“DokuFest këtë vit është një nga 10 festivalet partnere të seksionit Cannes Docs në kuadër të tregut më të madh të filmit në botë”, bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi në faqen e tyre në Facebook Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit.
DokuFest tashmë është kthyer në një platformë të veçantë, ku përveç organizimit të festivalit po vazhdon puna me përkushtim e cilësi në fushën e filmit dhe programeve të edukimit.
Kësaj radhe ata kanë arritur një sukses të madh. Janë përzgjedhur nga Akademia Evropiane e Filmit si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe të filmit dokumentar.
Një arritje e jashtëzakonshme për festivalin si dhe për skenën e filmit të Kosovës.
Po ashtu, DokuFest këtë vit është një nga 10 festivalet partnere të seksionit Cannes Docs. Në kuadër të tregut më të madh të filmit në botë, gjatë festivalit prestigjioz të Kanës. Ky është viti i parë që ata do të kenë mundësi të prezantohen dhe të promovohen në këtë program.
Veprimtaria e tyre i ka shndërruar në festival të përmasave botërore.
“Cannes Docs ofron një hapësirë dhe program të posaçëm të eventeve për të gjithë profesionistët e filmave dokumentar. Si krijuesit e filmave e po ashtu edhe vendimmarrësit e industrisë.
Kjo është një mundësi tejet e mirë e krijimit të marrëdhënieve me festivale e filmbërës nga e gjithë bota. Zgjerimit të rrjetit të profesionistëve të cilët do të ndihmojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e gjeneratave të reja në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
“I përgëzojmë ekipin e DokuFest për punën që po bëjnë dhe njëkohësisht për promovimin e kinematografisë së Kosovës!”, ishte urimi nga Ministria e Kulturës pas këtij lajmi të mirë që erdhi.
ObserverKult
Lexo edhe: