Nga Dorian Koçi
Një nga botimet më të hershme të poetit Ali Podrimja në Shqipëri ishin disa poezi të tij një përmbledhje poetike të poetëve kosovarë “E di një fjalë prej guri” në vitin 1971. Përmbledhja poetike ishte një antologji e poetëve më të mirë kosovarë duke filluar nga Esad Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti etj që sillnin një aromë të re modernizmi në poezinë shqipe që dhe vetë po përjetonte një periudhë të tillë por që shumë shpejt do të ndryshonte dhe do ngurtësohej nën presionet e artit të Realizmit Socialist.
Titulli i përmbledhjes qe zgjedhur nga një poezi e Azem Shkrelit, por e gjithë përmbledhja shprehte forcën përfaqësuese të poezisë dhe artit të tyre. Hierarkia e artistike dhe e vlerave është e çuditshme, sepse sa herë që kërkon të imponohesh vjen një moment që koha të zhvlerëson dhe të jep vendin e merituar si ndodhi me plot bardë të Realizmit Socialist në Shqipëri që sot kanë mbetur vetëm si shkrues të zakonshëm në historinë e letërsisë, kurse arti i vërtetë përmes poemave të Podrimjes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqipe.
Kosova në këtë përmbledhje poetike rrugëtonte drejt Shqipërisë, në nivel artistik përmes vargjeve të poetëve të saj si e gurtë, e ashpër dhe e vuajtur sepse të tilla ishin dhe vuajtjet e saj në përpjekjet për të formësuar dhe ruajtur identitetin e veçantë mes federalizmit të sllavëve të jugut. Përmes dhimbjes dhe pikëllimit shekullor të ndarjes me forcë nga trungu amë, vargjet e poetëve të saj ishin sa vargje për bukurinë krenare të viseve shqiptare po aq dhe vajtime për fatin e shqiptarit modern kosovar të ngujuar mes dy ideologjive kinse të afërta bazuar në internacionalizimin proletar por që në thelb po i bluanin identitetin e shqiptarit të Kosovës si dy mokra mulliri.
Filozofi i lashtë Platoni në veprën e tij “Republika”, një traktat filozofik për mënyrën sesi duhet ndërtuar shteti i përjashtoi poetët nga të gjitha funksionet drejtuese duke pretenduar se me artin e tyre dobësojnë shpirtin luftarak të qytetarëve, një gjykim që në fakt ka rezultuar të jetë një nga më të gabuarat e tij pasi imagjinoni se çdo të ishte arti antik grek pa epopetë homerike të Iliadës dhe Odiseut, art që për shumë shekuj u bë një art frymëzues i ringjalljes shpirtërore të Evropës.
Po kështu ringjallja shpirtërore e Kosovës shumë më shpejt se demonstratat dhe lëvizjet e armatosura për pavarësi erdhën përmes vargjeve të poetëve të saj ku mes tyre shquante poezia e Podrimes “Unë biri yt Kosovë”. Vargjet e tij do të ishin gjithmonë në gëzimet dhe pikëllimet e popullit të vet martir si një libër i hapur për cilindo që dëshironte të njihte Kosovën. Podrimja ishte natyrë e heshtur, larg fanfarave dhe dritave që poetët diletantë shpesh herë na mërzisin dhe bombardojnë nëpërmjet medieve por arti i tij ishte i madh dhe merrte akoma më tepër jetë nëpërmjet zërit të butë dhe meliodoz të tij.
I gjithë brezi im i mësuar me një fotografi bardhë e zi të zmadhuar të gazetës “Drita” të fundit të viteve 80, fotografi që sipas të gjithave gjasave ishte zmadhuar sipas klisheve të artit socialist për të treguar se poeti është impozant dhe në jetën e tij private, u shtang në vitet 90 kur e pa për herë të parë poetin e famshëm me trupin e pakët dhe sytë e drojtuar por me fjalën zjarr. Tek Podrimja dukej sikur qëllimisht fjala shqip kish zgjedhur një njeri me trup të pakët për të mos trembur njeri sepse kumtet shqiptare të fund shekullit të XX ishin të tilla që nuk mund të linin asnjë njeri të civilizuar pa u prekur.
Fjala shqip kish dy dekada që përmes artit të Podrimjes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës dhe në mes të Evropës. Shuarja e tij, sepse të lashtët gjithmonë kanë besuar se poetët janë yje që shuhen dhe fill pas tyre kombi ashtu si fëmijët mund të thotë një dëshirë, mund të kumtojë atë që ai kish kënduar që në 1981 për Parisin se mbrapa do i lëmë pas shpine netët ballkanike, vallet , këngët , baladat dhe vetëm fyellin do marrim t’i biem sa herë që do na rrokë malli.
Rrugëtimi i kombit të tij për në Evropë pat filluar që herët nga poezia e tij me trajektoren moderne të përcaktuar qartë se pas do i lëmë mëritë ballkanike por kurrë s’do harrojmë identitetin tonë nëpërmjet melodive tona të luajtura me fyell që për shqiptarët është instrument magjik i vetëvendosjes së tyre, sigurisht jo “Fyelli Magjik” i Moxartit por ai i melodive ilire dhe këngëve të Naimit.
UNË BIRI YT
Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.
EPIKA
Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!
ANKTHI
Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…
Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…
Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
e ngrirë n’ajër?
Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
-Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
kish mbirë!
Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar..
ME JETUE
Tim bir, Lumit
Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kozmos.
Metafora e Jetës Sime
nëse s’flas
jeta ime s’ka qetësi
fjala ime bëhu Unë
heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri
nëse s’flas
jeta ime s’ka qetësi
fjala ime bëhu Unë
plaga ime
le të marrë
frymë thellë.
ME QENË
Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është
Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është
Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur
Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë
TI DHE UJI
Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.
NJË NATË NGA NETËT PA GJUMË
Zgjohu Kosovë! Zgjohu nana ime e dashur,
balli dhe emni im i shkelur,
zgjohu, oj! A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër, mu në shpirt,
si t`i kam hedhë duart rreth belit
me të përqafu unë, ashti yt?
Zgjohu, Kosovë!
Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë vatër kush po e le?
Ç’janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tënde,
këto varre e murana që po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…
Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s’po më troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.
Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pëlcitur.
Bota në ty le të kallet!
PARISI, VENDLINDJA
Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.
Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.
RËNKIMI
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.
Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;
Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarë jemi…
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.
Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.
ObserverKult
Lexo edhe: