Nga Rafaela Prifti
Sigurimi shqiptar kishte hapur dosje për të dy vëllezërit Prifti, Peterin në Amerikë dhe Naumin në Shqipëri, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit sapo i njoftoi familjarëve se dosjet do të jenë në disponim pasi të përmbushen kërkesat protokollare. Të dy vëllezërit ishin të survejuar dhe për të dy jeta mund të kishte shkuar në drejtim krejt tjetër për një veprim të vetëm, një shkrim, vepër apo edhe një fjalë goje. Në kujtimet që kanë lënë të dy evidentohet sesi pushteti i survejonte dhe njëherit tentonte të rekrutonte një vëlla për veprimtari agjenturore. Për ironi, të njëjtin pikësynim kishte edhe FBI.
Është një rast i rrallë në historinë memuaristike ku të dy vëllezërit kanë dhënë përshkrimet e tyre për përvojat që kanë pasur në këtë pikë: Peter Prifti, 1962-1966 FBI dhe Unë, Naum Prifti – Sigurimi Shqiptar Orvatet ta Rekrutojë Peter Priftin.
Shkrimin për përndjekjet e FBI Peteri ju lut Naumit të mos e botonte sa ishte gjallë dhe vëllai ia respektoi dëshirën duke e botuar pas vdekjes së vëllait në vitin 2010. Ja se ç’shkruan aty: FBI (Byroja Federale e Hetimeve) e kontaktoi Peterin për herë të parë në Boston në fund të vitit 1962, pak kohë pas vizitës së tij të parë si turist në Shqipëri. Në atë kohë ai ishte Asistent Shkencor në Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare MIT – Massachusetts Institute of Technology.
Naum Prifti e quante një nga paradokset e jetës faktin që ndërsa Peter përndiqej nga FBI nën dyshimin se ishte agjent komunist, regjimi komunist i Tiranës i refuzonte hyrjen -deri në prill 1985 – për arsye të dyshimeve se ishte “agjent i imperializmit amerikan” sikurse etiketoshehin shqiptarët që punonin në institucione amerikane. Natyrisht, nuk e përmendnin faktin se Peteri kishte refuzuar të rekrutohej nga Sigurimi Shqiptar. Gazeta Dielli e datës 17 tetor 2019 ka botuar shkrimin e editorit Dalip Greca, Dosja e Vatrës: Editorët e Diellit në Objektivin e Sigurimit.*
Vëllai i madh, Peter, i vetëdijshëm për pasojat që mund të kishte për familjarët puna e tij, kujdesej të publikonte në mënyrë anonime ose me pseudonim, siç është rasti i artikullit Albania in the Post-Hoxha Era – (Shqipëria në Kohën pas Enverit), shkruar nga PFR Artisien, studiues anglez dhe nga Peter Prifti, por e botuar vetëm me një autorësi. Në librin Remote Albania Politics of Isolation, Onufri, 1999, Peter shkruan se ai vendosi të ishte anonim në këtë artikull për arsye personale meqë kishte 14 vjet që priste të merrte vizën për të ardhur në Shqipëri dhe nuk donte të jepte asnjë shkas që ta humbte shansin e vizitës në atdhe. Kjo fare mirë mund të ndodhte nëse nëpunësit shqiptarë do ta quanin “problematik” artikullin me bashkautorësinë e tij. Shkrimi është botuar në revistën The World Today, The Royal Institute of International Affairs, London, June 1985, pp. 107-111. (Si koment anësor mund të them se artikulli edhe sot të mahnit me parashikimin e të ardhmes politike të Shqipërisë pas vdekjes së Enverit, që autorët e shohin se “do kushtëzohet nga zhvillimet e kohës në arenën ndërkombëtare por më së shumti nga e kaluara e vendit.” Edhe pas 40 vjetëve analizes se shkrimit nuk i ka kaluar koha sepse e ardhmja e Shqipërisë ka mbetur peng i të shkuarës!)
ObserverKult
Lexo edhe: