Dokumenti/ Hysni Kapo: Në Teatër ka njerëz me lakra në kokë

 Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së pranë Arkivit Qëndror të Shtetit që i përkasin periudhës së viteve 1973 -’74 dhe bëjnë fjalë mbi një korrespodencë të shefit të kabinetit të sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, për artin, kulturën dhe propagandën, Ramiz Alia, (Ilo Kodra) me sekretarin tjetër të Komitetit Qëndror, Hysni Kapon, lidhur me një letër ankesë që ka paraqitur aktori i Teatrit Popullor, Sheri Mita, ku ai tregon për një konflikt dhe mosmarrëveshje që ka pasur me Drejtorin, Vaskë Aristidhi, lidhur me mosaprovimin e dramatizimit të pjesës teatrale “Vitet e paharruara”, që ai donte ta vinte në skenë në Teatrin Popullor.

Si u acarua ai konflikt që zgjati dy vite me rradhë ku për zgjidhjen e tij u angazhuan tre figurat kryesore të udhëheqes së lartë komuniste pas Enver Hoxhës, (Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe Manush Myftiu) duke kërkuar dokumentet e zyrës së Kuadrit për aktorin Sheri Mita, dhe për të kaluar në një “sitë” të hollë biografitë e familjarëve të tij dhe të të afërmëve, ku rezultonte se ai kishte pasur babanë të arratisur në SHBA-ës, xhaxhanë xhandar gjatë Luftës, dhe disa të afërm të tij të përjashtuar nga partia, gjë e cila u bë shkak që drama e tij të mos aprovohej për t’u vënë në skenë, pasi sipas tyre, “ajo kishte frymë social-demokracie, që nuk kishte ekzituar në Shqipëri”, si dhe “implikimi” i disa aktorëve, dramaturgëve e regjizorëve të Teatrit Popullor, si: Riza Hajro, Pirro Mani, Esat Oktrova, Pjetër Gjoka, Sulejman Pitarka, Luan Qerimi, Dhimitër Pecani, etj.

Dokumentet që po publikojmë në këtë pjesë të librit i përkasin periudhës së viteve 1973-’74 dhe bëjnë fjalë për një korrespodencë te gjatë të shefit të kabinetit të sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia, (Ilo Kodra) me sekretarin tjetër të Komitetit Qëndror, Hysni Kapo, lidhur me një konflikt që kishte ndodhur në Teatrin Popullor, midis aktorit Sheri Mita, që njëkohësisht shkruante dhe drama, me drejtorin e atij teatri, Vaskë Aristidhi. Siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, mosmarrëveshja midis tyre ka ardhur pasi drejtori i Teatrit Popullor nuk ka pranuar të vinte në skenë pjesën “Vite të paharruara” (dramatizim) që Sheri Mita kishte shkruar me rastin e 30 vjetorit të Çlirimit, duke i’a hedhur poshtë atë, si “pjesë që ishte shkruar dobët dhe nuk bënte për ta vënë në skenë”. Gjë e cila ka ngjallur zëmërimin e aktorit dhe dramaturgut, Sheri Mita, pasi drejtori i’a kishte kërkuar vetë që ai ta shkruante atë pjesë dhe kur e kishte mbaruar, ai nuk i’a kishte pranuar atë, por në vënd të saj kishte pranuar veprën “Bashkë me agimin” të shkrimtarit dhe dramaturgut të njohur Kolë Jakova. Pas kësaj, aktori Sheri Mita ka bërë një ankesë dhe i’a ka dërguar organizatës bazë të partisë së Teatrit Popullor, ku i ka shpjeguar me detaje konfliktin dhe mosmarrëveshjen me drejtorin, Vaskë Aristidhi.

Të gjitha këto probleme kanë dalë nga një mbledhje që është zhvilluar në Teatrin Popullor në datën 26 shator të vitit 1975, ku janë marrë në analizë dhe janë aprovuar pjesët e repertorit për atë sezon teatror dhe për gjithçka që është thënë aty, i është bërë më pas një raport-informacion i hollësishëm sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia (që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën), dhe njëkohësisht ai raport-informacion i është dërguar edhe sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hysni Kapo që mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit” (Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendëshme, Sigurimin e Shtetit, Prokurorinë, Hetuesinë, Gjykatat etj.), të cilët kanë vënë shënimet e tyre në ato dokumente. Ashtu siç dhe do të shohim në dokumentet në fjalë, duket se kjo mosmarrëveshje në mes Sheri Mitës dhe drejtorit, Vaskë Aristidhi nuk ka kaluar fare lehtë, pasi udhëheqja e lartë (Hysni Kapo dhe Ramiz Alia), pasi kanë angazhuar për zgjidhjen e atij problemi edhe Manush Myftiun, Mantho Balën, Dashnor Mamaqin (që mbulonin Artin e Kulturën në Komitetin e Partisë së Tiranës, Ministrinë e Arsimit e Kulturës dhe Komitetin Qëndror të PPSH-së), kanë kërkuar dhe karakteristikën e aktorit Sheri Mita (që ndodhej në dosjen e tij personale pranë zyrës së Kuadrit), ku rezultonte si ai kishte të jatin të arratisur në SHBA-ës dhe disa të tjerë të afërm të tij, (dajat dhe xhaxhallarët), me probleme biografike apo të përjashtuar nga rradhët e Partisë, etj., etj. Krahas këtyre problemeve, në analziën që është bërë për Sheri Mitën, është thënë se dramatizimi i tij “Vite të paharrura”, nuk mund të vihej në skenë, “pasi aty kishte frymë social-demokracie që nuk ka ekzistuar në Shqipëri”, etj. Po kështu aty janë “implikuar” edhe disa aktorë, dramaturgë e regjizorë të Teatrit Popullor, si p.sh.: Riza Hajro, Pirro Mani, Esat Oktrova, Pjetër Gjoka, Sulejman Pitarka, Dhimitër Pecani, etj. Për më shumë na njohin dokumentet në fjalë që ashtu si pjesa më e madhe në faqet e këtij libri publikohen të plota dhe pa asnjë ndryshim.

Udhëzimet dhe porositë e shefit të kabinetit të Ramiz Alisë

Për porosi shokut Hamit

U bisedua me shokun Mantho Bala, Dashnor Mamaqi dhe shokun Xhabir, sekretar i Komitetit të Partisë të Rajonit Nr. 1.

Dt. 19/5/1973

Mund të mos aktivizohet në kinemtatografi (Mantho Bala)
Mund të thuhet se pse mban lidhje me letra me babanë (nga kolektivi dhe ndokush)
Më vonë nga shtatori në kuadrin e qarkullimeve që mund të bëhen, mund të vejë në ndonjë teatër tjetër (me Mantho Balën dhe Dashnor Mamaqin). Me këtë rast të sqarohet se pse ka ardhur nga Elbasani në Tiranë.
Biografia e aktorit Sheri Mita sipas dosjes së zyrës së Kuadrit

TE DHENA BIOGRAFIKE PER AKTORIN E TEATRIT POPULLOR

SHERI MITA

Nga shqyrtimi i dosjes personale të Sheri Mitës në Komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 1 dhe disa mendime të shkëmbyera për këtë qëllim edhe me disa shokë të tjerë, rezulton si më poshtë:

Ka lindur më 14. I. 1943 në fshatin Fterrë të rrethit të Sarandës. Rrjedh nga një familje me origjinë shoqërore fshatar u varfër.

I ati, Shefki Mita, që nga viti 1939 e deri më 1943 ka qenë arsimtar. Në karakteristikën e Institutit të Lartë të Arteve thuhet se i ati i Sheri Mitës, ka qenë i lidhur shumë me Lëvizjen nacional-çlirimtare, por nga fundi i Lëvizjes nacional-çlirimtare, me qenë se ka vjedhur u tremb se mos e vrisnin dhe shkoi në Tiranë, ku siguroi bursë dhe iku për studime në Salsburg të Austrisë. Mbas mbarimit të studimeve, ka ikur në SHBA ku punon si profesor dhe simbas të dhënave që kemi, nuk zhvillon aktivitet kundër vëndit tonë, dhe nuk dihet nëse ka ndërruar shtetësinë. E ema e Sherit, punon si guzhuniere dhe që nga viti 1952 është shkurorëzuar me të shoqin. Lidhjet e Sherit me të jatin janë të rralla dhe merr letër 1-2 vjet.

kolana e librave

Një dajo i Sherit, Nail Bezhani, i cili ka qenë partizan dhe ka punuar në ndërrmarjen 21 Dhjetori, tani është si invalid i KEMP-it, është përjashtuar nga Partia me motivacionin “Për mungesë sinqeriteti në dokumenta”. Dajua tjetër, Nafiz Bezhani, me profesion, avokat, gjithashtu është përjashtuar nga Partia me motivacionin për “humbje të besimit në vijën e Partisë”, sepse ka qenë bashkëpunëtor i grupit antiparti që doli në Konferencën e Tiranës. Një xhaxha i Sherit, Arif Mita, ka qenë xhandar në Tiranë dhe është vrarë më 1943 në Durrës në një përpjekje me armë me xhandërt e atjeshëm. Nga fisi i nënës, ka gjithashtu kushërinj të parë, Ismet Elezin, Besim Elezin, Jakup Maton etj. Sipas autobiografisë të vetë Sheri Mitës, ka në farefisin e tij rreth 16 anëtarë partie.

Vetë Sheri Mita ka mbaruar më 1961 Teknikumin e Ndërtimit dhe deri në vitin 1963 ka punuar në Drejtorinë e Ujrave në Durrës dhe pastaj në Ministrinë e Komunikacionit si përgjegjës teknik i rrugës Durrës-Tiranë.

Nga 1963 e deri më tani ka vazhduar Institutin e Lartë të Arteve. Me mbarimin e Institutit është emëruar aktor në Teatrin profesionist të Elbasanit, ku sipas dokumentave ka punuar mirë. Por në një karakteristikë të Komitetit të Partisë të Elbasanit, thuhet se Sheri Mita e shikon shumë interesin personal. Nga korriku i vitit 1968 e deri në korrik të 1969-ës, ka kryer zborin ushtarak si student i diplomuar, dhe nga dta 1.II.1970 me vendim të Sekretariatit të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, është emëruar aktor në Teatrin Popullor, ku punon edhe sot.

Me këtë problem, kohë më parë, është marrë edhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe problem i të atit të Sherit ka rezultura njëlloj si dhe në këtë verifikim që bëmë ne tani.

M.
Tiranë, 29.IV.1973

Letra ankesë e aktorit Sheri Mita, dërguar organizatës së partisë së Teatrit Popullor

ORGANIZATES BAZE TE PARTISE

TEATRIT POPULLOR

T I R A N E

K ë r k e s ë

Drama ime “Vite të paharrura”, të cilën e kam shkruar me prosi të Drejtorit të Teatrit tonë (personalisht të drejtorit me piksynim që të vihet në skenë nga Theatri Popullor (e drejta e vënies së parë), u aprovua në disa mbledhje të Këshillit Artistik, por për fat të keq u spostua, megjithëse kishte rradhën.

Jam i mendimit, që rruga e spostimit të saj nuk është e drejtë, për këto arsye:

Të dy dramat pretendente, imja dhe e Kol Jakovës, u vlersuan nga Këshilli Artistik veç e veç, paralelisht, u aprovuan të dyja paralelisht dhe nuk u bë ballafaqim i tyre. Nuk u mblodh këshilli për të konkluduar përfundimisht, se cila duhet vënë.


Drejtori përdori veton dhe e paraqiti mendimin e tij në Komitetin Ekzekutiv të shtrembëruar. (Përgjigjia që më dha Komiteti Ekzekutiv: Drama jote ka vërejtje, kurse tjetra është e gatëshme)
Në veton që përdori drejtori (nuk kam kundërshtim që ai të vendos vetë, por në rrugë të drejtë), nuk morri parasysh vijën e masave, përdersi sa nuk mori mendimin e kolektivit (për drama të tjera e ka marrë këtë mendim), dhe ajo që është më kryesorja, nuk mori mendimin e organizatës.
Marrëdhëniet e tija me mua si autor nuk ka qenë e mirë. Kur i kam paraqitur dramën, nuk ka pranuar të bisedojë (dramën ma porosit vetë), por përkundrazi ka përdorur një takt shumë ofendonjës, duke thënë: “Ikë se s’ke bërë gjë”. Kërkova me qetësi, pa e prishur gjakun, bashkëbisedim për foshnjën (dramën), por përsëri i njëjti qëndrim mospërfillës: “Drama jote nuk bën”. U detyrova t’i them se: “Koha do ta tregojë se është apo nuk është e mirë”. U largova i thyer shpirtërisht dhe vazhdova me këmbëngulje punën me dramën. Koha tregoi se puna ime ishte e mirë. Këshilli e aprovoi. Mendimi im është se shoku Vaskë Aristidhi, për të mos humbur presitigjin e tij, me që tha që: “Drama jote nuk bën”, dhe këtë mendim nuk nguroi ta përhapte edhe te njerëz të ndryshëm e mes të tjerëve edhe Shefqet Musaraj, ka ngulur këmbë që të mos vihet. Për këto rezerva, mendoj se çështja e dramës sime duhet të shqyrtohet në organizatën e partisë.
Përshendetje revolucionare

Sheri Mita

Tiranë, më 25/9/1974