Dritan Shano: Nuk paguaj për detin!

dritan shano

Nga Dritan Shano


Deti, bregu, rëra, zalli, guralecët, pemët, dallgët, era, dielli, dita, nata, qielli, yjet, janë dhuratë e Zotit. Janë falas. Asnjë lek nuk paguhet për to. Këto nuk mund të klasifikohen si sektori i turizmit, për të cilin turisti, i brendshëm a i huaj duhet të paguajë para. Çlodhja, komforti, gadishmëria për të paguar nuk ka lidhje me listën e elementëve të natyrës që rreshtuam në fjalinë e parë. Ato thelbësisht lidhen me mundin e njeriut, për t’i bërë ato të përdorshme dhe për të prodhuar komfort dhe kënaqësi.

Sektori i Turizmit dhe paraja për të fillon dhe paguhet mbi djersën dhe investimin; mbi infrastrukturat: ujë, energji, kanalizime, dixhitale; mbi sigurinë, komfortin dhe ushqimin. Mbi shërbimin që njeriu krijon dhe jep, përmbi atë që ka dhënë Zoti. Kombinimi i tyre dhe cilësia e secilës nga këto, për të dhënë vlerë mbi dhuratën e Zotit, është baza mbi të cilën kryhet diferencimi i çmimeve. I aty që duhet të paguajë turisti. Kjo sjell, ose jo turistë në derën tënde. Sjell, ose jo para në xhepin tënd.

Nuk shkohet me pushime vetëm për detin, por edhe për t’u ndjerë të vlerësuar e të përmbushur.

Duhet të kemi parasysh se turizmi nuk mund të jetë thjesht kombinim i natyrës dhe plotësimit të nevojave fiziologjike, që janë në bazamentin e piramidës së nevojave të Maslow*. Por një kombinim i natyrës dhe plotësimit të nevojave për vetë-vlerësim dhe vetë-përmbushje të njeriut. Dy përkufizime që janë në majë të kësaj piramide. Natyrisht, kush e kupton këtë, dhe kush investon për këtë, i vjel frytet turizmit. Pra mbush xhepat. Fqinjët tanë që na rrethojnë janë mjaft përpara nesh në këtë pikëpamje.

Jo vendosim ca dërrasa në formë shtëpie tek bregu i detit, dy shezlonë 1 çadër dhe deti i bukur deri në magjepsje dhe u kry. “Se, ai që vjen për detin vjen, këto të tjerat janë të parëndësishme. Edhe po i ka të rëndësishme, çdo bëjë? Do ikë tani që erdhi deri këtu?”

Në fakt, turizmi nuk mund të jetë kombinimi i mrekullive të Zotit me hilenë. As dallkaukllëkun e njeriut, por me sinqeritetin, dashurinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e njeriut. Prandaj, ashtu si unë, gjithnjë e më shumë shqiptarë, nuk shkojnë me pushime vetëm për detin… As që kur ata zgjohen nga gjumi në mëngjes, banakieri apo kamarieri nuk janë zgjuar akoma nga gjumi, siç më ka ndodhur personalisht në një prej resorteve më të famshme të jugut. Ata shkojnë për t’u çlodhur. Për t’u ndjerë të vlerësuar e të përmbushur, dhe jo të shërbyer shkel e shko, me “po deshe”.

Vendin e kam pa para. Jam gati të paguaj për mundin.

Mbi mungesat e përhershme të ujit, të energjisë, të papastërtive, vemë dhe ca çmime më të shtrenjta se në Itali, Greqi, Mal të Zi e Kroaci… E kemi ndarë mendjen që sezoni i turizmit është vetëm 1 muaj e gjysëm. Na duhet të nxjerrim paratë e gjithë vitit dhe lum si ne. Natyrisht, mund të arsyetohet që çmimet tona të mund të jenë më të shtrenjta, pasi derisa të shkosh në Greqi ke edhe karburant për të harxhuar. Në Itali është trageti, avioni, makina me qera… Në të gjitha rastet kur iket nga Shqipëria do kohë më shumë. Ky arsyetim është i vlefshëm vetëm me një kusht: që cilësia e turizmit të jetë e njëjtë si këtu, si andej. Ndryshe, beteja është e humbur.

E dua vendin tim, por nuk pranoj t’i paguaj asnjë lek kujtdo që ka marrë licencë për aktivitet turizmi dhe me hile do thjesht të më shesë vendin tim, dhe jo mundin e vet cilësor. Vendin e kam pa para. Jam gati të paguaj për mundin. Kur e gjej. Dhe e dua të jetë mund i ndershëm, jo hileqar. Ju siguroj se çdo shqiptar me katër klasë di ta bëjë dallimin.

ObserverKult

Lexo edhe:

JA CILAT ISHIN PLAZHET E PREFERUARA TË SHQIPTARËVE PARA VITEVE ’90