
Doli nga shtypi këto ditë në Tiranë botimi i ri i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni me titull “Dorëzimi i armëve-sprovë për një foto të hershme të Kel Marubit”. Libri është shtypur nën kujdesin e entit botues “Arte Graphic”. Zanafilla e librit fillon rreth 25 vite më parë, më 2001, kur është botuar së pari analiza për foton “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës” (1922) të fotografit të shquar Kel Marubi, në revistën “XXL” që drejtohej atëherë nga publicist i njohur Fatos Baxhaku. Shtojmë se, me këtë artikull autori Qerim Vrioni nisi rrugëtimin në fushën e studimit të fotografisë, jo shumë e lëvruar ato kohë në vend.
Foton me këtë titull autori i analizës e gjeti në botimin e njohur anglez “The Photo Book” (1999) të shtëpisë botuese “Phaidon” midis 500 fotove më të mira në historinë botërore të fotografisë. Në atë artikull u shpërfaq narrativa e fotos që ishte çarmatimi i popullsisë civile, ose më ndryshe dorëzimi i armëve. Mandej, shkrimi për foton u zgjerua duke u botuar në organe të ndryshme shtypi përherë edhe me të dhëna të reja. Në formën përfundimtare shkrimi u botua në dyfaqshin e brendshëm të “Gazeta Shqiptare” në maj 2002.
Prej atëherë, shkrimi botohej kryesisht nën titullin “Dorëzimi i armëve në një foto të Kel Marubit” dhe fotoja me emrin e ri “Dorëzimi i armëve”, madje edhe në median elekronike, albume dhe libra përveç organeve të shtypit të shkruar. Pra, kështu nisi të emërtohej fotoja dhe jo me atë origjinal, “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës”. Kohët e fundit, autori vendosi ta zgjerojë artikullin me të dhëna të reja të hulumtuara në botime të hershme dhe ta hedhi në qarkullim si libër më vete me titullin “Dorëzimi i armëve-sprovë për një foto të hershme të Kel Marubit”. Bashkëpuntorë të ngushtë të autorit gjatë përgatitjes së librit janë: redaktori, shkrimtari Pandeli Koçi, autorja e ballinës, artistja Merita Toçila, faqosësja Adriana Matraku, fotografi i fotos së autorit, mjeshtri Ernest Baba, botuesja e “Arte Graphic” Artemida Arbri dhe autori i parathënies, shkrimtari dhe publicisti Aleksandër Çipa. Shtojmë se, “Dorëzimi i armëve” përbënë botimin e tetë të autorit në fushën e studimit të fotografisë. Libri paraqitet me lidhje speciale e ballinë të fortë dhe shitet në libraritë “Librari Art’s” dhe “Adrion” në Tiranë./Dardan Asimi
ObserverKult
Lexo edhe:






