Hartimi i një historie të re të letërsisë shqiptare është detyrë e ngutshme e shkencës letrare dhe jo trill studiuesish të ngeshëm a elitarë.
Nga Klara Kodra
Le ta argumentojmë këtë:
Një tipar i historisë së letërsisë është përtëritja e saj e vazhdueshme që lidhet me vjetrimin relativ të historive individuale të letërsisë dhe të ndryshimit të herëpashershëm të peisazhit letrar, majave që ulen, kodrave që ngrihen, kalimit të shkrimtarëve të mbyllur prej studiuesve e kritikëve të kohës së vet në limbin e minorëve nga studiues të rinj në parajsën e të zgjedhurve; kalimi në zonat periferike të letërsisë të shkrimtarëve që koha e vet i pat vendosur në qendër.
Historia e letërsisë përtërihet dhe ecën nëpërmjet zbulimit të talenteve të reja, dhe korigjimit të gabimeve të studiuesve të së kaluarës. Ky tipar i përhershëm i historisë së letërsisë – rinovimi (përtëritja) fiton një rëndësi më të madhe pas rënies së diktaturave që me ideologjitë e tyre shtypëse mund të kenë dëmtuar objektivitetin shkencor.
Letërsia shqiptare ka ecur në një rrugë të veçantë dhe në një rrugë akoma më të veçantë ka ecur shkenca e saj letrare.
Historia e letërsisë ka lindur historikisht e fundit nga tri motrat që janë bija të shkencës letrare: pas kritikës dhe teorisë së letërsisë që kanë ekzistuar që në kohën e Romës dhe Greqisë së lashtë.
Historia e mirëfilltë e letërsisë në Evropë lindi në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë tok me zhvillimin e filozofisë gjermane dhe brenda këtij shekulli arriti moshën e vet të artë, ndërsa në shekullin e njëzetë do të fillonte kriza e saj.
Që në lindjen e kësaj shkence lindi synimi për një histori të gjithëmbarshme të letërsisë që do të përjetonte ulje-ngritje të ndryshme.
Në Shqipëri historia e letërsisë do të lindte tepër vonë, në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Elementët e parë të një historishkrimi shqiptar i gjejmë që në vëllimin e Vinçenc Dorsës të vitit 1847 “Mbi shqiptarët – gjurmime dhe mendime”. Por modeli i parë, ndonëse tepër i thjeshtë dhe skolaresk, i një historie të letërsisë u shfaq te “Manuali i letërsisë shqipe” të Stratikoit, botuar më 1896 (pra, para 112 vjetësh).
Që nga ajo vepër me vëllim të vogël, por me disa vlera njohëse dhe disa vëzhgime me interes, studiuesit shqiptarë kanë përshkuar një rrugë të gjatë me disa gurë qosheje: vepra e Petrotës më 1930 dhe 1932 “Popull, gjuhë dhe letërsi shqiptare”, dy vëllimet e “Shkrimtarëve shqiptarë” të Resulit (1941), më vonë dy historitë e letërsisë në pesëdhjetë vitet e diktaturës “Histori e letërsisë shqipe” (1959-1960) me dy vëllime dhe “Historia e letërsisë shqiptare” (1983).
Këtyre mund t’u shtohen “Historia e letërsisë shqipe” të Skiroit të Ri (1959), vepra e Arshi Pipës në anglisht si studime që mund të kontribuojnë në një histori të re letërsie dhe, vitet e fundit, vepra e Prof. Rexhep Qoses me tri vëllime “Historia e letërsisë shqiptare. Romantizmi”.
Në zhvillimin e historisë së letërsisë shqiptare e cila ka pasur zigzaget e veta qysh nga fillimet e saj në periudhën e pasluftës, kanë ndikuar metoda të ndryshme pozitiviste, ndërsa në periudhën e diktaturës metoda sociologjike marksiste, e konceptuar si metoda unike dhe më e lartë që kalonte herë-herë në sociologjizëm vulgar.
Në kundërshtim me ata studiues që e kanë përkufizuar historinë e letërsisë si “provincë të historisë” ose të shkencës letrare mendojmë se historia e letërsisë është e barabartë në dinjitet dhe vlera me degët e tjera të shkencës letrare, madje ka disa epërsi në krahasim me to: është më pak abstrakte dhe e përgjithshme se teoria e letërsisë, më objektive se kritika.
Nevoja e ngutshme për një histori të re të letërsisë është e lidhur ngushtë me një edukim të drejtë historik dhe estetik të brezave të rinj të studentëve; është lidhur ngushtë me afirmimin e vlerave kombëtare që shprehin identitetin e popullit shqiptar dhe u shfaqën në kulturën shqiptare në përgjithësi, në letërsinë shqiptare në veçanti.
Hartimi i një historie të re të letërsisë nuk presupozon një rifillim nga zeroja duke mohuar tërë traditën e krijuar ose qoftë edhe pesëdhjetëvjetshin e diktaturës, në të cilin u botuan dy histori të letërsisë me karakter akademik.
Është e vërtetë që këto histori letërsie vuanin nga cungimi, mungesa e plotësisë se prej tyre ishin përjashtuar shkrimtarët e quajtur si armiq nga diktatura dhe një pjesë të letërsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërore; vuanin gjithashtu nga vënia e ideologjizimit më lart se sa objektiviteti shkencor në vlerësimin e autorëve, nga një lënie relative në hije të literalitetit. Megjithatë parimi i historizmit i zbatuar tek ato përbënte një hap përpara në krahasim me studimet e mëparshme që vuanin nga empirizmi dhe diletantizmi.
Një histori e re e letërsisë shqiptare do të kishte për detyrë t’i afrohet sa më shumë objektivitetit shkencor që në kohën e diktaturës iu flijua partishmërisë, të lërojë tokat e lëna djerrë nga ideologjizimi, të kapërcejë copëzimin gjeografik të letërsisë shqiptare duke përfshirë letërsinë e Kosovës dhe të diasporës, pra, të ketë një karakter panshqiptar, të evidencojë poetikat si veçori të lëvizjeve letrare dhe si tipar dallues të shkrimtarëve të caktuar, duke pasur kështu në bazë të vet literalitetin.
Gjithashtu do të duhej t’i ruhej rrezikut të dy ekstremizmave të kundërta, prirjes formaliste për një histori letërsi ngushtësisht estetike dhe prirjes sociologjike për ta ndërtuar këtë histori në bazë të faktorëve historiko-socialë. Historisë së re të letërsisë shqiptare do t’i duhej t’u shmangej modeleve të huaja të historive të letërsive, qofshin ato edhe të një niveli të lartë si “Historia e letërsisë italiane” e De Sanktisit ose “Historia e letërsisë franceze” e Lansonit.
Këto histori letërsie e arritën nivelin e tyre të lartë pikërisht se patën parasysh specifikën e letërsisë së vet kombëtare. Sidoqoftë edhe ato tani kanë hyrë në histori meqenëse shkenca letrare është në evoluim të vazhdueshëm.
Historiani i letërsisë shqiptare duhet të ketë parasysh këto veçori të kësaj letërsie:
1. Që nga fillimet e veta një letërsi qëllimore si e përkufizon edhe studiuesi Sabri Hamiti, pra, një letërsi që vë në qendër mesazhin.
2. Qe një letërsi e veçantë që alternon vonesat në krahasim me letërsitë e tjera me “djegjen e etapave”.
3. Pati vetëm tri drejtime letrare kryesore: romantizmin, realizmin dhe “realizmin socialist” që u zhvilluan në formën e praktikave krijuese, pa programe estetike teorike.
Pati elemente të drejtimeve të tjera: klasicizmit, sentimentalizmit, hermetizmit, simbolizmit, ekspresionizmit, surealizmit, të ndërthurura në mënyrë të çrregullt me drejtimet kryesore.
4. Pati një mbështetje të vazhdueshme krijuese te poezia popullore
5. Pati karakter “ishullor”
6. U karakterizua për një kohë të gjatë vetëm prej një gjinie: poezisë.
Parimi historiko-kronologjik sipas të cilit historia e letërsisë shqiptare është ndërtuar gjer tani nuk e zbulon atë në mënyrë të plotë në thelbin e saj, po për shkak të veçorive të saj të përmendura më lart ajo s’mund të ndërtohet si histori e drejtimeve letrare apo zhvillimit të gjinive.
Për shkak të karakterit të saj qëllimor kjo letërsi s’mund të ndërtohet as si histori e individualiteteve krijuese.
Megjithatë letërsia shqiptare pati individualitete krijuese të fuqishme dhe vlera estetike të nivelit evropian të lidhura me lëvizje të caktuara ideore dhe një histori e letërsisë shqiptare do të duhej të përcaktonte marrëdhëniet midis strukturave historike, ideologjike dhe estetike.
Duhet pasur parasysh edhe se kufijtë e periudhave të veçanta të historisë së letërsisë mund të mos hyjnë dot në suazat kronologjike të historisë politike.
Dihet tashmë pështjellimi i krijuar në shkencën letrare angleze nga ndërtimi i historive të letërsisë në bazë të periudhave politike.
Ndofta historia e re e letërsisë shqiptare do të mund të strukturohej në bazë të lëvizjeve ideologjike dhe kulturore që do te lidheshin me vargun e strukturave artistike që zëvendësojnë njëratjetrën dhe që përmbajnë në vetvete secila një pjesë të strukturave historike, ideore dhe kulturore. Si vatra ndriçuese mund të ishin poetikat autoriale.
Horizonti i pritjes mund të ishte një çelës i ri për t’u futur në brendësi të historisë së letërsisë shqiptare, duke pasur parasysh edhe metodën e sociologjisë së leximit që i kapërcen të metat e estetikës së receptimit duke hedhur dritë mbi faktin se ka disa horizonte pritjeje dhe jo vetëm një horizont pritjeje homogjen.
Ka ardhur gjithashtu koha për t’u thelluar në lidhjet e letërsisë shqiptare me letërsinë evropiane, pjesë e së cilës është dhe në dritën e këtyre lidhjeve të gjendet vendi i kësaj letërsi në kuadrin e letërsisë ballkanike dhe evropiane.
Në historinë e re të letërsisë shqiptare autorët duhen parë në kontekstin e lidhjeve dhe ndikimeve nga letërsitë e tjera ballkanike, evropiano-perëndimore ose të Lindjes që të mund të dalë në dritë origjinaliteti i tyre i vërtetë. Për këtë synim duhet të marrin hov studimet krahasuese.
Gjithashtu në këtë histori të re duhet të synohet drejt harmonizimit të kapitujve panoramikë me ato monografikë, të cilët kanë munguar kryesisht në historinë e letërsisë bashkëkohore. Nuk duhet të mungojë as një kapitull i veçantë mbi letërsinë e këtyre njëzet vjetëve të fundit të lënë mënjanë nga kritika, po të pasqyruar në kumtesa e artikuj të studiuesve të letërsisë.
Historia e re e letërsisë shqiptare duhet të zhvillohet në përmasën e gjerësisë duke rrokur tërë letërsinë shqiptare Brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe të thellësisë duke gërmuar në brendësi të formës e duke e parë atë si mishërim të gjallë të mesazhit, duke zbuluar edhe avangardat e ndryshme dhe poetikat e tyre në saje të të cilave letërsia ecën.
BIBLIOGRAFI
1. Camarda D., Appendice al saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese, Prato 1866
2. Çabej E., Për gjenezën e literaturës shqipe, Shkodër 1939
3. Dorsa V., Sugli Albanesi. Ricerche e pensieri, Napoli 1847
4. Hamiti S., Pamje e re e letërsisë shqipe. Letërsia si e tillë. Probleme të vlerësimit të trashëgimisë sonë letrare (Akte të Konferencës shkencore me këtë temë të mbajtur në Tiranë më 28-29 mars 1996), Toena, Tiranë, 1996, f. 57-61
5. Historia e letërsisë shqipe, botim i UT, Tiranë, v. 1, 1959, vëll. 2, 1960
6. Historia e letërsisë shqiptare, botim i ASHSH, Tiranë 1983
7. Historia e letërsisë si grindje metodike, Universiteti I Shkodrës, Shkodër, 1995
8. Jorgo, K., Avangarda si provokim për historishkrimin e letërsisë shqiptare. Fenomeni i avangardës në letërsinë shqiptare (Aktet e Seminarit shkencor, 3.5.2004), Arbëria, T. 2004, f. 23-29
9. Marchese A., Le strutture della critica letteraria, Torino 1974
10. Methodes de l’histoire littéraire, Paris 1925
11. Petrotta G., Popolo, lingua e letteratura albanese, Palermo 1930, botimi II, 1932
12. Pipa, A. Panorama of contemporary Albanian literature, Zeitschrift fur Balkanologie, Berlin 1969-1970, 7, f. 110- 117
13. Pipa A., Albanian literature, social perspectives, Trilogia Albanica, 3 Albanische Forschungen 19 Trofenik, Mynih 1978
14. Qosja R., Prej tipologjisë deri te periodizimi, Prishtinë 1979
15. Qosja R., Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi, vëll.I, II, III, “Rilindja”, Prishtinë 1984-1990, Bot. II, vëll.I, II, III, “Botimet Toena”, Tiranë 2000
16. Qosja R., Shkrimtarë dhe periudha, botim i ASHSH, Tiranë, 2005
17. Ressuli N., Katërqind vjet letratyrë shqipe, Përpjekja, n. 1. T. 1974
18. Rudler G., Les techniques de la critique et d’histoire, littéraire en littérature française moderne, Oxford 1923
19. Schirò G., (junior) Storia della letteratura albanese, Milano, 1959
20. Straticò A., Manuale di letteratura albanese, Ulrico Hoepli, Milano 1896
21. Shkrimtarë shqiptarë, pjesa I (1462-1878), Tiranë 1941; pjesa II, Tiranë 1943
22. Shuteriqi Dh., Historia e letërsisë shqipe për shkollat e mesme, Tiranë 1955
23. Wellek R. Warren A., La théorie littéraire, Editions de Seuil, 1971
*Teksti është shkëputur nga “Historia e letërsisë shqipe- Materialet e Konferencës shkencore, 30-31 tetor 2009, në Prishtinë”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2010
ObserverKult
Lexo edhe:
REXHEP QOSJA I REAGON BLUSHIT PËR DEKLARATËN E TIJ SE “KOSOVA ËSHTË KOLONI KULTURORE E SHQIPËRISË”
Akademik Rexhep Qosja i ka reaguar shkrimtarit e opinionistit Ben Blushit, pas disa vjetësh lidhur me një shkrimin “Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria”.
Blushi ndër tjerash pati shkruar. Se për arsye historike, Kosova ka qënë një koloni artistike e Shqipërisë.
Në vazhdim ju ftojmë ta lexoni reagimin e Qosjes dhe tekstin e Blushit. Kjo në kohën kur është botuar pati ngjallur shumë reagime, të cilat po vazhdojnë edhe sot.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult