Primabalerina e TKOB, Enada Hoxha ka treguar një histori të vështirë të lidhur me karrierën e saj. E ftuar, kohë më parë, në emisionin “Rudina”, ajo ka treguar se një anë jo aq të ndriçuar nga prozhektorët në karrierën e saj. Ajo ka treguar se një nga drejtuesit e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ishte sjellë keq me të, madje dhe e kishte pezulluar nga puna.
Enada Hoxha: “Unë në fakt po marr nga ana profesionale, më tepër jam lënduar në anën profesionale sepse falë Zotit në jetën time kam pasur vetëm gjëra të bukura. E kam pakëz të vështirë për ta treguar njërën nga këto sepse e kam mbajtur për vete për të mos lançuar dhe për mos të nxjerrë personin i cili vërtet më ka lënduar. Është një moment jo i lehtë që unë e kam përjetuar jo lehtë, le të themi dhe nuk është se ka zgjatur pak, por ka zgjatur relativisht gjatë, për 3 vjet.
Bëhet fjalë për një nga drejtuesit e TKOB i cili ishte vetë një artist që unë e respektoj pa diskutim tërë figurën e tij dhe për atë çfarë ai ka dhënë dhe nuk e prisja kurrë që ai karshi meje të sillej në mënyrën më të shëmtuar dhe të më pezullonte si artiste titullare të Operas dhe Baletit që unë të mos kërceja më, por të më kalonte në një balerinë si soliste e dytë, në rolet sekondare, gjë që nuk e pranova asnjëherë.
Kemi madje edhe debatuar me të. Ai vazhdonte të ishte në mendjen e tij që unë, boll nuk duhej të vazhdoja më. Unë mund të them që isha në kulmin e karrierës time, madje sapo kisha ardhur edhe nga një aktivitet shumë i rëndësishëm në Itali ku mu bë edhe një propozim për të qëndruar atje dhe nëse unë nuk do të isha kaq në gjendje, atëherë nuk do të kisha këto propozime. Gjithsesi, më ka lënduar pafund sepse më ka lënë 3 vite pa kërcyer përveçse në një moment tepër të vogël”.
Më tej, Enada shton se këtë histori nuk e ka bërë publike më parë sepse mendonte se “nuk do ta besonte njeri”. Por shtoi se në dijeni të saj janë familjarë dhe kolegë, ndërsa refuzon të publikojë emrin e drejtuesit, por shtoi se nga ai pësoi “një dëm të madh, të pafalshëm.
Lexo edhe:
TEATRI EKSPERIMENTAL NË TRANZICION, AKTORËT NË PRITJE DHE ANKTH
ObserverKult