“Dritëhije mbi Martin Camajn dhe Ernest Koliqin”- Primo Shllaku: Heshtja e Akademisë, tregues i moskompetencës

Lidhur me debatet që ka nxitur shkrimi i studiuesit Auron Tare “Dritëhije mbi Martin Camajn dhe Ernest Koliqin“, shkrimtari Primo Shllaku fton përmes Ardian Ndrecës për një reagim nga ana e Akademisë së Shkencave.

“Unë nuk mund t’i përgjigjem Auron Tares, sepse ai që në fillim shpall inkompetencën në dallimin e vlerave letrare, për të cilat dhe mbahen nalt këta dy autorë të shek. XX. Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni, që Akademia ta ndiejë për detyrë të sajën të na japë sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çështjes dhe në vijim të dalë para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me nji konkluzion shterues.

Çështja ka dalë në ‘Facebook’, por nuk asht i denjë ky rrjet social të mbajë gjithë peshën dhe seriozitetin e këtij diskutimi. Imagjinoni se çfarë do t’i ndodhte dikujt prej studiuesve, sikur ai të përpiqej të asgjësonte me nji të rame të shkopit Pashko Vasën, treshen Frashëri dhe Ismail Qemalin, me argumentin real se ata paskëshin qenë nëpunës të naltë dhe pjesë e aparatit shtetnor të perandorisë osmane, përgjegjëse kjo, ma së paku, për çeuropianizimin e botës shqiptare”.

“Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hjedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mynxyrash që asgjësonin fizikisht, por edhe moralisht, do ta paqëtonte te njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojt individualisht e sporadikisht atë pjesë të kulturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës.

Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore”, shkruan më tej Shllaku.

Sipas tij, heshtja e Akademisë do të ishte treguesi i “nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor”.