“Dodona” hap konkurs për pesë aktorë, një vit pasi iu krijua mundësia

Teatri i qytetit të Prishtinës, “Dodona” synon që në ansamblin rezident të aktorëve të ketë nëntë aktorë. Pos katër që i ka, prej së mërkurës është vënë në kërkim edhe të pesë të tjerëve. Për këtë është hapur konkurs publik. Konkursi vjen pas protestave që ishin mbajtur vitin e kaluar para Komunës dhe pasi teatrot e qyteteve të tjera i kanë përfunduar proceset e angazhimit të rregullt të aktorëve rezidentë më 2020.

Sipas konkursit, aktorët e angazhuar do të luajnë në të gjitha shfaqjet në të cilat i angazhon regjisori, po ashtu do të luajnë në studio apo lokacion tjetër varësisht nga nevojat që paraqet produksioni.

“Animon kukullat, pjesë të dekorit dhe rekuizitat, merr pjesë në të gjitha provat e caktuara në shfaqjet në të cilat është i/e angazhuar sipas orarit të provave (puna në tavolinë, puna me lektor, puna me regjisorin në tekst, puna në skenë me koreografin, puna me bashkëpunëtorin e muzikës, trajnerin kondicional) e të tjera”, shkruhet në konkurs.

Të punësuarit në pozitën e aktorit do të kujdesen për kukullat, kostumet dhe rekuizitat me të cilat luan në shfaqje dhe në rast dëmtimi janë të obliguar ta paraqesin dëmtimin me qëllim dhe të bëjnë riparimin.

“Është i obliguar që në punë të paraqitet 30 minuta para fillimit të provës së rregullt, 60 minuta para fillimit të provës gjenerale, dhe 60 minuta para fillimit të shfaqjes së rregullt, si dhe të bëjë përgatitjet adekuate për fillimin e provës, gjegjësisht të shfaqjes”, shkruhet te detyrat që do të kenë ata që pranohen.

Sipas konkursit që do të jetë i hapur për dy javë, ata që ia mësyjnë pozitës së aktorit ose aktores duhet të kenë njohuri profesionale specifike në fushën përkatëse të punës, të fituar përmes arsimimit universitar.

“Të dëshmojë talentin dhe përvojën e tij para audicionit që e organizon Komisioni profesional i Teatrit të Qytetit gjatë procedurës së rekrutimit, të kenë aftësi në zgjidhjen e problemeve për çështjet teknike ose procedurale që dalin nga procesi i punës”, shkruhet te kriteret. Po ashtu, pretendentët për këto vende pune duhet të kenë shkathtësi hulumtuese, analitike dhe për vlerësim të informacionit, të njohin gjuhën shqipe në nivel të shkëlqyer në të shkruar, kurse gjuhët e tjera zyrtare dhe njohja e gjuhëve të huaja janë përparësi.

“Diplomë universitare – aktrim dhe përvojë profesionale të dëshmuar (minimum 2 vite)”, shkruhet në konkursin që mbyllet në ditën e 6-të të majit.

“Dodona” sikurse krejt teatrot e qyteteve, për dy dekada aktorët i ka angazhuar nëpërmjet projekteve dhe kontratave afatshkurtra. E Teatri ka funksionuar me projekte që janë përkrahur nga Komuna e Ministria e Kulturës.

Deri te pavarësimi buxhetor është arritur pasi Komisioni i Granteve në kuadër të Ministrisë së Financave në prill të vitit 2019 ka aprovuar financimin komunal për teatrot sa u përket viteve 2020-2022. Me miratimin e buxhetit për vitin e kaluar, në mars, tetë teatrove të qyteteve u është hapur rruga që të shpallin konkurse për staf rezident. Teatrot e tjera angazhimin e ansamblit rezident e kanë përfunduar vitin e kaluar. Asnjë prej tyre nuk ka mundur që të ketë mbi 12 aktorë të përhershëm. Sipas Ligjit për teatro, teatrot publike të qyteteve duhet të kenë në minimum 10 aktorë rezidentë e në maksimum 20./EO

LEXO EDHE: “Harroje Hollivudin”, gati për premierë në teatrin “Dodona”