U botua kohë më parë dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi. Në Tiranë, së fundi ka dalë nga shtypi një libër me dosjen sekrete të Sigurimit famëkeq të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi.
Një seri dokumentesh provojnë manipulimin e qëllimshëm dhe akuzat e rreme të motivuara politikisht ndaj dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që u pushkatuan, më 17 korrik 1977.
Autori i librit, Bedri Blloshmi, thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të ndahet nga regjimi komunist, por njerëzit e Sigurimit gjenden kudo dhe pengojnë zbardhjen e krimeve të diktaturës.
Pas mbi 45 vjetëve nga pushkatimi i dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi nga regjimi komunist, vëllai i këtij të fundit, Bedri Blloshmi, arriti të gjejë në arkiva procesverbalin e vdekjes. Ai gjithashtu gjeti dhe një seri dokumentesh sekrete dhe i publikoi në një libër.
Titulli i librit është vet titulli i dosjes sekrete: mbi përndjekjen, arrestimin, hetuesinë, gjyqin dhe ekzekutimin e Vilson Blloshmit: Dosja Formulare, Kategoria 2°, nr.840.
Këta janë familje armiqsh dhe nuk e duan socializmin
“Pas shumë vite kërkimesh, më në fund kam gjetur procesverbalin e pushkatimit të vëllait. Këtu kanë firmosur: Spiro Koleka, Haxhi Lleshi e disa të tjerë.
Ata kanë diskutuar 5 orë për një dekoratë dhe në fund ishte pika e tretë. Këtu njëri prej tyre thotë “kemi edhe disa të dënuar me vdekje, dhe si do të bëjmë me ta?”. Aty është vetëm një shprehje e Haxhi Lleshit: “këta janë familje armiqsh dhe nuk e duan socializmin”. “Kaq ishte” – tha kohë më parë Bedri Blloshmi.
Dy poetët u pushkatuan më 17 korrik 1977 për motive politike, si kundërshtarë të regjimit. Vilsoni ishte 28 vjeç në kohën e arrestimit dhe pushkatimit. Ai la pas vajzën vetëm 1 vjeçe.
Në dosjen formulare të Vilsonit, gjenden dokumente të rralla e sekrete nga Sigurimi famëkeq i Shtetit. Aty u gjetën pseudonimet e spiunëve të tij. Vendimi i arrestit; marrja në pyetje nga hetuesit; akt-ekspertimet e poezive të tij nga 3 studiues të letërsisë; akuza për agjitacion e propagandë; vendimet e komitetit të partisë së punës dhe të trupit gjykues për dënimin e tyre me vdekje.
ObserverKult
——————————–
Lexo edhe: