Publikohet dokumenti i Sigurimit të Shtetit me siglën “Tepër sekret” ku bëhet një përmbledhje lidhur me dosjet e grave të huaja, ruse, rumune etj., që ishin të martuara me shtetas shqiptarë, si: Nadezhda Kabashi, Zoje Gulina, Roza Gulina, Nina Pumo, Eleni Pëllumbi etj, të cilat u arrestuan dhe u dënuan në vitet 1973-‘75 duke u akuzuar si agjente të Zbulimit Sovjetik.
Prishja e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë komuniste në vitin 1961 me aleatin e saj të ngushtë, Bashkimin Sovjetik, si dhe me vëndet e tjerë të Europës Lindore apo siç quheshin asokohe “Demokracitë popullore”, shënoi një dramë të vërtetë edhe për një numër të madh shtetase të huaja që i përkisnin këtyre vëndeve të cilat kishin ardhur në Shqipëri pas martesave që ato kishin bërë me shqiptarë që studionin në ato vite në vëndet e tyre, kur marrëdhëniet me këto shtete ishin në lulëzim. Si p.sh. me Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Hungarinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë, Çekosllavakinë, etj. Ashtu siç është e njohur tashmë, pjesa më e madhe e grave të huaja që ishin në Shqipëri asokohe ku dhe kishin krijuar familjet e tyre, pas presioneve të shumta dhe deri kërcënimeve nga strukturat e specializuara të shtetit shqiptar (kryesisht, Fronti Demokratik dhe Sigurimi i Shtetit), u detyruan që të ktheheheshin në vëndet e tyre prej nga kishin ardhur, duke marrë me vete edhe fëmijët që kishin lindur këtu në Shqipëri.
Si p.sh. bashkëshortja e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, e skulptorit të famshëm, Thanas Papa, etj, të cilat u kthyen përgjithmonë, në ish-Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, për t’u ritakuar me ta vetëm pas vitit 1991, kur në Shqipëri u shëmb regjimimi komunist.
Por drama e këtyre dy grave ruse si dhe ajo e shumë të tjerave bashkëatdhetare të tyre, që u bënë objekt i “Gjuetisë së shtrigave”, nga regjimi komunist shqiptar, do të ishte ku e ku në krahasim me disa të tjera, shoqe të tyre, që nuk pranuan të divorcoheshin me bashkëshortët shqiptarë dhe qëndruan në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre, pasi iu nënshtruan një survejimi të rreptë, u akuzuan si agjente të zbulimeve të huaja dhe përfunduan burgjeve politike të regjimit komunist për vite me rradhë, duke kaluar një kalvar të pashëmbullt si nga qelitë e hetuesive, ashtu dhe në kampet e burgjet, ku ato qëndruan të izoluara deri sa u liruan dhe u ritadhesuan në vëndet e tyre. Si p.sh. polaket, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj, ruset Natasha Pengili, Inja Tarasova Dyrzi, etj.
(Lidhur me dramën e madhe të grave të huaja në Shqipëri e fatin tragjik të tyre nën regjimin komunist, gjë e cila padyshim përbën një nga njollat më të errta të atij regjimi, pas viteve ’90-të, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, do të shkruante “Sorkadhet e trembura”, vepër e cila është përshtatur në një skenar filmi nga kineasti i njohur me famë botërore, Juri Arabov dhe regjizori Aleksadnër Sukurov, duke e realizuar në një film artistik që tashmë është në proçes”. Apo rasti tjetër i regjizores së njohur bullgare, Adele Pieeve, e cila ka realizuar një film-dokumentar mbi fatin tragjik të grave ruse në Shqipëri).
Lidhur me këtë fakt, pra fatin tragjik dhe dramën e madhe që pësuan e përjetuan gratë e huaja në Shqipëri nga fillimi i viteve ’50-të e deri në shëmbjen e atij regjimi, bën fjalë dhe ky dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” i cili ka qenë “Për përdorim të brendshëm” nga organet eprore të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe dhe ka shërbyer për të “evidentuar sukseset ndër vite” të shërbimeve sekrete të atij regjimi. Dokumentin në fjalë po e publikojmë në Memorie.al
Zbulimi dhe goditja e disa rezidenturave dhe zbulimeve të huaja
Nga goditjet e bëra më aktiv dalin zbulimet revizioniste me atë sovjetike në krye, të cilat në këtë periudhë veç kanaleve të tyre të hapta dhe të fshehta, shfrytëzuan edhe agjentët e tyre dërguar për të kryer veprimtari agjenturoro-subversive, paçka se kamufloheshin nën petkun e grave të martuara me shtetas shqiptarë dhe kishin marrë edhe shtetësinë shqiptare.
Goditja e “Dhelprës”
Në vitin 1975 u godit një grup i vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik i kryesuar nga Roza dhe Zoja Gulina, që ndiqeshin me pseudonimin “Dhelpra”. Ky grup ka vepruar aktivisht prej 19 vjetësh, nga viti 1955-1975.
Roza Koçi është dëbuar nga Shqipëria në vitin 1961, për veprimtarinë armiqësore që zhvillonte. Ajo kishte vënë në shërbim të saj, bashkëshortin, Mandi Koçi dhe Zoja Gulinën. Roza Koçi ishte rezidente dhe pas dëbimit të saj, detyrën e rezidentes ja la Zoja Gulinës. Rezulton se Zbulimi Sovjetik kur tërhoqi në bashkëpunim, Zoja Gulinën, Nina Pumën dhe Nadezhda Kabashin, u kishte thënë se ato do të drejtoheshin në Shqipëri nga Roza Koçi.
Zoja Gulina, ka ardhur në Shqipëri që në vitin 1958 me pretekstin se ishte martuar me një shtetas shqiptar që ishte student në Bashkimin Sovjetik. Në bazë të detyrave që i dha Zbulimi Sovjetik, ajo u fut pedagoge e gjuhës ruse, dhe me këtë kamuflazh zhvillonte veprimtari agjenturore subversive. Lidhjet me Zbulimin Sovjetik fillimisht i mbante nëpërmjet korespondencës që i dërgonte “nënës” në Moskë.
E përgatitur mirë nga Zbulimi Sovjetik, sa erdhi krijoj një rreth të gjërë shoqëror kryesisht me gratë ruse si: Nina Pumo, Nadezhda Kabashi, Taise Pisha, Roza dhe Mandi Koçi etj, që ndiqeshin nga organet e Sigurimit si agjentë të mundshëm të Zbulimit Sovjetik. Nga të dhënat e “Mimozës” dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë që u drejtuan si dhe nga vëzhgimi, T.O.-ja, etj (Teknikës Operative, përgjuesëve, shënimi ynë), vërtetohej se Zoja, jo vetëm kontaktonte me të sipërmit, por edhe zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore.
Meqënse në rrethin e saj shoqëror ishin disa lidhje që ndiqeshin nga organet e Sigurimit Tiranë, Shkodër, problemi u centralizua me pseudonimin “Dhelpra” dhe u ndoq me plan masash operative të përbashkëta. Rezultat dha bashkëpunëtori “Kabashi”, i cili u drejtua te Nadezhda Kabashi dhe arriti të futet në lidhje me Zbulimin Sovjetik. Me bashkëpunëtorin “Frekuneca” u krye kombinacioni ndërmjet saj dhe Zojas, ku doli se objekti zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore, u mësua karakteri i marrdhënieve të Eleni Pëllumbit, me Zojën. U organizua puna e mirë e vezhgimit në drejtim të tyre, ku u përcaktuan lidhjet dhe u bë vlerësimi i tyre. U studiuan materialet e Mandi Koçit dhe si lidhje e rëndësishme e Roza Koçit, pas dënimit të saj, ishte ai. Me arrestimin e Nadezhda Kabashit u organizua më mirë përpunimi në dhomat e izolimit dhe lidhjet jashtë.
Kështu u vërtetua dhe veprimtaria e Zojës, e cila u arrestua më 14.5.1975. Me goditjen e saj u bë plani i përbashkët operative-hetimor, për ta zbërthyer si agjente të Zbulimit Sovjetik. Gjatë hetimit, ajo pohoi se ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik dhe se kryente detyrën e rezidentes, nga viti 1961-1975, duke mbajtur në lidhje, Nina Pumon, Nadezhda Kabashin dhe Mandi Koçin. “Kur vajta në Bashkimin Sovjetik në 1960-ën, për të lindur fëmijën, u udhëzova nga kuadrot e Zbulimi Sovjetik, se si duhet të punoja, të futesha në rradhët e inteligjencës e rinisë, të bashkëpunoja me Nadezhda Kabashin, Nina Pumon, nën drejtimin e Rozës”, ka deponuar Zoja Gulina. Për punën që kishte kryer në vitin 1960, kur ishte në Moskë u shpërblye me 3000 rubla. U vërtetua se këto mbanin lidhje me konsullin sovjetik dhe se me prishjen e marradhënieve diplomatike, lidhjet me Zbulimin Sovjetik i mbanin nëpërmjet ambasadës çeke, kuadrit të Zbulimit Sovjetik, Zdonea Kovodeleka, sekretar i II-të. Gjithashtu Nina Pumo, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1960, me pretekstin se u martua me një shtetas shqiptar. U vu në përpunim aktiv si agjente e Zbulimit Sovjetik më 17.9.1973. Për qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik, ka deponuar edhe Zoja Gulina, të cilat i kishte në lidhje. Gjatë hetuesisë ajo pohoi qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik nga viti 1961. Se qe vënë në shërbim atje, duke marrë edhe parrullën dhe kundërparrullën për t’u ndërlidhur me Zojën. Kështu veproi deri sa u arrestua më 15. 10. 1975
Nadjezhda Kabashi është arrestuar për agjitacion e propagandë armiqësor në vitin 1973. Ajo deponoi qënien e saj si agjente e Zbulimit Sovjetik dhe lidhjet e saj me Zojën. Ajo sa erdhi në Shqipëri në vitin 1975, filloi veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës. Në vitin 1973 u dënua me 7 vjet privim lirije. Mandi Koçi, ishte vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, që në vitin 1961, nëpërmjet bashkëshortes së tij, Rozës, që ishte kuadër e Zbulimit Sovjetik. Nga viti 1961 që u dëbua Roza, ai mbahej në lidhje nga Zoja, deri në vitin 1975, që u arrestua dhe u dënua me 25 vite privim lirije si agjent i Zbulimit Sovjetik.
Eleni Pëllumbi, me kombësi rumune martuar me një shtetas shqiptar, ardhur në Shqipëri që para çlirimit. Në vitin 1970 shkoi në shkollën e Gjuhëve të Huaja, ku u vu në lidhje me Zojën dhe bashkëpunoi me grupin e Zojës, me të cilën qe njohur që në vitin 1964. Më datën, 9.6.1975 u arrestua dhe u dënua si agjente e Zbulimit Sovjetik.
Nga këto dhe goditje të tjera që janë bërë, rezulton se Zbulimi Sovjetik kanalin e grave ruse të martuara, me shqiptarë e ka përdorur aktivisht në veprimtarinë agjenturoro-subversive kundër vëndit tonë. Zbulimi dhe goditja e “Dhelprës” vertëton se pavarësisht se u deshifrua e u godit me vonesë, në vitin 1975, veprimtaria agjenturoro-suvbversive nga Zbulimit Sovjetik edhe me këtë grup ka filluar që në vitin 1959.
Zbulimi dhe goditja me vonesë e “Dhelprës”, u bë se ky kanal i rëndësishëm nuk u vlerësua dhe u ndoq me përparësi qëllimisht nga drejtuesit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj, edhe pse disa pjestarë të “Dhelprës” ndiqeshin prej kohësh dhe të dhëna kishte.
Kur “Dhelpra”, intesifikoi veprimtarinë në vitin 1973, sektori përkatës u detyrua që ta centralizonte dhe ta ndiqte si rezidenturë dhe u arrit ta deshifronte në vitin 1975, sepse faktet ishin bindëse, dhe armiqtë u detyruan ta miratonin goditjen, pse ndryshe do të konsideroheshin si përkrahës të spiunëve.
Taktika e përdorur duke zbuluar dhe goditur gradualisht pjestarët e “Dhelprës”, dhe vazhdimi i përpunimit në dhomat e izolimit, krahas zhvillimit të hetuesisë, si dhe përpunimi që iu bëhej pjestarëve të tjerë të grupit, ende të pa goditur, duke kryer veprime të ndryshme operative, ishte një përvojë që punonjësit e Organeve të Sigurimit të Shtetit, e kishin përdorur edhe në zbulimin e goditjen e rezidenturave dhe grupeve të tjera armiqësore dhe kishte dhënë e dha rezultate.
Në zbulimin dhe goditjen e “Dhelprës”, punonjësit e Sigurimit të Shtetit që vepronin me devotshmëri për çështjen e Partisë dhe të popullit, analizuan edhe njëherë punën e tyre, sidomos në drejtim të Zbulimit Sovjetik dhe në mënyrë të veçantë kanalin e grave ruse të martuara me shtetas shqiptarë dhe forcuan punën në këtë drejtim, gjë që shpuri në zbulimin dhe goditjen e rezidenturës tjetër të këtij zbulimi armik./Memorie.al
Lexo edhe:
KY ËSHTË I BURGOSURI QË MINUTAT E FUNDIT E JETËS FOLI VEÇ PËR NJË POEZI…