arkëmortin e duarve të mia, pemën e të varurit, lapsin që shkruaj.
Do t’i var të thahen ëndrrat e mia, ulërimat e mia prej ujku,
Botën e kuqërremtë, këpucët e mia të kuqe,
Pyllin e kuq, fjalët e mia rusisht,
Humanizmin tim të pjerdhur…

Në shqip: Bajram Karabolli

Paola për veten e saj: Emri im është Paola Klug dhe jam një shkrimtare meksikane. Midis pasioneve të mia të mëdha janë mitologjia, letërsia, muzika dhe ngjyrat e bukura të identitetit metis.

Dëshiroj të shkruaj tregime ku mund të plazmoj ngjyrat, aromat dhe format e kulturës meksikane; jam bijë e tri rrënjëve që i kanë dhënë jetë Meksikës. Jam e pasionuar pas magjistareve, kafesë dhe mbrëmjeve me shi; organizatore artizanati dhe endëse fjalësh.

Herë pas here këndoj këngën e kodrave dhe i thërras mjegullës kur dua të shkruaj.

ObserverKult


Lexo edhe:

PAOLA KLUG: THURE GËRSHETË TRISHTIMIN TËND…

hoshte e ndjera gjyshe se, kur një grua ndihet e trishtuar, më e mira që duhet të bëjë është të nisë e të thurë flokët gërshetë: kësisoj dhimbja do të mbërthehej e do të mbetej në flokë dhe nuk do të arrinte dot në pjesët e tjera të trupit; duhet pasur shumë kujdes që trishtimi të mos futet në sy, sepse do të sillte shi, po ashtu nuk duhet lënë të hyjë në buzë, sepse do ta detyronte femrën të thoshte gjëra që nuk do të ishin të mira; as në duar nuk duhet të futet trishtimi – më thoshte gjyshja – sepse mund ta djegësh kafen apo mund të të mbetet buka e papjekur: ngaqë trishtimit i pëlqen shija e hidhur. Nëse ndihesh e trishtuar, bija ime, thur flokët gërshetë; mblidhe e bëje lëmsh dhimbjen dhe lëshoje të iki, kur era e veriut fryn e godet gjithë shkulme.

Floku ynë është si një rrjet i aftë që kapë gjithçka, është i fortë si rrënjët e lisit dhe i butë si shkuma e qumështit.
Bija ime, që melankolia mos të të kapë në befasi, apo nëse, për çfarëdo lloj mungese, e ke zemrën copë ose eshtrat të ftohta, mos i lër flokët të lëshuar, se të futet në to e pastaj rrjedh si ujëvarë nëpër kanalet që hëna ka bërë në trupin tënd. Thure gërshetë trishtimin tënd, thoshte e mira gjyshe, gjithmonë thure gërshetë trishtimin…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult