Artisti shqiptar, Helidon Xhixha, rikthehet në qytetin e Venezias me një ekspozitë të re me titull “Drita, rilindja e Venezias”.
Hapur në ambientet e “Darsena Grande” në kompleksin antik detar Arsenali i Venecias, ekspozita përmbledh shtatë instalime artistike madhore në çelik e inoks që përcjellin një vështrim futurist mbi qytetin e Venezias.
“Kam zgjedhur Venezian, pasi veprat e mia reflektojnë më së miri bukurinë e jashtëzakonshme të këtij qyteti. Të realizuara në çelik, kanë nevojë për dritën që përmes plazmës përcjell refektime të ndryshme për publikun” shprehet artisti Helidon Xhixha.
Ekspozita është kuruar nga Michele Bonuomo e Klodian Dedja, me mbështetjen e Komunës së Venezias.
“Helidoni është një artist bashkëkohor që transformon format”, shprehet Klodian Dedja, një nga kuruesit e ekspozitës.
“Arti i tij ngjan me një gjest hyjnor që si një arkitekturë shpirtërore krijon e prish e ky deformim të kujton se asgjë nuk është e qëndrueshme:”
Këshilltari i kulturës pranë komunës së Venezias, Michele Ziun, i cili ishte i pranishëm në inaugurimin e ekspozitës “Luce” thotë se “ambienti ku janë ekzpozuar këto vepra është vendi i duhur për të admiruar mrekullin e artit të Helidon Xhixhas.”
Artisti, Helidon Xhixha, rikhehet në Venezia një vit më pas kur në Kanalin e Madh, ekzpozoi veprën e tij “Mesazh në shishe” .
Gjithashtu më 2015 ai mori pjesë në edicionin e 56 të Bienales së Venezias me veprën “Iceberg”, një strukturë lundruese në ujë që përcillte reflektime mbi temën e ngrohjes globale.
Veprat e Helidon Xhixhas janë pjesë e koleksioneve artisitike publike e private si në Itali ashtu dhe në vende të tjera të botës.