Drama familjare e Maks Velos, artisti që vuajti në burgun e Spaçit/ Piktori u spiunua nga vjehrra… Çfarë dëshmoi gruaja e tij në gjykatë?

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi së fundmi arkitektin, piktorin dhe publicistin e mirënjohur Maks Velo (31 gusht 1935-7 maj 2020).

Velo u lind në Paris, në vitin 1935, në familjen e Sotirit, mjek i diplomuar në Athinë dhe i specializuar si okulist në Francë dhe Ani Poros, vajzës së një emigranti nga Dardha e Korçës.

Kur ishte pesë vjeç, familja e tij u kthye në Korçë, ku Maksi kreu studimet deri në vitin e dytë gjimnaz. Nisi studimet pranë Institutit Politeknik në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas kreu një specializim për arkitekturë. Ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në planin urbanistik të Tiranës të vitit 1960 dhe në projektimin e shumë godinave publike të ndërtuara gjatë asaj kohe, ku vihet re fryma modernizuese dhe ideologjikisht e ndryshme.

Krahas arkitekturës, Maks Velo njihet për pasionin ndaj pikturës. Për shkak të rrymës artistike impresioniste dhe surrealiste që pasqyronte në punimet e tij, e cila binte ndesh me artin e realizmit socialist, do të fillonte ndaj tij përndjekja, që u finalizua me arrestimin në vitin 1978. Gjyqi dhe dënimi prej 10 vjetësh nën akuzën e agjitacion-propagandës, dënim që do ta vuante në burgun famëkeq të Spaçit, do të përbënin për Maks Velon një dramë familjare mbi të gjitha. Shumë nga pikturat që iu gjetën në shtëpi u shkatërruan me urdhër të gjykatës. U lirua nga burgu në vitin 1986 falë një amnistie. Me ardhjen e demokracisë, Maks Velo iu rikthye pasionit të tij për pikturën, duke mbajtur shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, ai është autori i një sërë botimesh, ku ndër më të rëndësishmet janë “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Kostumi i martesës”, “Klubi Karavasta”. Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90, ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10-vjeçar. Shumë vite më vonë ai do të lexonte dhe dëshminë e njeriut më të afërt të tij që e çoi drejt arrestimit.

10 vite në burg për idetë, për artin, 10 vite të gjata meditimi për fatin e familjes dhe të veprave që s’do ktheheshin më pas.

“Kjo është ajo që mua më rëndon më shumë, pasi as nuk vrava, as spiunova, as përdhunova njeri. Vetëm se kam vizatuar edhe kjo ishte një gjë normale. Por mënyra se si u hakmorën ndaj familjes ishte e tmerrshme. Kjo më rëndon akoma, sepse ata vuajtën të gjithë. Meraku im në Spaç nuk ishte që unë po vuaja, por se si vuanin babai, motrat, vëllai dhe nëna. Kam një motër, Rozën, që ka frikë akoma. Nuk del nga shtëpia.

Nuk do të shikojë askënd. Na bënte mbledhje lagjja sikur të ishim çifutë, pa pasur asnjë arsye. Motra tjetër, Diana, atë ditë që unë u arrestova, shkoi në psikiatri. Nuk janë gjëra të vogla. Ishte tmerr, sepse e gjithë familja u shpall armik edhe ato të dyja mbetën prej meje pa martuar. Është shumë e rëndë dhe shumë e trishtuar historia e martesës sime, edhe e fëmijës. Unë që 1 vjeç nuk e kam takuar asnjëherë”, ka rrëfyer mes dhimbjes Maks Velo. Por pavarësisht sa keq pa në jetë, piktori thoshte se jeta e tij ishte e përmbushur, pasi nuk i kishte bërë keq njeriu. “E mendoj jetën time të përmbushur, sepse gjëja më me rëndësi në jetë është të mos i bësh keq njeriut. Kam ndjerë kënaqësi të jashtëzakonshme nga arti. Unë mendoj se energjia vjen nëse je i vërtetë, nëse je fals nuk ka energji. Po t’i duash njerëzit dhe po të mos e harxhosh jetën për paratë, je i vërtetë”.

Historia

I denoncuar nga ish-gruaja dhe miqtë e tij, ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial. Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90, ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10-vjeçar. Shumë vite më vonë, ai do të lexonte dhe dëshminë e njeriut më të afërt të tij që e çoi drejt arrestimit. Dosja ka një numër të madh dokumentesh sekrete dhe josekrete, aktakuza, ekspertiza, procesverbale të marrjeve në pyetje nga hetues dhe vendime të gjykatës.

Maksi e dispononte pjesën më të madhe qysh nga koha e hetuesisë dhe i pati me vete gjatë gjithë kohës së burgut – kalvar, i cili nisi më 14 tetor të vitit 1978. Materialet e arkivit të Sigurimit nuk i kishte e as nuk ishte në dijeni, derisa aplikoi pranë Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit për ta marrë të plotë dosjen e tij. Maksi do të mësonte gjëra që nuk i kishte ditur më parë për dramën e jetës së tij. Për të vjehrrën, austriakja Gertrudë Buheckes, që ishte një nga ato gra të huaja, të cilat u martuan me burra shqiptarë dhe mbetën brenda kufijve gjatë regjimit komunist, Maks Velo ishte borgjez. Po ashtu, do ta cilësonin edhe dhjetëra bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe denoncues të Velos.

Në denoncimin e vjehrrës në Sigurimin e Shtetit do të shkruhej: “Sot në datën 4.7.’75 pata një bisedë në prezencë të punonjësit operativ Gëzim Bejko, me qytetaren Gertrudë Buheckës që banon në rrugën ‘Bajram Curri’ 36/4. Ap.10. Kjo është e vjehrra e Maks Velos, që ndiqet nga ana jonë nën për dyshimin paraprak për Agjitacion dhe propagandë.

Gertrudë u ankua për dhëndrin e saj si dhe për të bijën, se ata e trajtojnë shumë keq, bile edhe e rrahin. Gertrudë është me kombësi austriake. Ajo duke qarë fliste me një urrejtje të thellë për Maksin dhe familjen e tij. Për Maksin, ajo thotë se është një njeri hipokrit, egoist; për familjen e tij, ajo është familje aristokrate. Më ka qëlluar – tha ajo – në ndonjë rast kur kam shkuar në shtëpinë e tyre dhe kam dëgjuar fjalët e së ëmës së Maksit, e cila më thoshte se Maksi im është rritur me çokollata, se ai ka lindur në Paris etj.. Vajza ime, vazhdon më poshtë Gertrudë, qysh se është martuar, nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, bile dhe tani që ka lindur djalë. Ai është një tip psikopati dhe shumë i ulët në karakter. Tani ka dy ose tre muaj që sjell vajzën në shtëpi me gjithë djalin dhe nuk interesohet fare për ta. Do që ta ndajë time bijë, por nuk do që ta padisë në gjyq. Me një fjalë, Maksi është një tip borgjezi, që unë nuk gjej fjalë t’ua shpjegoj karakterin e tij.

Tani ai më quan mua spiune se kam dorëzuar dy librat e tij në Degën e Brendshme, që kanë përmbajtje jo të mira. Unë në të vërtetë kam shpënë dy libra në Lidhjen e Shkrimtarëve, që më janë dukur jo të mirë dhe jo në Degën e Brendshme. Nuk di kush mund t’i ketë thënë Maksit për këto. Bile edhe ime bijë po më thotë që po që se do i ndodhë gjë Maksit, dije se kam për të zhdukur. Ime bijë bile më ka goditur mua, ajo është bërë si e lojtur mendsh. Në këtë gjendje atë e solli Maks Velo. Vajza ka rënë në një pesimizëm kaq të madh sa më ha meraku se mos ajo për shkak të Maksit mos po kalon në vetëvrasje. Dua që ta bind që ajo të shtrohet në spital, por ajo nuk më bindet mua. I them që ta ndjek Maksin, por ajo përsëri nuk pranon”.

Dosja

Nga dosja e plotë, Maks Velo është shprehur pak kohë para se të ndërronte jetë se mësoi shumë detaje, sesi ishte ndjekur për një periudhë të gjatë dhe sesi funksiononin teknikat e Sigurimit dhe se kur gënjenin agjentët.

“Si është e mundur?! Llambi Blido njëzet e ca denoncime! Madje edhe duke gënjyer, sepse edhe vetë shteti thotë se këto informacione që na jep Llambi nuk na vërtetojnë. Thonë se si është e mundur që Maksi u beson akoma.

Si të mos i besoja një piktori, një artisti?! Çfarë të bëja unë? Unë nuk thosha ‘do vrasim’, flisja për Henri Moore, për Picasson, për vizatimin… Ky nuk është krim”. Në një prej dokumenteve ku operativët vënë në diskutim vërtetësinë e raportimeve të bashkëpunëtorit “Semani” e ku ai shfaqet me nistoret Ll.B, që lë të kuptosh se bëhet fjalë për Llambi Blidon, mik i afërt me Maks Velon atëkohë – është një bisedë mes Velos dhe Safo Markos dhe këtij të fundit, që në tekst identifikohet si burimi.

Ishte koha kur sapo kishin arrestuar të birin e Petro Markos. “Ty nuk ka pse të të vijë turp! Yt bir as nuk ka vjedhur e as nuk ka vrarë. Kjo mund t’i ndodhur kujtdo, secili nga ne shkon e tregon. Fare mirë mund ta hajë secili”, – mësohet ta ketë ngushëlluar Velo, Safo Markon, nga raportimet e “Semanit” dhe të vetë Markos. “Unë vajta të ngushëlloja Safon se i kishin arrestuar djalin, ajo raportonte në Sigurim. Megjithatë, them se nuk kemi ndryshuar shumë, ata jemi akoma, vetëm se tani e bëjnë në formatë tjera”.

Më 14 tetor të vitit 1978 do të arrestohej. Me vete, siç shkruhet në një prej dokumenteve, kishte pesë lekë, në rrip mesi meshini ngjyrë kafe, një orë dore të markës “Kelton” me fushë të bardhë e pa numra, një palë lidhëse këpucësh në ngjyrë kafe dhe librin “Kujtimet e një zbuluesi”. Dëshmitarë në gjyqin e tij ishin pesëmbëdhjetë. Tanimë të shfaqur me emra e mbiemra. Aristotel Papa, Edison Gjergo, Luçiana Naraçi, Hirushka Zekthi, Konstandin Leka, Dhimitraq Trebicka, Elsa Drita, Ermir Grezda, Dhimo Gogollari, Hektor Dule, Miltjadh Jorgji, Nelson Çabej, Genc Hajdari, Andrea Nikolla, Mihal Hanxhari u thirrën në hetuesi, patën ballafaqime me Velon dhe dëshmuan në gjyq. Ishin miq, të afërt, kolegë, të njohur.

Nga kontrollet në banesën e tij u gjendën 246 piktura dhe 73 punime në dru. Në dokumentin nr.99 të Dosjes së Sigurimit për shtetasin Maks Velo përfshihet një akt ekspertimi mbi përmbajtjen e pikturave të Maks Velos, kryer nga Kujtim Buza, asokohe sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Foto Stamo dhe Skënder Milori, piktorë dhe anëtarë të Lidhjes. Të ngarkuar nga hetuesi Dhimitraq Shkodrani, treshja e ekspertëve do të dilnin në konkluzion se Maks Velo kishte rënë plotësisht në pozitat e artit formalist. “Ashtu sikundër është kritikuar në dritën e mësimeve të partisë dhe materialeve të Plenumit të 4-t të KQ të PPSh, Maks Velo me punimet e tij në përgjithësi dhe këto që pamë në veçanti ka rënë plotësisht në pozitat e një arti formalist, të rrymave dhe drejtimeve borgjeze revizioniste, duke përfshirë ekspresionizmin, abstraksionizmin, kubizmin… Ai është i shkëputur nga jeta.

Ekspertiza nga Lidhja e shkrimtarëve

Piktura të konfiskuara dhe të djegura preokupacionet e popullit tonë nga heroizmi dhe fryma luftarake. Si snob që ishte, Maks Velo kishte krijuar punime që janë në kundërshti të plotë me metodën tonë të artit të realizmit socialist. “Autori me këtë revan që kishte marrë, shkruan, Buza, i cili ka përpiluar edhe aktin e ekspertimit, tregon se me siguri do të eksperimentonte të gjitha rrymat dhe drejtimet, me siguri do të provonte hiperealizmin, popartin dhe ap-artin. Këtë e tregon etja e tij.

Punimet e tjera dalin me ndikime të artit formalist dhe shprehje e degjenerimit të plotë “të këtij njeriu që me trup jetonte në tokën tonë ndërsa me mendje dhe zemër shëtiste në bulevardet e Parisit Moskës, Nju Jorkut e pastaj po t’i premtonte koha edhe në Pekinin revizionist”.

E quajnë pseudo-artist, ndërsa krijimtarinë e tij, pjellë e degjenerimit politik dhe moral, në kundërshti me porositë e Partisë. Të 246 veprat e konfiskuara u dogjën në kaldajën e Gjykatës së Tiranës nga Ruko Sako. Sistemi kishte arritur të shkatërronte jo vetëm karrierën dhe ambiciet e një piktori dhe të një arkitekti që thoshte se i duhej të kuptonte kubizmin për veprat, por edhe besimin e njeriut tek lloji i tij.

“Mesa duket, kështu do ta mbaroj jetën. Kisha të gjithë dëshirën e mirë për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur. Po është e vështirë të besosh më pas te njerëzit, por në burg ngushëllohesh me të tjerë që kishin vuajtur më shumë. Në jetë është konkurrenca e lumturive, në burg është konkurrenca e vuajtjeve”, – rrëfen Maks Velo, ndërsa pohon se i mbyllur në birucë ka sjellë ndërmend si në një film të gjithë bisedat, takimet, analizonte se ku mund të kishte gabuar. “Dhe kështu, dalëngadalë krijon një tabelë, si tabela e Mendelejevit, me gjithë ish-spiunët”.

Gjatë viteve të burgut, kaluar në famëkeqin kamp të Spaçit, zemërimi do i bëhej shok. Po ajo frymë moderniste që aq shumë e akuzuan dhe për të cilën e përndoqën një aparat i tërë me të gjithë strukturat e tij a ishte venitur nga izolimi, uria dhe puna e rëndë? “Asnjë burg nuk e fshin dot, se ajo është ne vetë qenien tënde, përndryshe nuk e ke.

Kështu kam qenë gjithmonë, mesa duket që kur kam lindur”. Nga masakra me veprat e pikturuara prej tij arritën të shpëtonin tri vizatime, të cilat ia pat dhuruar mikeshës së tij franceze, Odile Daniel.

Do të njihej me të renë që studionte Albanologji në fund të viteve ’60 në Bibliotekën Kombëtare, do të shoqëroheshin bashkë ndërsa ajo qëndronte në hotel “Dajti”, do i rrëfenin njëri-tjetrit më shumë për jetët dhe më pas Maksi do e prezantonte në familje. Në dokumentet e dosjes zbulohet se francezja i pat propozuar edhe martesë, por Maksit iu urdhërua t’i rrinte larg. Daniel e vizitoi edhe dy herë të tjera Shqipërinë dhe u takua me Maks Velon në studion e tij. Si shenjë mirënjohjeje për pikturat, ajo do i sillte nga Franca libra të Picassos.

U tha se ishte agjente e huaj, por ky pretendim mbetet mister. Në vitin 1992, kur Maks Velo do të vizitonte sërish Parisin, qytetin e tij të lindjes do të takohej me Odile, e cila ia ktheu tri vizatimet. Maks Velo do të lirohej nga burgu në vitin 1986, por vetëm pas përmbysjes së regjimit diktatorial do të binte në gjurmët e dosjes së tij, ku do të gjente të fotografuara edhe veprat që iu dogjën. Shumë prej tyre do i rikrijonte me po atë zjarr që i kish punuar dhjetëra vite të shkuar në studion e tij, nën ndikimin e gjallë të përfaqësuesve të artit modern botëror dhe tri vite të shkuara do të çelte edhe një ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare, ku do të mund të shfaqte në liri motivet primitive, vallen labe, nudot femërore, vajzën me gërshetë, plakat, ciganen me shportë, natyrën e qetë me ibrik, pyllin me selvi, vizatimet me bojë kine… Ato që kishin qenë “fajtoret” e të qenit tejet moderne për Shqipërinë e realizmit socialist. Do të sillte edhe skulptorin Henri Moore, veprat e të cilit i pa nga afër dhe i vizatoi në vend, teksa i kundronte në galeritë e Parisit, në një prej udhëtimeve të tij dimërore në kryeqytetin e artit botëror, së bashku me Giacometti-in, Zadkine, Rodin, Picasso dhe të tjerë. I solli në librin e tij “Skulptura e Realizmit Socialist dhe Skulptura në Europë”, ku do të shfaqte të gjitha veprat e epokës gjysmëshekullore, vënë përballë më të mirës që ofroi bota në skulpturë.

Dëshmia

Dëshmitarja Luçiana Naraçi u pyet rreth çështjes dhe deklaroi: “Unë kam qenë e martuar me Maks Velon dhe me të kam një fëmijë. Në vitin 1976 jam ndarë nga ai dhe tani banoj pranë nënës sime.

Gjatë kohës që unë kam qenë e martuar me Maksin, tek ai kisha konstatuar se kishte koncepte dhe mbante qëndrim të huaj ndaj gruas. Po ashtu, kisha vënë re se ai ishte i dhënë shumë pas artit dekadent dhe për këtë më ka treguar një libër të Pikasos, që ia kishte dërguar një franceze, të cilën e kishte njohur përpara se të martohej me mua. Për Pikason më ka thënë se është piktor i madh. Më kujtohet biseda me të, që më ka thënë se: ‘Nuk ka përse të pikturosh në mënyrë realiste për faktin se në mënyrë realiste del në fotografi, kurse piktori në çdo pikturë duhet të fusë ndjenjat e tij, kështu për rrjedhim, piktura e realizmit socialist nuk mundet që të shprehë atë që mendon ose kërkon që të shprehësh”.

Në përgjithësi për pikturën me Maksin nuk kam biseduar shumë. Dua të shtoj se gjatë kohës që ai ishte i martuar me mua ka bërë edhe një skandal me një grua tjetër, të cilën unë e kam marrë vesh pasi jam ndarë nga ai. Maksi në shtëpinë e tij kishte piktura që nuk i përgjigjeshin realizmit socialist. Për këto piktura ai më ka thënë, “se po të ishin jashtë shtetit do të kushtonin miliona lekë, se këto i përgjigjen realitetit, se çdo gjë shkon përpara. Njerëzit po të duan të paraqesin një gjë ashtu si është e fotografojnë aty dhe nuk e pikturojnë. Prandaj piktura nuk duhet të jetë krejtësisht realiste”.

Pasi është dënuar Fadil Paçrami, në një bisedë që kanë bërë në shtëpinë e Maksit, unë kam qenë aty dhe kam dëgjuar Maksi të thotë: ‘Fadil Paçrami qëndroi si burrat dhe nuk e dha veten’. Këtë bisedë e kam dëgjuar kalimthi kur ai bisedonte me njerëzit e shtëpisë së tij. Kur i është rrëzuar stalla në kooperativë, Maksi priste që të arrestohej dhe ata kanë marrë disa libra dhe i kanë djegur. Se çfarë librash kanë djegur nuk e di. Në kohën që Maksi është dënuar për riedukim dhe është dërguar në fshat më ka thënë mua se ‘më kanë dënuar kot. Këta nuk dinë t’i vlerësojnë njerëzit. Mua më hoqën se jam i zoti’. Duke biseduar për të ardhurat që merrte ai në kohën që unë banoja te nëna, i kam thënë Maksit që t’i dilte për zot familjes që kishim bashkë, por Maksi më ka thënë se ‘ato para që unë marr, nuk më dalin për të jetuar për vete dhe jo të mbaj fëmijën’. Në bisedat e ndryshme që kam bërë me Maksin, ai më ka thënë se këtu në Shqipëri nuk vlerësohet ashtu siç duhet puna e artit, e këtë ma ilustronte duke thënë se ‘ja pikturat e mia, po të ishin jashtë shtetit do të vlerësoheshin me miliona lekë. Kështu më ka thënë ajo francezja, ndërsa këtu te ne këto nuk i vlerësojnë’. Me sa di unë, Maksi ka pasur marrëdhënie me një franceze që ka ardhur në vendin tonë për të bërë studime albanalogjike.

Ajo i ka vajtur në shtëpi Maksit dhe ai ka pasur korrespondencë me të. Kur ka ikur francezja, Maksi ka pasur korrespondencë me të dhe asaj i ka dhënë disa piktura, kurse ajo nga Franca i ka dërguar librin e Pikasos.

Por, gjithashtu, Maksi ka thënë se jashtë shtetit ashtu siç i kishte thënë ajo francezja, jetohet mirë, se në Francë njerëzit e zotë vlerësohen shumë dhe marrin të ardhura të mira dhe jo si këtu në vendin tonë. Më ka thënë se ‘po të ishin veprat e mia në Francë, do të vlerësoheshin shumë dhe jo si këtu në Shqipëri, që nuk i vlerëson njeri’.

Duke më biseduar për Pikason, Maksi më ka thënë se ai është njeri shumë i zoti dhe ka vlera të mëdha artistike. Duke biseduar me nënën e Maksit, Ani Velo, më ka thënë se në shtëpinë e tyre kishte shkuar edhe një greke dhe i kishte parë pikturat e Maksit dhe i kishte pëlqyer si ajo francezja. Maksi në shtëpinë e nënës sime ka lënë dy libra të karikaturistit francez Zhan Ejfel, në gjuhën ruse.

Këta libra tregojnë krijimin e njeriut nga Zoti, si dhe krijimin e botës nga Zoti. Që të dy këta libra i kam dorëzuar në organet kompetente. Dua të them se në shtëpinë e Maksit unë kam gjetur edhe një fotografi që kishte dalë së bashku më vëllain e tij me uniformën e fashizmit. Në këtë proces dua të sqaroj një fakt, pavarësisht se jam divorcuar me Maksin, flas vetëm të vërtetën dhe nuk jam nisur nga motivet personale. I kam thënë duke qenë edhe pa u ndarë nga Maksi. Procesverbali m’u lexua. Thëniet e mia janë shkruar drejt dhe i vërtetoj me firmën time”.

Dëshmitarja
Luçiana Naraçi
Hetuesi
Dhimitraq Shkodrani
Asistoi
Aleko Meci/ panorama.com

ObserverKult


maks velo letrat

Lexo edhe:

PËRKUJTOHET MAKS VELO, ARTISTI QË VUAJTI DËNIMIN NË BURGUN FAMËKEQ TË SPAÇIT- PIKTURAT IA SHKATËRRUAN

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” ka përkujtuar së fundmi arkitektin, piktorin dhe publicistin e mirënjohur Maks Velo i lindur më 31 gusht 1935 ndërsa u nda nga jeta më 7 maj 2020.

Velo lindi në Paris në vitin 1935, por shumë shpejt familja u vendos në Korçë aty ku ai e kaloi dhe fëmijërinë.

Nisi studimet pranë Institutit Politeknik në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas kryen një specializim për arkitekturë.

Ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në planin urbanistik të Tiranës të vitit 1960. Po ashtu në projektimin e shumë godinave publike të ndërtuara gjatë asaj kohe ku vihet re fryma modernizuese dhe ideologjikisht e ndryshme.

Krahas arkitekturës, Maks Velo njihet për pasionin ndaj pikturës. Për shkak të rrymës artistike impresioniste dhe surrealiste që pasqyronte në punimet e tij.

Kjo biente ndesh me artin e realizmit socialist, do të fillonte ndaj tij përndjekja dhe që përfundoi me arrestimin në vitin 1978.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


SI E SHPËTOI PIKTURËN E MAKS VELOS NGA DJEGIA ISMAIL KADARE

Si e shpëtoi pikturën e Maks Velos nga djegia Ismail Kadare… Në parathënien e librit “Jetë paralele”, libri me dosjen sekrete të përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit të Maks Velos (UET PRESS), Alda Bardhyli tregon për historinë e një pikture të Maks Velos, që mundi t’i shpëtojë sekuestrimit apo djegies, pasi u ruajt me kujdes nga familja Kadare.

Kadarenjtë e fshehën në dhomën e gjumit. Ky është një rast unikal në historinë e vendeve komuniste. Kur një shkrimtar ndihmon një artist duke i fshehur pikturat. Dihet miqësia e hershme, që Kadare, ka pasur me Velon.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult