Poezi nga Donika Dabishevci
Nji qetësi trishtuese ka mlue katunin.
Shllungat e fundit t’tymit janë shkri n’kaltrinë e qiellit.
Zjermi gërmadhave gati o shue.
Asnji gjurmë njeri. Asnji za.
Grumbuj trupash nji mbi nji bajnë mozaikun e apokalipsës.
Atij t’projektuem prej trunit njerëzor.
Katër S-ja n’lëvozhgë lisi…
Nji kambë ktu, nji krye atje, trupa si kuaj deti,
torzo, pa gjymtyrë, mushkni e zorrë përziet,
sy t’ngrimë që shkëlqejnë si fosfor, fmijë t’coptuem,
mish i grimë dhe gjak. Shumë gjak.
Era shpupuritë flokët e kokave të preme.
Korbat bajnë dasmë. Gosti e papame.
Mas tyne kanë me ardhë minjtë…masnej krymbat…
ushqim i bollshëm për krejt.
T’nesërmen, punë fati, fotot me trupa t’gjymtuem
muj dalin n’ndonji faqe gazete a agjencie t’huej lajmesh.
Nashta edhe ndonji TV. Por publiku botnor
si zakonisht, ndrron kanal. Telepiloti o pshtim.
Pamje t’randa, pamje që nuk shkojnë me venë t’kuqe,
pamje makabre që ta idhtsojnë darkën.
“Fundshekulli XX, hala vrahen për toka….
njerëz t’mjerë!”
Trupat e gjymtuem mujnë me kenë
dëshmi empirike për do pleq t’urtë,
fisnik t’huej, që mun’ ja vnojnë gishtin kresë
e me menue se o marre për civilizimin krejt kjo,
e se kshtu s’shkon ma!
Masnej do demagogë,
me parrulla humanizmi n’kmisha
me i shtrue hartat n’tavolinë
tuj kqyrë rreptë zuzarët luftëbamës
e me ba ata që granatat se bajnë dot…
Me i kapë gërshantë
me ja pre teshat nji vendi,
me e pre fatin e nji populli.
Si gjithmonë, pas çdo lufte!
janar 2020
ObserverKult